Haradinaj i ofron Shqipërisë ndihmën e FSK-së

Aktuale December 02, 2017 - 18:06

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka ofruar ndihmë shtetit shqiptar pas vërshimeve shkatërruese të ditëve të fundit që ndodhën në vend.

Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë t’i ketë ofruar Shqipërisë ndihmën e gjithanshme të institucioneve të Kosovës pas përmbytjeve nga shirat e rrëmbyeshëm që kanë përfshirë Shqipërinë.

“I ofrova Republikës së Shqipërisë ndihmen e gjithanshme të institucioneve të Kosovës pas përmbytjeve nga shirat e rrëmbyeshëm që kanë përfshirë Shqipërinë. E udhëzova Ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për t’i dalë në ndihmë shtetit shqiptar dhe banorëve të zonave të përmbytura”, ka shkruar ai.

Më herët gjatë ditës, edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një bisedë telefonike me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme të ndihmojë rreth vërshimeve në shtetin shqiptar.

Ndërsa sot, Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, ka dërguar në Shqipëri për mbështetje në operacionet e shpëtimit pesë ekipe të shpëtimit dhe tre ekspert për vlerësimin e situatës.