Topalli: Buxheti 2018, buxhet i mbijetesës

Aktuale December 06, 2017 - 10:40

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Topalli, ka thënë se buxheti i planifikuar për vitin 2018 nuk sjell kurrfarë ndryshimi për qytetarët. Përkundrazi sipas tij, ky buxhet është krejtësisht i njëjtë me ata të viteve paraprake, raporton “Zeri.info”.

“Nuk kemi ndryshime, sepse nuk kemi ndryshime të politikave ekonomike, z. ministër Buxheti që kemi është buxhet i mbijetesës, por jo i zhvillimit. Përsëritje e vitit 2017, 2016, 2015”, deklaroi ai gjatë seancës së sotme.

Topalli më tej, duke komentuar rritjet e prezantuara në këtë buxhet (të prezantuara dje nga qeveria), tha se një rritje e tillë nuk është aspak e mjaftueshme edhe po qe se realizohet.

“Rritja e paraparë është gjithsej 140 milionë euro. Rritja prej 140 milionë eurosh është një rritje jashtëzakonisht e vogël. Nëse këtë rritje e zbërthejmë në shifra, atëherë vitin që vjen secili banor i Kosovës do të përfitojë rreth 5 euro më shumë në muaj, 16 cent në ditë. Tani, ministër i financave thuaj qytetarëve se sa mund të ndryshojë gjendja me 16 cent në ditë?”, shtoi ai.

Topalli tutje, i bëri thirrje ministrit të Financave, Bedri Hamza, të tregojë se cilat janë ndryshimet krahasuar me vitet e kaluara, po qe se ka në këtë buxhet.

Ndërkohë, seanca për shqyrtimin e parë të projektbuxhetit për vitin 2018 u ndërpre dje, meqë nuk pati kuorum në sallë./Zeri