Aktuale

Kosova t’i plotësojë dy kushtet e BE-së për vizat

Kosova t’i plotësojë dy kushtet e BE-së për vizat
06 dhjetor 2017 • 08 : 02 Foto: Laura Hasani
Lavdim Hamidi
Arlinda Kqiku

Ambasadorja e Finlandës në Kosovë, Anne Huhtamäki, gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Zëri” ka deklaruar se Kosova dhe Bashkimi Evropian kanë rënë dakord për kushtet që duhen plotësuar për liberalizimin e vizave. Sipas saj, për të ndodhur liberalizimi është në dorën e Kosovës që t’i përmbushë dy kushtet e mbetura, demarkacionin me Malin e Zi, si dhe të dhënat e evidentuara kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, shkruan sot, gazeta Zeri.

Kosova dhe Bashkimi Evropian (BE) kanë rënë dakord për kushtet që duhen plotësuar për liberalizimin e vizave. Kanë mbetur vetëm edhe dy kritere të paplotësuara: Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi, si dhe të dhënat e evidentuara kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Bashkimi Evropian do t’i përmbahet marrëveshjeve të tyre, por tani shpresoj që Kosova t’i përmbushë kushtet për liberalizimin e vizave. Kështu ka deklaruar gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Zëri” ambasadorja e Finlandës në Kosovë, Anne Huhtamäki, duke shtuar se liberalizimi i vizave tani varet nga Kosova.

Gjatë kësaj interviste për “Zërin” diplomatja finlandeze ka porositur përfaqësuesit e palës kosovare dhe serbe që të kthehen në tryezën e negociatave në Bruksel, pasi që, sipas saj, dialogu ka ngecur muajt e fundit.

“Finlanda mbështet perspektivën e Kosovës për në BE dhe Finlanda mbështet dialogun e Beogradit dhe të Prishtinës, kështu që ne sugjerojmë kthim në tryezën e negacioneve”.

Ajo ka folur edhe për 100-vjetorin e Pavarësisë së Finlandës, të cilën e festojnë sot, duke thënë se përgjatë periudhës njëshekullore kanë arritur standard të lartë të jetesës për qytetarët e saj si rezultat i një ekonomie të zhvilluar, mirëqenie të duhur sociale, arsim të cilësisë së lartë, si dhe barazi gjinore. Të gjitha këto beneficione, sipas saj, i shfrytëzojnë edhe 10 mijë kosovarë që jetojnë në Finlandë..

Finlanda, shtëpia edhe e 10 mijë kosovarëve

Zëri: Znj. Ambasadore, Finlanda sot feston 100-vjetorin e Pavarësisë. Cila është rëndësia e kësaj feste dhe të arriturat më të mëdha përgjatë një shekulli për shtetin tuaj?

Huhtamäki: Kjo është një ditë shumë e rëndësishme për Finlandën, shumë e veçantë. Tema e 100-vjetorit të Finlandës është "Së bashku", ne festojmë me të gjithë miqtë e Finlandës jashtë dhe këtu në Kosovë. Pra, jo vetëm Finlanda feston, por të gjithë miqtë e Finlandës. Finlanda e ka fituar pavarësinë dhe e ka ruajtur gjatë kohëve të vështira, prandaj ne sot i kujtojmë dhe i vlerësojmë shumë gjeneratat tona të mëparshme. Burrat dhe gratë, qytetarët të cilët kanë punuar shumë dhe gjatë për ndërtimin e Finlandës dhe gjithashtu kanë paguar një çmim të lartë në luftë. Dhe ne po i përkujtojmë arritjet që kemi sot me punën e madhe që kemi bërë në standardet e larta të jetesës, ekonominë e fortë, mirëqenien e duhur sociale, arsimin e cilësisë së lartë dhe pastaj mundësitë e barabarta, barazinë gjinore, burri dhe gruaja kanë mundësi mjaft të barabarta në politikë dhe në punë, si dhe mundësi të barabarta në edukim. Kur po thosha se Finlanda po e feston këtë ditë të pavarësisë "Së bashku", do të doja të theksoja se në Finlandë ka 10 mijë kosovarë, tani Finlanda është shtëpia e tyre dhe ne po festojmë së bashku. Kur shikojmë arritjet e Finlandës në marrëdhëniet ndërkombëtare, Finlanda është një partner konstruktiv dhe aktiv në ruajtjen e paqes ndërkombëtare. Finlanda është anëtare e BE-së, një anëtare e Eurozonës me një interes për stabilitetin ndërkombëtar.

Të forcohet sundimi i ligjit

Zëri: Derisa Finlanda po e shënon 100-vjetorin e Pavarësisë, pas pak muajsh Kosova do ta shënojë 10-vjetorin e saj. Cilat vlerësoni se janë të arriturat kryesore të Kosovës gjatë dekadës së parë të funksionimit si shtet i pavarur, si dhe në cilat fusha duhet të përqendrohet më shumë vendi në të ardhmen, duke marrë parasysh përvojat e Finlandës?

Huhtamäki: Ju pyetët për 100-vjetorin e Finlandës dhe për 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Pra, mendoj se është një arritje e madhe e Kosovës. Kosova është një shtet i ri dhe ka arritur kaq shumë në vetëm dhjetë vjet. Kosova është duke ndërtuar institucione të reja për herë të parë dhe çfarë ka bërë për dhjetë vjet kjo është një arritje e madhe dhe gjithashtu do të doja të them se është një mundësi fantastike që të jetë në gjendje të ndërtojë diçka të re në shekullin 21. Kështu që ju keni një mundësi për të krijuar diçka të mirë, diçka të re dhe një fillim të mirë. Dhe arritja kryesore unë them se është pavarësia e ju keni arritur shumë për dhjetë vjet. Por unë do të doja që Kosova të përqendrohet më shumë në forcimin e mëtejshëm të sundimit të ligjit dhe shumë gjëra do të pasojnë pas kësaj.

Zëri: Në Finlandë rëndësi e madhe i jepet arsimit cilësor, si dhe ambientit të pastër, fusha këto ku Kosova ka probleme të mëdha. A duhet përqendruar këtu fokusi institucional si kusht për një shtet të zhvilluar, si dhe një shoqëri të shëndoshë?

Huhtamäki: Po unë pajtohem absolutisht me ju. Finlanda ka investuar prej kohësh në arsim, ne nuk kemi shumë burime natyrore, por gjithnjë kemi menduar se njerëzit janë burimet tona dhe kështu investojmë në edukimin e të rinjve, pasi rinia është shumë e rëndësishme. Kosova e ka fuqinë në njerëzit e rinj, ju keni një popullsi shumë të re dhe ata duhet të kenë një arsimim të mirë për të qenë konkurrues jo vetëm në Kosovë, por duhet të jenë konkurrues në Evropë dhe në nivel global. Mjedisi i pastër është diçka që Finlanda e vlerëson shumë. Finlanda qëndron shumë afër natyrës, ne jemi gjithmonë të lumtur kur mund të shkojmë në pyll. Kosova gjithashtu ka një natyrë të bukur, ju keni malet, keni pyjet, kujdesuni mirë për to sepse natyra e pastër është në të mirën e çdo qytetari dhe gjithashtu ka nevojë për punë dhe investime. Pra, mjedisi i pastër është diçka që çdo qytetar duhet të jetë në gjendje ta shijojë atë.

Zëri: Por ndotja e ajrit që shihni gjatë dimrit vjen kryesisht nga termocentralet. Si ta reduktojmë këtë ndotje, a duhet të investojmë më shumë në energji të pastër?

Huhtamäki: Unë do të sugjeroja që Kosova duhet të prodhojë energji në mënyrë të qëndrueshme dhe të rrisë ndërgjegjësimin e njerëzve në mbrojtjen e mjedisit dhe në mbajtjen e mjedisit të pastër në Kosovë.

Zëri: Personalitete të jetës publike në Finlandë janë angazhuar në zgjidhjen e statusit politik të Kosovës, përkatësisht presidenti Martti Ahtisaari. Kosova e ka pranuar propozimin e presidentit Ahtisaari, në bazë të të cilit në vitin 2008 e ka shpallur pavarësinë, por ajo vazhdon të kundërshtohet nga Serbia. Një dekadë pas shpalljes së pavarësisë a vlerësoni se pjesa më e madhe e këtij plani është duke u zbatuar?

Huhtamäki: E pra ka ende punë, por jam e lumtur që kosovarët vazhdojnë ende punën e presidentit Martti Ahtisaari. Kur u them në Kosovë që unë vij nga Finlanda, njerëzit thonë "Oh presidenti Ahtisaari, Finlanda, e njoh Finlandën" dhe ne duam ta mbajmë këtë trashëgimi. Është një plan i mrekullueshëm që presidenti Ahtisaari ishte në gjendje të prodhonte së bashku me bashkësinë ndërkombëtare, ku një pjesë e tij është zbatuar, por disa ende duhet të vihen në praktikë.

Zëri: Njëra nga dy temat kryesore në Kosovë aktualisht është Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe. Në Kosovë ka vlerësime se marrëveshja e nënshkruar në Bruksel mes palëve e tejkalon propozimin e presidentit Ahtisaari për Asociacionin. Cili është vlerësimi juaj për këtë çështje?

Huhtamäki: E pra siç emri thotë se është "Plani i Ahtisaarit" dhe është pranuar nga shumica, por përsëri është një plan dhe është në dorën e të gjitha palëve për ta vënë atë në praktikë dhe rezultati i tij sigurisht që varet nga të gjitha palët duke vënë atë në praktikë.

Zëri: Themelimin e Asociacionit e kundërshton opozita, si dhe më herët është kundërshtuar nga partia e kryeministrit Haradinaj duke thënë se ky Asociacion e bosnjëzon Kosovën. Cili është komenti juaj?

Huhtamäki: Kurrë nuk do t’i krahasoja në mënyrë direkte dy shtete, të gjitha vendet janë të ndryshme dhe tani varet nga Kosova për të vënë në vepër Planin e Ahtisaarit dhe kur flasim për normalizimin e marrëdhënieve Finlanda mbështet normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, Finlanda mbështet dialogun, kështu që edhe unë mendoj se kjo është diçka që mund të trajtohet me dialog mes dy vendeve. 

Zëri: Kosova është vendi i vetëm në Ballkan pa liri të lëvizjes në BE. Kjo e fundit si kusht për liberalizimin e vizave e ka përcaktuar miratimin e demarkacionit në Kuvend me Malin e Zi, gjë e cila vështirë se do të ndodhë. Si e shihni zgjidhjen për demarkacionin dhe a ka hapësirë për kompromise mes palëve?

Huhtamäki: BE-ja dhe Kosova kanë rënë dakord mbi kushtet për liberalizimin e vizave. Janë dy kushte të mbetura, njëra është Marrëveshja për Demarkacionin e Kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi dhe tjetra është të dhënat e evidentuara kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Pra, janë dy kushte të mbetura, kështu që BE-ja dhe Kosova kanë rënë dakord mbi këto kushte. Tani është në dorën e Kosovës që të kujdeset për këto marrëveshje.

Zëri:Kundërshtuesi më i madh i Marrëveshjes aktuale të Demarkacionit është pikërisht kryeministri Haradinaj. Me këtë qasje politike a rrezikojnë qytetarët e Kosovës të mbesin edhe një kohë të gjatë të izoluar pa mundësinë e lëvizjes së lirë drejt BE-së?

Huhtamäki: Kjo tani varet nga Kosova.


Zëri: Por qytetarët në Kosovë nuk kanë liri të lëvizjes?

Huhtamäki: Për kushtet e liberalizimit të vizave janë pajtuar BE-ja dhe Kosova, BE-ja do t’i përmbahet marrëveshjeve të tyre dhe tani shpresoj që Kosova do t’i përmbushë marrëveshjet dhe do t'i plotësojë kushtet, tani është në dorën e Kosovës.

Ushtria, sipas Kushtetutës

Zëri: Debati politik në Kosovë ka disa muaj që ka nisur rreth transformimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës. Si duhet të ndodhë një transformim i tillë?

Huhtamäki: Sigurisht që Kosova tashmë ka forcën e tyre të sigurisë që synon ta ndryshojë atë në një ushtri. Mendoj se duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën, kështu që Kushtetuta e Kosovës duhet të respektohet në këtë aspekt.

Zëri: Ditë më parë në Kosovë në vizitë ishte shefja e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale. A shihni tensionim të situatës politike në vend në prag të ngritjes së aktakuzave të para nga kjo Gjykatë?

Huhtamäki: Pra, më mirë tani të them se puna e Gjykatës sapo ka filluar dhe unë besoj se Dhomat Speciale do të bëjnë punë të paanshme dhe ata do të kujdesen që procesi të jetë i drejtë dhe i besueshëm. Është shumë herët për të interpretuar, puna sapo ka filluar.

Palët të rikthehen në tryezën e negociatave në Bruksel

Zëri: Si mendoni se mund të ndodhë normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. A do të kushtëzohet një gjë e tillë në kuadër të procesit integrues drejt BE-së për dy vendet?

Huhtamäki: Mendoj se mënyra më e mirë është të ktheheni në tryezën e negociatave. Finlanda mbështet perspektivën e Kosovës për në BE dhe Finlanda mbështet dialogun e Beogradit dhe të Prishtinës, kështu që ne sugjerojmë kthim në tryezën e negacioneve. Dialogu ka qenë i ngadalshëm, i ngadalshëm në muajt e fundit, kështu që shpresojmë që të dyja palët do të kthehen në tryezën e bisedimeve dhe gjithashtu të zbatohen në praktikë ato çështje që tashmë janë dakorduar, si dhe shumë marrëveshje të cilat nuk janë zbatuar, pra tani mesazhi është i njëjtë për të dyja palët.

  Zëri: Cila ka qenë ndihma kryesore e Finlandës përgjatë viteve të fundit për Kosovën dhe në çfarë projektesh jeni të fokusuar aktualisht?

Huhtamäki: Finlanda ka kontribuuar shumë në Kosovë, që nga puna e Martti Ahtisaarit dhe para së gjithash ka mbështetur Kosovën në menaxhimin e krizave. Finlanda ka kontribuuar gjatë viteve në KFOR duke ofruar trupat e saj dhe kjo përbën ndër operacionet më të larta që Finlanda ka kontribuuar, pastaj ka mbështetur sundimin e ligjit përmes EULEX-it. Finlanda ka ofruar shumë ekspertë për të punuar së bashku me kolegët kosovarë në sundimin e ligjit. Për shtatëmbëdhjetë vjet Finlanda ka pasur Bashkëpunim për Zhvillim me Kosovën si partner nga viti 1999 deri në vitin 2017 dhe 55 milionë euro janë kanalizuar në 17 vjet. Dhe veçanërisht do të doja të theksoja disa projekte të Bashkëpunimit për Zhvillim me të cilat Finlanda dëshiron të mbështesë punësimin dhe vetëpunësimin e kosovarëve të rinj, që ata të kenë një fillim të mirë në jetë dhe një fillim të mirë në vetëpunësim. Dhe në të ardhmen Finlanda do të punojë veçanërisht me Kosovën në projektet e binjakëzimit të BE-së. Projektet e binjakëzimit janë shkëmbimi i ekspertëve në mënyrë që ekspertët e saj t’i shkëmbejnë njohuritë, trajnimin e njëri-tjetrit, kolegët finlandezë dhe kosovarë të punojnë së bashku, prandaj kemi pasur projekte binjakëzimi të BE-së, binjakëzimin me BE-në në arsim dhe aktualisht kemi dy projekte binjakëzimi; njëri është KAPS-i në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, forcimin e trajnimit të sigurisë në Kosovë, dhe i dyti është një projekt i vazhdueshëm binjakëzimi i BE-së për shërbimet korrektuese dhe sprovuese për të punuar në mënyrë më efikase dhe për të dhënë më të mirën e tyre. Pra, projektet e binjakëzimit të BE-së do të jenë mënyra e ardhshme e bashkëpunimit.

Zëri: A ka interesim të investitorëve finlandezë për të investuar në fusha të caktuara në Kosovë dhe cili është shqetësimi kryesor i tyre?

Huhtamäki: E pra, ende ka shumë pak tregti midis Finlandës dhe Kosovës. Kjo është arsyeja pse një rrjet bashkëpunimi kosovaro-finlandez është krijuar në Finlandë dy vjet më parë, kështu që mendoj se tregtia dhe investimet do të fillojnë me investime të vogla, tregtia me kompanitë e vogla në fillim, ndërsa shqetësimi kryesor është mjedisi i parashikueshëm kështu që transparenca është shumë e rëndësishme dhe pastaj nëse diçka shkon keq, gjykatat në Kosovë duhet të jenë në gjendje të punojnë me efikasitet. Pra, mjediset e biznesit dhe transparenca janë dy gjërat që kompanitë kërkojnë dhe vlerësojnë përpara se të marrin vendimet për të investuar.

Zëri: Kosova ka përmbyllur procesin e zgjedhjeve të fundit lokale përderisa asnjë kryetare femër nuk ka arritur ta fitojë besimin e votuesve. A vlerësoni se partitë politike në Kosovë nuk u japin sa duhet hapësirë femrave?

Huhtamäki: Gjatë këtij viti të fundit kanë qenë tri runde zgjedhjesh dhe unë kam monitoruar dy nga ato dhe është një hap pozitiv që ditët e zgjedhjeve kanë qenë paqësore dhe procesi zgjedhor po përmirësohet, po përmirësohet çdoherë krahasuar me të kaluarën, natyrisht se ende nevojitet kohë për përmirësime, siç janë listat e votuesve, por gjërat po lëvizin përpara dhe procesi elektoral po bëhet gjithnjë më i mirë. Dhe natyrisht gjatë viteve të mia në Kosovë kam takuar gra shumë të fuqishme në pozita publike, në Parlament, në jetën e biznesit, në komuna dhe natyrisht dëshiroj që gratë të kenë të drejtën e fuqishme të votës në jetën politike dhe në jetën ekonomike. Kështu në këtë drejtim burrat dhe gratë duhet të punojnë fuqishëm, prandaj shpresoj që gruaja të vazhdojë të punojë për Kosovën dhe të dyja gjinitë të sigurohen se ka përfaqësim të burrit dhe të gruas në organe të ndryshme, kështu që shpresoj se do të shoh edhe më shumë gra në pozita politike edhe në të ardhmen.

© zëri.info