16 vjetorin e lirimit nga burgu i Serbisë, Kurti e feston në burgun e Kosovës

Aktuale December 07, 2017 - 16:15

Themeluesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti po e feston 16 vjetorin e lirimit të tij nga burgu i Nishit të Serbisë në burgun e Lipjanit. Albin Kurti ishte i arrestuar politik gjatë kohës së luftës në Kosovë dhe ishte liruar me 7 dhjetor të vitit 2001.

E më 7 dhjetor 2017, Kurti po mbahet në paraburgim për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës. Ai akuzohet nga Prokuroria e Shtetit për përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm dhe pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare.Gjykimi i Kurtit ka vazhduar sot, ndërsa ishte paraparë që të dëshmonin kryekuvendari Kadri Veseli e deputeti Armend Zemaj. Përveç burgut në Serbi, Kurti ishte arrestuar disa herë edhe në Kosovë.

Që nga viti 2005, kur e themeloi Lëvizjen Vetëvendosje, Kurti u arrestua shpeshherë për shkak të aktiviteteve të tij politike të cilat në shumicën e rasteve ishin sfidë për t’u menaxhuar nga organet e rendit. Deputeti i Vetëvendosjes deri më tani është arrestuar rreth 20 herë, ndërsa ka qëndruar në burgje të ndryshme.

Albin Kurti është arrestuar më 27 prill 1999 në Prishtinë. Deri me 2 maj 1999 është mbajtur në burgun e Prishtinës. Prej 2 maj deri më 10 qershor në burgun e Lipjanit. Prej 10 qershorit deri më 13 dhjetor 1999 në burgun e Pozharevcit. Prej 13 dhjetorit deri më 13 mars 2000, në burgun e Nishit.

Procesi gjyqësore ndaj Albin Kurtit ka filluar më 9 mars 2000 ndërkaq më 13 mars është shqiptuar dënimi prej 15 vjetësh nën akuzën “cenimi i integritetit territorial dhe sovranitetit të Jugosllavisë” sipas nenit 116. Sërish, prej 14 mars 2000 deri në nëntor, ka qenë në burgun e Pozharevcit. Intervista e dhënë në burg është më 22 prill 2000. Prej nëntorit të vitit 2000 deri më 3 dhjetor të vitit 2001 ka qenë në burgun e Quprisë ndërkaq, prej 3 dhjetor 2001 deri më 7 dhjetor, sërish në burgun e Nishit./Kallxo