Ende nuk nis ndarja e drejtësisë në Gjykatën Themelore të Mitrovicës

Aktuale December 04, 2017 - 08:20

Kryetari i Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Nikolla Kabashiq, ka thënë se ende nuk janë ndarë lëndët sepse ka mbetur të mblidhen të gjitha në një vend dhe të ndahen ato të cilat do të mbeten këtu dhe ato të cilat do të dërgohet në Serbi. 26 gjykatës dhe 13 prokurorë serbë zotohen se do të bëjnë gjithçka që në veri të ndodhë drejtësia, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Më shumë se një muaj pas fillimit të punës së Gjykatës Themelore të Mitrovicës me gjykatës serbë e shqiptarë, sipas Mrrëveshjes së Brukselit për Gyqësorin e Itegruar drejtësia në Gjykatën Themelore të Mitrovicës end nuk ka filluar të ndahet.

26 gjykatës dhe 13 prokurorë serbë, të cilët janë integruar në sistemin kosovar të drejtësisë, janë zotuar se do të bëjnë çmos që në veri të ndodhë drejtësia.

LEXO EDHE: Gjykata Speciale në proces të akreditimit të avokatëve

Gjykatësit serbë kanë thënë se edhe pas një muaji nga fillimi i punës dhe funksionalizimi i gjykatës ende nuk janë ngarkuar me lëndët që do t’i trajtojnë.
Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës janë mbledhur shumë lëndë, të cilat nuk janë trajtuar për shumë vjet dhe me to do të merren gjykatësit e rinj, të cilët janë betuar para presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, shkruan tutje "Zëri".

Por ka lëndë të natyrave të ndryshme, sidomos lëndë penale të cilat do të dërgohen në Serbi, në gjykatat e atjeshme që do t’i nënshtrohen trajtimit sipas sistemit serb të drejtësisë.

Kryetari i Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Nikolla Kabashiq, ka thënë se ende nuk janë ndarë lëndët dhe se ka akoma punë që të ndahen lëndët të cilat do të mbesin këtu dhe lëndët të cilat do të përcillen në Serbi.

Ai ka thënë gjithashtu se që nga 24 tetori kur gjykatësit dhe prokurorët serbë kanë nënshkruar deklaratat për integrim në sistemin kosovar të drejtësisë kanë pushuar punën të gjitha gjykatat paralele në Kosovë.

“Tash duhen mbledhur të gjitha në një vend të shikohen çka duhet të dorëzohen këtu e çka duhet të dërgohen në Serbi. Gjykatat paralele kanë pushuar që nga 24 tetori, vulat e gjykatave paralele janë bllokuar dhe nuk janë në përdorim”, ka siguruar Kabashiq.

Edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Dellawie, ka thënë se ka ende shumë punë për të bërë që ndarja e drejtësisë në veri në Gjykatën Themelore të Mitrovicës të fillojë.

“Ende ka punë për të bërë që gjyqtarët në veri të nisin ndarjen e drejtësisë. Kemi mundësinë që të kemi përparime dhe që t’i trajtojmë mangësitë e sistemit, të cilat kanë të bëjnë me gjyqësorin. Integrimi i gjyqtarëve serbë ishte një e arritur e madhe për të gjithë qytetarët sepse ndarja e barabartë në ligj është e drejtë themelore e demokratike”, ka thënë ambasadori Dellawie.

E ndërkaq Tomisllav Petroviq, gjykatës, ka konfirmuar se akoma nuk janë ngarkuar me lëndë, por që shpejt kjo do të ndodhë.

“Gjykata do të japë gjithçka nga vetja që të ndodhë drejtësia, ashtu siç ndodh në vendet moderne, demokratike, evropiane”, tha Petroviq, ndërkaq avokati Lubomir Pantoviq theksoi se integrimi i gjyqtarëve dhe i prokurorëve serbë në sistemin kosovar të drejtësisë është rast i mirë që pas 19 vjetësh paligjshmëri të shkohet në drejtim të një shoqërie të rregulluar, në të cilën do të sundojë ligji dhe e drejta.

“Është obligim i të gjithë neve që këtu jetojmë publikisht të tregojmë se është shumë i rëndësishëm ky proces dhe që publikisht e hapur ta përkrahim gjyqësorin e integruar në këto hapësira. Kemi 26 gjykatës dhe 13 prokurorë në sistemin gjyqësor në Kosovë.  Para integrimit nuk ka pasur fare serbë në sistemin e drejtësisë së Kosovës dhe për këtë arsye integrimi është gjë e madhe. Ky  proces ka qenë dashur të ndodhë shumë më herët”, ka thënë avokati Pantoviq. 

Ndërkaq Dushan Radakoviq, drejtor i organizatës ACDC, ka deklaruar se më në fund ka njerëz me integritet dhe të dijshëm në fushën e drejtësisë, të cilët do të kontribuojnë që të jetësohet sundimi i ligjit edhe në veri të Kosovës.

“Ka probleme, por ne jemi këtu si organizatë dhe si qytetarë të ndihmojmë që gjykata të ringjallet në mënyrën më të mirë të mundshme. Si organizatë punojmë qe 6 vjet në këtë temë dhe konsiderojmë se integrimi është shumë i rëndësishëm për të gjithë ne që jetojmë në këto hapësira”, ka thënë mes tjerash Radakoviq.