Qeveria: Liberalizimi, më shpejt se pritjet e pesimistëve

Aktuale November 30, 2017 - 12:37

Ramush Haradinaj kishte premtuar se tre muaj pasi të zgjidhet kryeministër Kosovës do t’i hiqen vizat me Bashkimin Evropian.

Javën tjetër bëhen tre muaj të qeverisë “Haradinaj”, ndërsa vizat për Kosovën ende nuk janë hequr. Gjasat janë që izolimi i vendit të vazhdojë gjatë për shkak të mosmiratimit të Marrëveshjes së Demarkacionit në Kuvend.

“Qeveria e Kosovës e ka përshpejtuar adresimin e çështjes së demarkacionit të kufirit duke lëvizur përpara me veprime konkrete nga pika zero, ku ka stagnuar që nga viti 2014. Liberalizimi i vizave do të ndodhë më shpejt sesa pritjet e pesimistëve”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Komunikim të kryeministrit Haradinaj për gazetën “Zëri”.

Më tutje në përgjigjet e kësaj zyre thuhet se kryeministri Haradinaj po punon për zbatimin e MSA-së dhe për marrjen e statusit kandidat të BE-së.

“Qeveria e Republikës së Kosovës dhe kryeministri Haradinaj po punojnë me një dinamikë të re dhe me fokus zbatimin e ligjeve, vendimeve dhe kritereve euroatlantike, me theks të veçantë zbatimin e plotë të MSA-së, si dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE”.

LEXO EDHE: Haradinaj tre muaj në Qeveri, vizat s’u hoqën

Në anën tjetër, raportuesi i ri i Parlamentit Evropian për Kosovën, Igor Soltes, gjatë ditës së djeshme ka deklaruar se shpreson ende se Kosova do ta bëjë hapin e madh për vizat, duke e ratifikuar Demarkacionin me Malin e Zi.

Ai ka përsëritur se Komisioni Evropian ishte i qartë kur i vendosi kushtet që çojnë drejt liberalizimit të vizave.

Raportuesi i ri i Parlamentit Evropian për Kosovën kërkon që vendi t’i lërë anash dallimet politike, duke vendosur në favor të të gjithë kombit.

“Komisioni Evropian i ka vendosur qartë kërkesat për liberalizimin e vizave, njëra prej të cilave ende nuk është përmbushur nga Kosova, e cila është Demarkacioni i Kufirit me Malin e Zi. Praktikisht tani topi është në anën e Kosovës. Unë shpresoj se Kosova mund t’i veçojë dallimet e saj të brendshme politike dhe të vendosë në favor të të gjithë kombit, duke zgjidhur çështjen e demarkacionit të kufirit dhe të jetë një hap i madh më afër liberalizimit të vizave”, është shprehur Soltes. /ZËRI/