Tahiri: Të merren masa ndaj Dardan Gashit për të shtënat me armë

Aktuale December 06, 2017 - 22:11

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se organet shtetërore të ndjekjes duhet të merren me rastin e raportuar të shtënave me armë të zyrtarëve të lartë shtetëror, ndër ta edhe një zëvendëskryeministër.

Ministri Tahiri, më emisionin “Debat D” në RTV Dukagjini, duke komentuar videon që ka qarkulluar në media, e ku në një aheng shihen zyrtarë të lartë shtetërorë, ndër ta edhe zëvendëskryeministri Dardan Gashi duke shtënë me armë, ka thënë se janë pamje të pahijshme.

“Kjo nuk i bën nderë qeverisë së Kosovës. Ai është një shembull shumë i keq. Një zëvendësministër i Kosovës të shihet në pamje të tilla është mjaft e pahijshme dhe nuk mund të arsyetohet në asnjë rrethanë një pamje e tillë”, tha Tahiri.

Ai më tej shtoi se si ministër u bën thirrje institucioneve të marrin masa ndaj këtyre individëve.