‘Makiavelizmi i zotit Limaj!’

Aktuale December 07, 2017 - 14:57

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj, përmes një postimi në “Facebook”, ka komentuar deklaratat e zëvendëskryeministri Fatmir Limajt, i cili tha se “temat nacionale kërkojnë konsensus të përbashkët”.

Ai ka thënë se këtë e kishte thënë edhe LDK-ja për thuaja tri vite radhazi, gjatë periudhës së qeverisjes "Mustafa", duke ju drejtuar Limajt se “Megjithatë, ju atëherë “i futët veshët në lesh” e nuk donit të dëgjoni fare”, përcjell “Zëri.info”.

Ky është postimi i plotë:

“Temat nacionale kërkojnë konsensus të përbashkët”, na tha sot Zëvendës-Kryeministri Limaj. Këte zoti Limaj e kishim thënë edhe ne për thuaja tri vite radhazi, gjatë periudhës së qeverisjes Mustafa. Megjithatë, ju atëherë “i futët veshët në lesh” e nuk donit të dëgjoni fare; kjo, pasi që aspironit marrjen e pushtetit me çdo kusht dhe me çfarëdo metode. Tani kur pozicionimet kanë ndryshuar, ju po na thoni diçka si: ne nuk bashkëpunonim me ju sepse duhej përmbysur pushtetin, dhe rrjedhimisht marrjen e tij nga ne, ndërsa ju tani do të duhej të jeni konstruktiv (si gjithherë), e të na mundësoni mbajtjen e këtij pushteti të pështirë, të cilin e morëm me dhunë e veprime konspirative (me miqtë tanë PDK-stë), dhe kryekëput përmes sekserëve e matrapazëve. Jo faleminderit!