Kontestohet kufiri!

Aktuale December 05, 2017 - 07:54

Raporti i final i Komisionit Shtetëror për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi, i cili dje është prezantuar në Qeveri dhe është proceduar në Kuvend, është kritikuar ashpër nga partneri i madh i koalicionit qeverisës (PDK-ja), si dhe nga partia e ish-kryeministrit Isa Mustafa, sipas të cilëve, ky Komision nuk e ka sjellë asnjë fakt të ri për kufirin. Megjithatë raporti është përkrahur nga kryeministri Haradinaj, pasi që, sipas këtij të fundit, vërteton pretendimet e deritashme se Kosova me versionin e tanishëm të marrëveshjes humb territor, shkruan sot "Zëri"
 

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që Marrëveshjen aktuale të Demarkacionit (të nënshkruar para më shumë se dy vjetësh) ta dërgojë në Kuvend. Bashkë me të Qeveria ka vendosur që në Parlament ta nisë edhe raportin përfundimtar të Komisionit të Ri Shtetëror për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi (të drejtuar nga Shpejtim Bulliqi).

Kjo pasi gjatë ditës së djeshme ky komision prezantoi para Qeverisë raportin final për vlerësimin e punës së Komisionit paraprak, me ç’rast konstatoi se Kosova humb territor nga versioni i tanishëm.

Sipas anëtarëve të Komisionit të Ri, ish-Komisioni i drejtuar nga Murat Meha e ka zhvendosur kufirin mes Kosovës e Malit të Zi.

Mirëpo, pavarësisht këtyre të gjeturave dhe pavarësisht se partia e kryeministrit Haradinaj (AAK) po vazhdon të insistojë që versioni aktual i shkakton humbje territorit të shtetit të Kosovës, partneri tjetër i koalicionit qeverisës, PDK-ja, po vazhdon të ngulë këmbë në të kundërtën. Sipas përfaqësuesve të këtij subjekti, Komisioni aktual nuk ka sjellë kurrfarë fakti të ri, përkundrazi, ka komplikuar më shumë situatën.

Ata madje kanë bërë të ditur se do ta votojnë këtë version në momentin që do të shkojë në Kuvend. Kurse përfaqësuesit e lëvizjes “Vetëvendosje”, ndonëse përshëndesin konkludimet e Komisionit të Ri, thonë se nuk pajtohen me vendimin e Qeverisë që raportin ta dërgojë në Kuvend bashkë me marrëveshjen aktuale.

Bulliqi: Ish-Komisioni ka përcaktuar vijë të re kufitare

Kryetari i Komisionit për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi, Shpejtim Bulliqi, duke prezantuar raportin përfundimtar dje para Qeverisë, ka thënë se ish-Komisioni, i drejtuar nga Murat Meha, ka përcaktuar vijë të re kufitare mes Kosovës e Malit të Zi.

“Ish-Komisioni ynë ka tejkaluar kompetencat e veta, duke i lejuar vetes t’i futet përcaktimit të vijës së re mes Kosovës dhe Malit të Zi pa një marrëveshje ndërkombëtare paraprake. Kjo për faktin se në marrëveshjen e nënshkruar është thënë se çështja e demarkacionit është lënë të kryhet brenda dy vjetëve pasi të hyjë në fuqi kjo marrëveshje. Ish-Komisioni ynë ka qenë i thirrur ta shënjojë vijën e dikurshme kufitare dhe në asnjë mënyrë të shënjojë vijë të re kufitare me Malin e Zi”, ka deklaruar Bulliqi.

Me këtë rast Bulliqi ka thënë se Komisioni i Ri ka konstatuar se vija kufitare e përcaktuar nga ish-Komisioni nuk përputhet me vijën administrative.

“Në punën e ish-Komisionit Komisioni konstaton në mënyrë unanime se vija kufitare në Marrëveshjen për Kufirin mes Kosovës dhe Malit, të 26 gushtit 2015, nuk është në përputhje me vijën administrative kufitare të ish-krahinës socialiste autonome të Kosovës”, ka shtuar ai.

LEXO EDHE: Ndërkombëtarët: Miratojeni Demarkacionin, është i saktë!

Hoxhaj: Komisioni vetëm e ka komplikuar situatën

Pas këtij raportimi ka reaguar menjëherë zëvendëskryeministri (nga PDK-ja) Enver Hoxhaj, i cili gjatë mbledhjes së Qeverisë tha se ky komision nuk ka sjellë asnjë fakt të ri.  

“Meqë jemi në një takim shumë të rëndësishëm dhe disa herë kishte sqarime të caktuara, më lejoni t’ju falënderoj për punën që keni bërë si komision. Në takimin e parë që kam pasur kryeministër me ju ka qenë që të gjendet e vërteta dhe vetëm e vërteta. Unë dëgjova vlerësime të përgjithshme, por jo ndonjë provë materiale, jo ndonjë fakt konkret. Nuk ishit konkretë, nuk pashë ndonjë qartësi të re”, ka deklaruar ai.

Hoxhaj më tej tha se Komisioni aktual në vend se ta zgjidhë e ka komplikuar më shumë situatën.

“Sot e kam përshtypjen që e keni komplikuar edhe më shumë situatën”, theksoi ai. 

Kjo bëri që të kundërpërgjigjet kryetari Bulliqi, i cili tha se puna e Komisionit nuk është ta akuzojë askënd, por ta publikojë të vërtetën.

“Esenca dhe puna jonë nuk është që ta akuzojmë askënd, ne nuk kemi ardhur ta qesim para gjyqtarit askënd, ne kemi punuar për ta nxjerrë një të vërtetë. Jemi shumë të brengosur për gjendjen në të cilën jemi”, nënvizoi ai.  

Haradinaj: Raporti i komisionit kredibil, i hartuar nga profesionistët

Por pavarësisht këtyre, krejt në fund të kësaj kabineti qeveritar miratoi raportin e Komisionit të ri bashkë me Marrëveshjen aktuale të Demarkacionit. Me këtë rast kryeministri Ramush Haradinaj bëri të ditur se këto materiale do t’i dërgohen Kuvendit në vijim.

“Konstatoj që Marrëveshja për Shënjimin e Kufijve dhe raportimi i Komisionit Shtetëror i kalojnë për shqyrtim Parlamentit të Kosovës”, deklaroi Haradinaj.

Ndërkohë, pas mbledhjes së Qeverisë Haradinaj ka vlerësuar se raporti i Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit është kredibil, i hartuar nga njerëz profesionistë.

Sipas tij, ky raporton vërteton pretendimet e deritashme se Kosova me versionin e tanishëm humb territor.

Shefi i ekzekutivit më tej ka thënë se ky komision ka vërtetuar se territori i Kosovës është deri në Kullë.

“Komisioni Shtetëror e ka argumentuar fuqishëm parimin uti possidetis juris, me çka dëshmohet se deri në Kullë dhe në Zhlep territori është menaxhuar nga Kosova. Vetëm 17% e territorit të Malit të Zi, deri më 2013-ën, është përfshirë në regjistrat kadastralë të kësaj republike”, ka shtuar ai.

Thaçi fton deputetët që ta votojnë versionin aktual të Demarkacionit

Pavarësisht kryeministrit presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ftuar deputetët që ta votojnë versionin aktual të Marrëveshjes së Demarkacionit, pavarësisht se Komisioni ka konstatuar se sipas këtij versioni Kosova ka humbur territor.

“E mirëpres dhe përgëzoj Qeverinë e Republikës së Kosovës për vendimin e sotëm për ta proceduar për ratifikim në Kuvendin e Republikës së Kosovës Marrëveshjen për Shënimin e Vijës Kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi. Dua të besoj në vullnetin politik dhe shtetëror të përfaqësuesve të zgjedhur të qytetarëve, por njëkohësisht ftoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, pavarësisht përkatësisë partiake të tyre, që të jenë të bashkuar në ratifikimin e kësaj marrëveshjeje ndërshtetërore”, ka thënë ai.

Kjo meqë, sipas të parit të shtetit, miratimi i kësaj marrëveshjeje çon edhe deri te liberalizimi i vizave për Republikën e Kosovës.

“Ratifikimi i Marrëveshjes për Shënimin e Vijës Kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi i jep fund izolimit të vendit tonë, duke mundësuar heqjen e regjimit të vizave, por edhe e forcon subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit tonë”, ka shtuar ai.

Thaçi më tutje ka thënë se me vendimin që Demarkacioni të shkojë në Kuvend marrin fund të ashtuquajturat “debatet shterpë akademike” (se kinse Kosova humb territor).

Veseli: Marrëveshja duhet të kalojë, vota jonë është pro

Nga ana tjetër, pavarësisht se kryeministri Haradinaj (AAK) është deklaruar kundër Marrëveshjes aktuale, lideri i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se partia e tij do ta votojë versionin aktual të Marrëveshjes së Demarkacionit.

“Marrëveshja duhet të kalojë dhe vota jonë është pro, siç e kemi thënë në vazhdimësi.

Izolimi i qytetarëve tanë duhet të marrë fund. Presim nga Bashkimi Evropian liberalizimin e vizave”, ka deklaruar Veseli pas kësaj.

Po ashtu i pari i PDK-së ka përshëndetur vendimin e Qeverisë që këtë Marrëveshje ta dërgojë në Kuvend.

“Përshëndes vendimin e Qeverisë për ta sjellë në Kuvend Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi. Qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës është i qartë”, ka theksuar ai.  

Haxhiu: Në Kuvend do të duhej të dërgohej vetëm raporti, Marrëveshja të tërhiqej

Ndërkaq deputetja e lëvizjes “Vetëvendosje”, Albulena Haxhiu, duke folur rreth vendimit të Qeverisë që ta dërgojë në Kuvend Marrëveshjen dhe raportin e Komisionit, ka thënë se LVV-ja nuk e ka të qartë këtë vendim.

Porse, sipas saj, nëse Qeveria ka vendosur që versionin aktual dhe raportin t’i dërgojë bashkë në Kuvend, atëherë një gjë e tillë nuk do ta pranohet.

“Ne ende nuk kemi informacione të qarta se çka ka dërguar Qeveria në Kuvend. Nuk e kemi të plotë raportin e këtij komisioni, ndonëse jemi të bindur, ashtu edhe kemi dëgjuar, që është vërtetuar që Kosova ka humbur territor me Marrëveshjen e 6-të gushtit 2015. Ajo çfarë ne nuk e kemi të qartë është se a e ka dërguar Qeveria projektligjin që përmban Marrëveshjen aktuale të versionit të Demarkacionit. Nëse Qeveria së bashku me raportin e Komisionit ka dërguar edhe Marrëveshjen aktuale, atëherë kjo është një gjë e papranueshme për lëvizjen ‘Vetëvendosje’”, ka deklaruar ajo, duke shtuar se kjo marrëveshje do të duhet të tërhiqej nga kryeministri.

Kjo meqë në Kuvend do të duhej të nisej vetëm raporti i Komisionit Shtetëror.

“Do të duhej të dërgohej vetëm raporti, që ai raport të diskutohej edhe një herë, në mënyrë që deputetët që kanë ende mëdyshje për këtë gjë të binden që Hashim Thaçi ka nënshkruar një marrëveshje që fal territor”, ka theksuar ajo.

Megjithatë, Haxhiu e ka konsideruar si lajm pozitiv konstatimin e raportit të ri, meqë me një gjë të tillë konstatohet sërish se Kosova humb territor nga Marrëveshja aktuale.

“Pra, ne si LVV presim që ta marrim raportin dhe është lajm i mirë që është vërtetuar me fakte edhe një herë që Kosova ka humbur territor. Po them lajm i mirë për faktin se sot ende dëgjoj zyrtarë të PDK-së që thonë të votohet Marrëveshja që fal territor”, ka shtuar ajo.

Baraliu: Miratimi i raportit nga Qeveria, lajm i mirë

Nga ana tjetër njohësi i çështjeve politike, Mazllum Baraliu, raportin e Komisionit të Ri e ka cilësuar si një përpjekje serioze të anëtarëve, të cilët e kanë dëshmuar edhe më parë që Kosova ka humbur territor nga versioni i tanishëm.

“Çdo qytetar që gjykon në esëll e di nga ajo që është bërë e njohur nga shkrimet dhe studimet se Kosova ka humbur territor pas atij Komisionit të mëhershëm”, është shprehur ai.

Baraliu më tej ka thënë se miratimi i Qeverisë për raportin në fjalë paraqet një lajm të mirë. Andaj deputetët duhet të mendojnë para se ta votojnë Marrëveshjen aktuale (kur të kalojë në Kuvend).

“Tash mbetet Kuvendi që ta analizojë mirë, duhet që secili deputet i Kuvendit të mendojë me përgjegjësi se si po voton. Është lajm i mirë që Qeveria ka miratuar raportin, që raporti ka konstatuar lëshimet e atij Komisioni të mëparshëm dhe ka dhënë rekomandimet e tij”, ka shtuar ai.

Maliqi: Kundërshtitë ndaj demarkacionit, të pabazuara

Pavarësisht tij, analisti politik Agon Maliqi ka thënë se kundërshtimet ndaj procesit të demarkacionit kanë ardhur si rezultat i motiveve politike.

Sipas tij, kryeministri Haradinaj tashmë e ka të vështirë të largohet nga qëndrimi i tij kundërshtues.

“Tani Kuvendit i mbetet të vendosë mes gjykimit të këtij Komisioni dhe fjalës së dy komisioneve të tjera (njëri prej të cilëve ndërkombëtar). Mendimi im është se kundërshtitë ndaj procesit nuk kanë qenë të bazuara në logjikën e së drejtës ndërkombëtare dhe se kundërshtia ka nisur më shumë për motive të politikës së përditshme, prej të cilave tani Haradinaj me gjasë e ka të vështirë të tërhiqet”, ka deklaruar ai për Zërin.

Maliqi më tej ka thënë se deputetët e Kuvendit duhet që sa më shpejt ta miratojnë Demarkacionin.

Kjo meqë Kosova nuk meriton të izolohet për një kauzë të paqenë. /ZËRI/