Përmbytjet shkatërrimtare, Prokuroria nis hetimin për autostradën Tiranë-Durrës

Aktuale December 03, 2017 - 09:05

Përmbytja e autostradës Tiranë-Durrës, në të cilën u dëmtuan dhjetëra automjete dhe rrezikuan jetën shumë qytetarë, do të jetë objekt i një hetimi nga Prokuroria e Tiranës.

Ky ka qenë deklarimi që prokurori i Prokurorisë së Tiranës, Ervin Karanxha, ka bërë pasi inspektoi dëmtimet që kanë pësuar banorët e zonës dhe qytetarët në autostradën Tiranë-Durrës, shkruan “Panorama”.

Sipas prokurorit, për këtë ngjarje do të regjistrohet një inspektim penal dhe organi i akuzës do të jetë i hapur për çdo denoncim nga qytetarët, që janë dëmtuar nga përmbytjet në këtë segment rrugor.

Objekt i hetimit do të jenë edhe palmat e mbjella nga qeveria, për të saktësuar nëse ndikuan apo jo në përmbytjen e autostradës.

 “Do verifikohet nëse ka apo jo elementë të veprës penale që shkaktuan përmbytjet, gjithmonë në koordinim me Policinë e Shtetit. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, do saktësohen se cilat janë ndërtimet pa leje dhe cilat janë me leje, për të provuar se kush ka sjellë dëmin. Edhe palmat do të jenë objekt hetimi, por ne këtu, tek vendi i përmbytjes, nuk shohim ndonjë palmë. 

Ne flasim për pjesën ku është shkaktuar dëmi.Objekt i verifikimit do të jenë të gjitha shqetësimet e qytetarëve. 

Do regjistrohet një kallëzim penal dhe do të verifikohen të gjitha. 

Ne jemi të hapur. Çdo person që ka pasur përmbytje, të paraqitet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vlerën e dëmit, çfarë dëmi i është shkaktuar nga ngjarja e ndodhur”, deklaroi Karanxha.