Universiteti i Beqirit (Dokument)

Aktuale November 30, 2017 - 08:15

Beqir Sadikaj, anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit “Hasan Prishtina”, është njëri nga drejtuesit e këtij universiteti me më së shumti familjarë të punësuar në këtë institucion publik, madje disa prej tyre tashmë janë “rehatuar” edhe në pozita drejtuese.

Sadikaj, i cili ka qenë kandidat i PDK-së për kryetar të Istogut, mohon se ka pasur ndikim në avancimin e familjarëve, ndonëse në fillim të tetorit të këtij viti bashkëshortja e djalit të tij, Albana Gashi-Sadikaj, sipas dokumenteve që posedon gazeta “Zëri”, është avancuar në sekretare të Njësisë Akademike në Fakultetin e Arteve, i cili funksionon në kuadër të universitetit publik.

Sekretarja e re e Fakultetit të Arteve më herët ka mbajtur pozitën e zyrtares së Shërbimit të Studentëve në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike.

LEXO EDHE: KQZ-ja certifikoi rezultatet, Istogu në rivotim

Sadikaj më herët ka qenë dekane e Fakultetit Juridik, përderisa në bibliotekën e këtij fakulteti ka disa vite që punon bashkëshortja e tij, Faze Sadikaj.

Njëkohësisht dhëndri i Sadikajt, Haxhi Gashi, është dekan i Juridikut në UP, të cilën pozitë më herët e kishte ushtruar për disa vite me radhë vetë anëtari i Këshillit Drejtues të UP-së.

Sadikaj: S’më pyet askush, s’kam ndikim si anëtar i Këshillit Drejtues të UP-së

Beqir Sadikaj ka mohuar për gazetën “Zëri” se nga pozita e anëtarit të Këshillit Drejtues të UP-së të ketë ndikuar në avancimin e bashkëshortes së djalit të tij.

“Nga Këshilli Drejtues në UP le që s’po kemi ndikim, por nuk na pyet askush asgjë. Bashkëshortja e djalit punon që 5 vjet në fakultet si referente për master. Pas 5 vjetësh pune UP-ja ka shpallur konkurs të brendshëm dhe ajo është zgjedhur sekretare në Fakultetin e Arteve. Për ndikimin tim aty më së miri pyete menaxherin e Personelit, pyeti për konkursin. Pranimi e rregullat e UP-së janë krejt tjetër në raport me kompetencat e Këshillit Drejtues”, ka thënë Sadikaj për “Zërin”.

Ndërsa Fidan Hamiti, menaxher i Personelit në UP, ka sqaruar për “Zërin” se në pozitën Sekretar i Njësisë Akademike në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës (UP) është punësuar, përkatësisht është avancuar Albana Gashi - Sadikaj, e cila, sipas tij, u është nënshtruar procedurave konkurruese të përzgjedhjes konform dispozitave ligjore në funksion të shërbyesve civilë; “Pranimi për këtë pozitë është bërë përmes procedurave të ngritjes në detyrë të nëpunësve civilë ekzistues, si dhe të drejtën e konkurrimit e kanë gëzuar të gjithë nëpunësit civilë ekzistues të UP-së. Në këtë rast kandidati i përzgjedhur për këtë pozitë u është nënshtruar të gjithë hapave të rekrutimit (ashtu sikurse edhe kandidatët e tjerë) dhe i njëjti nga Komisioni ad- hoc i caktuar me vendim për këtë pozitë, në bazë të rezultatit të treguar, është kualifikuar (në bazë të pikëve të fituara) si kandidati më i suksesshëm”, ka thënë Hamiti.

Sipas tij, rregullsinë dhe ligjshmërinë e kësaj procedure të rekrutimit, gjegjësisht avancimit, e ka konfirmuar Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil (ka vëzhguar dhe monitoruar procesin e rekrutimit/avancimit), i cili është përgjegjës që ta sigurojë respektimin e rregullave dhe parimeve që rregullojnë shërbimin civil.

“Siç mund ta kuptoni, organi përgjegjës për rekrutim në shërbim civil, në rastin konkret avancim në pozitën Sekretar i Njësisë Akademike, ka qenë Komisioni ad hoc (i përbërë nga shërbyes civilë), i cili funksionon në mënyrë krejtësisht të pavarur nga Këshilli Drejtues i UP-së, pjesë e të cilit është edhe prof. dr. Beqir Sadikaj. Andaj konstatojmë se z. Albana Gashi – Sadikaj nga pozita e Zyrtares së shërbimit të studentëve në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike është avancuar në mënyrë meritore në pozitën e Sekretarit të Njësisë Akademike në Fakultetin e Arteve të UP-së”, ka nënvizuar Hamiti.

Kurteshi: Disa familjarë në një institucion publik, shenjë jo e mirë

Në anën tjetër Ismajl Kurteshi, kryetar i Komisionit Parlamentar për Arsim, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se shumë shpejt do ta iniciojë një vizitë në rektoratin e UP-së, pikërisht, siç ka thënë ai, për shkak të shqetësimeve se është politizuar Universiteti Publik, ka shitje të notave dhe shumë çështje të tjera.

“Para disa ditësh isha në një debat të organizuar nga shoqëria civile, ku u paraqitën shqetësime për politizim të UP-së, si dhe shitje të notave, etj. Nëse veç 20 për qind e atyre që u thanë janë të vërteta, atëherë duhet bërë përpjekje që sa më shpejt të rregullohen këto çështje”, ka deklaruar deputeti Kurteshi.

Duke folur për punësimet dhe avancimet e familjarëve të drejtuesve të UP-së në këtë institucion publik, Kurteshi thotë se nëse në një institucion publik punojnë tre familjarë dhe avancimi i tyre ka ndodhur, atëherë do t’i iniciojë edhe këto çështje në Komisionin Parlamentar, të cilin e udhëheq.

“Grumbullimi i disa familjarëve në një institucion publik nuk është shenjë e mirë”, ka pohuar Kurteshi. 

Image