Vetëvendosje: Beqir Kalludra po bën gjykim fshehtas

Aktuale December 07, 2017 - 13:52

Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se gjyqtari Beqir Kalludra po bën gjykim të fshehtë ndaj deputetëve Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj-Bujupi e Faton Topalli.

Ky reagim i tyre vjen pasi është ndaluar transmetimi i drejtëpërdrejtë i kësaj seance.

“Ky është tregues i qartë që këtu është qëllim padrejtësia, andaj u duhet që ta kryjnë këtë gjykim politik fshehtas”, thuhet në njoftimin për media të Vetëvendosjes.

“Duke qenë se ky gjykim politik po bëhet për përfaqësuesit e popullit, është në interes të qytetarëve ta kuptojnë dhe ta dinë se si po gjykohen sot, përfaqësuesit e tij”.

“Duke ditur poashtu, që gjyqtari Kalludra ka një histori të dënimeve arbitrare pa prova e fakte e bën edhe më të rëndësishme publikimin e seancave”.

“Në seancën e kaluar të kësaj çështje interesimi i publikut ishte shumë i lartë, që dëshmon edhe një herë se deputetët nuk janë vetëm dhe se qytetarët janë me ta”.