A do të shkojë nesër Kadri Veseli për të dëshmuar kundër Albin Kurtit në gjykatë?

Aktuale December 06, 2017 - 18:18

Të enjten, në ora 9:00, është paraparë të mbahet seanca e radhës gjyqësore për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, ndaj katër deputetëve të VV’së, Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli. Në këtë seancë është thirrur si dëshmitarë edhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli. 

Nesër në Gjykatën Themelore të Prishtinës pritet të vazhdojë gjyqi ndaj katër deputetëve të VV’së të akuzuar për përdorim të gazit lotsjellës në Kuvend të Kosovës dhe pengim të personave zyrtarë në kryerjen e punës zyrtare. 

Seanca është caktuar të nisë në ora 09:00, raporton Gazeta Express. 

Të akuzuarit Albin Kurti dhe Donika Kadaj-Bujupi ndodhen në paraburgim, pasi nuk u janë bindur urdhëresave të gjykatës, duke mos u paraqitur në disa prej seanca të kaluara. Derisa Haxhiu e Topalli mbrohen në liri.

Në gjykatë, të enjten, në cilësinë e dëshmitarëve janë të ftuar Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli dhe dy deputetët e LDK’së, Armend Zemaj dhe Naser Osmani. Të tre këta nuk ishin paraqitur për të dhënë dëshmitë e tyre në seancën e kaluar, që u zhvillua para një jave. 

Për dallim prej tyre, në seancën gjyqësore të 1 dhjetorit kanë dëshmuar tre kolegët e tyre deputetë Flora Brovina, Blerta Deliu-Kodra, Xhavit Haliti të PDK’së dhe Nuredin Ibishi ish-deputet i LDK’së, shkruan Gazeta Express. 

Deputetja Blerta Deliu, dhe ish-deputeti Nuredin Ibishi, para gjykatës kishin deklaruar se kanë parë Albin Kurtin duke hedhur gazin lotsjellës në sallën e Kuvendit të Kosovës, derisa po mbahej seanca e 8 tetorit 2015. 

Ndryshe, katër deputetët Kurti, Kada-Bujupi, Haxhiu dhe Topalli akuzohen për hedhje të gazit lotsjellës dhe pamundësim të kryerjes së punës së Kuvendit të Kosovës në katër seanca parlamentare, në datat 8 tetor 2015, 15 tetor 2015, 23 tetor 2015 dhe 17 nëntor 2015. 

Kurti e Haxhiu akuzohen se veprimin e tyre e kryen të parët në seancën e 8 tetorit, sipas prokurorit Valdet Gashi. Në atë seancë, sipas aktakuzës, u lënduan deputetet Brovina e Deliu-Kodra. 

Tutje, Prokuroria pretendon se në seancën e 15 tetorit ishin dy të akuzuarit tjerë Faton Topalli e Donika Kadaj-Bujupi që përdoren gazin lotsjellës në Kuvend. E fundit veprim e përsëriti edhe më 23 tetor, sikurse edhe Albin Kurti, i cili sipas prokurorisë atë ditë edhe ka gjuajtur me shishe uji. Në të njëjtën ditë, pretendohet se Faton Topalli pasi ka refuzuar të kontrollohet nga sigurimi në Kuvend, bombolën me gaz e ka lënë në tualet të Kuvendit në katin e tretë, e cila u gjet me të dalë ai nga aty, nga pjesëtarët e Policisë.