Tahiri: Pakoja e ligjeve për gjyqësorin së shpejti në agjendën e Kuvendit

Aktuale December 02, 2017 - 14:10

 Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, përmes një statusi në Facebook, ka bërë të ditur se shumë shpejt pakoja e ligjeve për gjyqësorin do të jetë në agjendën e Kuvendit, meqenëse tashmë janë në përfundim të draftimit të tyre.

Sipas ministrit Tahiri, qëllimi i këtyre ligjeve është konsolidimi i një politike unike që adreson çështjen e përgjegjësisë dhe llogaridhënies së gjyqësorit.

‘Krahas masave direkte, edhe rishikimi funksional i sektorit të sundimit të ligjit do na ndihmojë për të evituar çdo deficit të mundshëm që lidhet me punën e gjykatave. Këtë diskurs, e ndava gjatë Konferencës së Gjykatave, me ë’rast falënderova Këshillin Gjyqësor për bashkëpunimin e mirëfilltë institucional. Ndonëse pushtete tërësisht të ndara, pikësynimin e kemi të përbashkët, prandaj unë do jem përherë i gatshëm për të ofruar përkrahjen time të plotë për çdo proces që është në funksion të shtetit ligjor. Jam i lumtur që gradualisht po krijojmë një moment të ri në fushën e drejtësisë, për ta fuqizuar sundimin e ligjit dhe për ta ngritur shtetin e së drejtës aty ku duhet të jetë ‘ ka shkruar ministri Tahiri.