Asamblistja e Nismës kalon në PDK

Aktuale December 06, 2017 - 22:04

Malsore Cakiqi nga Nisma ka aderuar në Partinë Demokratike të Kosovës.

Cakiqi ka thënë se ky kalim bëhet për arsye të shumta.

“Duke menduar se mund të bëjmë ndonjë ndryshim në komunën tonë, jemi anëtarësuar në Nisma për Kosovën. Për fat të keq, këtu në Nisma, zhgënjimin e patëm edhe më të madh. Në vend se të promovohen vlera të mirëfillta politike, u aktivizuan ndërskëmcat dhe hilet e papara”, ka theksuar ajo.

Njoftimi i saj i plotë:

Unë, asamblistja komunale e Drenasit, Malsore Cakiqi, kaloj në grupin e asamblistëve të PDK-së. Ky kalim nga Nisma në PDK bëhet për shkaqe të shumëta.

Familja jonë, Cakiqi, angazhimin tonë politik pas çlirimit e kemi ushtruar brenda subjektit politik të PDK-së derisa nuk u shprehën defekte të rënda të cilat i vlerësuam jodemokratike në kryesi të Degës në Drenas.

Duke menduar se mund të bëjmë ndonjë ndryshim në komunën tonë, jemi anëtarësuar në Nisma për Kosovën.Për fat të keq, këtu në Nisma, zhgënjimin e patëm edhe më të madh. Në vend se të promovohen vlera të mirëfillta politike, u aktivizuan ndërskëmcat dhe hilet e papara. Fatkeqësisht, edhe gati të gjithë profiterët dhe pazarxhinjtë politik të Drenasit, e lëshuan PDK-në dhe erdhën në Nisma.

Ata që ishin shkaktar të daljes tonë nga PDK-ja tash u anëtarësuan në Nisma, dhe po ata dallaverxhinj, filluan montime e mashtrime, presione e vjedhje të votave.

Po ata profiterë që jetojnë nga keqpërdorimi, pazari e mashtrimi me vota, çmos bënë që të pamundsohet zgjedhja ime deputete në asamble.

Në këtë gjendje, duke parë punën e jashtëzakonshme të kryetarit të komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, rikthimin e besimit të qytetarëve në institucione dhe zbatimin e ligjit, me bindje dhe vullnet, aderoj si asambliste nga grupi parlamentar i Nismës në PDK.

Konsideroj se grupi i asamblistëve të PDK-së, ka cilësi dhe kapacitet për ta bërë Drenasin më të mirë, qytetarët më të kënaqur me pushtetin lokal.

Me nderime për të gjithë qytetarët e Drenasit, në veçanti votuesit e mi, zotohem se do të jem besnike e interesave të të gjithë qytetarëve të Drenasit, duke denoncuar çdo punë që nuk është në të mirë të Komunës tonë apo në interes të vendit.

Me respekt Malsore Cakiqi

Image