AKP më e fortë se Qeveria, s’ia zbaton vendimet

Aktuale December 03, 2017 - 13:36

Kryeministri i Republikës, Ramush Haradinaj, po tregohet i pafuqishëm edhe përballë Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Kjo Agjenci po vazhdon të mos e zbatojë një vendim të Qeverisë për t’i ndalur privatizimin e tokave bujqësore. Në këtë mes është përfshirë edhe Presidenti Hashim Thaçi i cili ka dalë kundër Qeverisë dhe pro AKP’së. Ministri i MTI’së, Bajram Hasani, ka paralajmëruar masa ndaj Bordit të AKP’së që i përfundon shpejt mandati.

Qeveria e udhëhequr prej Ramush Haradinajt ka dështuar të detyrojë Agjencinë Kosovare të Privatizimit për të ndalur privatizimin e tokave bujqësore, ani pse, vendimin për këtë stopim e ka marrë më 10 tetor.

“Obligohet AKP që të zbatojë vendimin në përputhje me Legjislacionin në fuqi”, thuhet në vendimin obligues të Haradinajt dërguar AKP’së.

Sponsorizuesi i vendimit për të ndalur privatizimin, Ministri Bajram Hasani, ka thënë se do të marrin masa nëse AKP vazhdon të mos e zbatojë vendimin e Qeverisë.

“Ndonëse në AKP kanë këmbëngulur për moszbatimin e këtij vendimi, unë mendoj se ata duhet ta zbatojnë këtë vendim  sepse jo vetëm AKP por të gjitha institucionet duhet të punojnë konform planit të Qeverisë dhe t'i zbatojë politikat e saj”, ka thënë Hasani, për Express.

Ky zyrtar i Qeverisë së Kosovës ka treguar se AKP s’e ka zbatuar vendimin as për ndaljen e valës së fundit të privatizimit të tokave bujqësore.

“Unë jam shumë i shqetësuar MTI i ka dërguar letër prapë AKP-së që ta zbatojë vendimin dhe të anulojë valën e fundit të privatizimit” thotë Hasani. Sipas tij, vendimi për pezullimin e privatizimit të tokave është marrë me qëllimin më të mirë që tu krijohen mundësi investimi, investitorëve strategjikë”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, AKP nuk është përgjigjur se a ka bazë ligjore vendimi i Qeverise për ndaljen e privatizimit të tokave bujqësore. Por, kanë dhënë përgjigje përgjithësuese. Kanë thënë se janë duke u munduar të gjejnë një modalitet për zbatimin e vendimit të Qeverisë duke respektuar mandatin e AKP’së.

“...Agjencia ka mbajtur disa takime me përfaqësues të Qeverisë, ku si temë diskutimi ka qenë koordinimi i veprimeve me qeverinë dhe gjetja e një modaliteti për zbatimin e këtij vendimi, por duke pasur parasysh mandatin e AKP-së. Për më tepër, AKP ka shprehur edhe më herët gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar me qeverinë për të siguruar që asetet të cilat mund të konsiderohen atraktive për investitorë strategjikë të mos privatizohen pa konsultime paraprake”, thuhet në përgjigjen e AKP’së.

Më tej në përgjigje thuhet se do të koordinohen me Qeverinë për inicimin e privatizimeve të reja dhe shitjen e aseteve.

Presidenti kundër Qeverisë, pro AKP’së

Zyrtarë të Presidencës së Kosovës kanë konfirmuar një takim që Hashim Thaçi ka zhvilluar me anëtarët e Bordit të Agjencisë së Privatizimit. Në këtë takim Presidenti kishte përkrahur idenë e AKP’së që mos të ndalet privatizimi me vendimin e Qeverisë.

“Presidenti ka thënë se AKP duhet të veprojë vetëm sipas ligjit”, ka thënë një zyrtar i Presidencës.

Ndërkohë, edhe AKP e ka konfirmuar takimin e anëtarëve të Bordit me Presidentin. Kanë thënë se me Hashim Thaçin kanë folur për rritjen e zhvillimit ekonomik përmes privatizimit.  Nuk janë përgjigjur se cili ka qenë qëndrimi i Presidentit për vendimin e Qeverisë për ndaljen e privatizimit të tokave bujqësore.

“Agjencia mban kontakte të rregullta me të gjitha Institucionet e Republikës së Kosovës pra edhe me Institucionin e Presidentit të Republikës së Kosovës në përpjekjet dhe angazhimin për të arritur efektet maksimale në zhvillimin ekonomik të vendit përmes procesit të privatizimit”, thuhet më tej në përgjigjen e AKP’së dërguar Gazetës Express, më 30 nëntor derisa pyetjet u kishin shkuar më 23 nëntor.

Edhe në mbledhjen e Qeverisë, kur është miratuar vendimi për ndaljen e procesit të privatizimit të tokave bujqësore, ka pasur kundërshtime nga ana e Ministrave të PDK’së. Burime të Express kanë treguar se përplasja e Qeverisë me AKP’në po ndodh pikërisht pse disa anëtarë të Bordit të kësaj agjencie janë duke mos pranuar të zbatojnë një vendim i sponsorizuar nga Qeveria e udhëhequr prej Ramush Haradinajt.

Më herët, në Qeverinë e kaluar, ishte propozuar që të hartohej një Ligj i cili do t’i bënte prona të shtetit të gjitha tokat bujqësore të paprivatizuara.  Prej pasluftës deri tash janë privatizuar diku rreth 28 mijë hektarë tokë bujqësore. 

 

Image