Vonesat e termineve në Ambasadën Gjermane po ua humbasin punën kosovarëve (Dokument)

Aktuale December 06, 2017 - 17:13

Shtetasit e Kosovës që po gjejnë punë në Gjermani po përballen me problemin e sigurimit të terminëve për viza. E si rezultat i kësaj ata po humbin punën dhe po iu skadon kontrata. Lajmi.net sjell rrëfimin e dy personave që njëri ka humbur kontratën e punës në Gjermani e tjetri rrezikon ta humb, krejt kjo për shkak të vonesave në termine në Ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë.

L.S kishte fituar një vend pune në Gjermani dhe kishte marrë kontratën në email se mund të nis punën në shtetin më të zhvilluar evropian.

L.S kishte bërë termin në Ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë, por termini e kishte kaluar afatin e kontratës, e si rezultat kishte humbur punën dhe më nuk do të mund të shkonte.

 


Kërkesa për termin që e ka bërë L.S dhe 6 vulat që dëshmojnë se i është kërkuar të pret. Kërkesën për termin e ka dorëzuar më 22.02.2017.

Por L.S sërish kishte gjetur punë përmes internetit dhe ka marrë edhe kontratën e dytë. Por, ai rrezikon ta humb sepse nuk ka termine të lira në ambasadë.

L.S me profesion infermier, kishte shkuar 6 herë në Ambasadën Gjermane, për t’u informuar në lidhje me terminin për vizë punë, por që të gjitha përgjigjet ishin të njëjta: Prisni!

L.S rrëfen për lajmi.net se ka shpenzuar më shumë se 2 mijë euro derisa është përgatitur për të qenë pjesë e tregut të punës në Gjermani.

 

Kontrata e punës e L.S.

“Vetëm dokumente të noterizuara kam shpenzuar mbi 200 euro, dhe kam paguar kursin për gjuhën gjermane afër 2 mijë euro”.
L.S thotë se të gjitha këto do të ishin në rregull sikur të mos zvarritej kaq gjatë procedura.
“Kontratën e parë të punës që e mora më skadoi, sepse vonesat për termin në ambasadë ishin të stërzgjatura. Pas kësaj gjeta edhe punën e dytë, që rrezikoi ta humbas shkaku i vonesave për termin”.

“Gati 1 vit bëhen kur e kam dorëzuar kontratën e punës, lejën epunës dhe pasaportën në ambasadën gjermane, dhe ende nuk kam marrë përgjigje”, ka thënë për lajmi.net L.S.

 

Kjo është kërkesa e L.S që iu ka aprovuar për termin, por ende nuk ka marrë përgjigje.
“Sa herë që kam shkuar në ambasadë ma kanë vulosur dokumentin dhe më kanë thënë pritni, nuk ka asgjë”.

Edhe M.R me profesion infermier, rrezikon ta humb punën si shkak i vonesave të ambasadës.

Ai ka drojën që kompania që ka kontratë me të nuk do t’ia ruan vendin e punës nëse brenda 6 muajve nuk shkon në Gjermani për t’ia nisur punës.

E M.R vlefshmërinë e lejes së punës e ka 6 muaj, ndërsa termini mund t’i zgjas deri 8 muaj.

“Unë qe 2 muaj e kam bërë kërkesë për termin, ende nuk kam përgjigje, dhe kompania nuk është e sigurt nëse ma ruan vendin e punës, pasi qe unë ju kam thënë që deri në 6 muaj duhet me prit për termin.  

Kam informata se termini për vizë pune mundet me zgjat prej 6 deri 8 muaj, ndërsa leja e punës ka vlefshmërinë vetëm 6 muaj”, ka thënë M.R-ja për lajmi.net.

M.R thotë se mund ta humb vendin e punës, dhe detyrohet të kërkoj punë tjetër, që ka kosto shtesë dhe në fund mund të mos e marrë kontratën.

 


Kërkesa e M.R. për termin në Ambasadën e Gjermanisë

“Tash janë dy probleme, lejes se punës mundet t’i skadojë afati, dhe humbja e vendit të punës, që pastaj janë shpenzime shtesë për kërkim të vendit të punës, përkthim dhe noterizim të dokumentacioneve, dërgimi me poste etj., e që në fund mundet me rezultu që nuk më përzgjedhin për vendin e punës”.

Kontrata e punës e M.R.

Për vonesat në terminë kanë shkruar edhe mediat gjermane dhe po ashtu ka pasur një debat në Parlamentin Gjerman. Deputetët gjerman kanë marrë ankesa nga bizneset që po iu vonohen punëtorët nga Ballkani si shkak i terminit të vizave.

Ndryshe Kosova është vendi i vetëm në Ballkan që po përballet me problemin e vizave. Mos liberalizimi i vizave për Kosovën nga BE-ja po shkakton pritje të gjata para ambasadave dhe refuzim të vizave, po ashtu humbje të punës dhe mohimin e të drejtës për t’i vizituar vendet evropiane.

 

Image
Image
Image
Image