Xhelili: Këto janë paradokset e projektligjit për liritë fetare

Aktuale November 29, 2017 - 11:36

Deputeti i PDK-së, Fatmir Xhelili, ka reaguar pas kërkesës së kryeministrit për ta votuar projektligjin për ndryshim-plotësimin e ligjit për liritë fetare, me ç'rast ka thënë se është mire që ky projektligj ka ardhur në kuvend, porse sipas tij ka disa të meta, shkruan “Zeri.info”.

"Mirë që ka ardhur ky ligj në shqyrtim te parë. Mirëpo ka disa mangësi të propozuara që duhet te trajtohen seriozisht. Paradoksi i parë i regjistrimit, thotë që mund të regjistrohen, por ua jep mundësinë qe edhe të mos regjistrohen si etnitete fetare. Çka nëse ato nuk regjistrohen? A duhet ta përfillin ligjin, të regjistrohen si etnitet fetar..?", ka pyetur ai në seancën e sotme.

Problem tjetër sipas Xhelilit, është edhe trashëgimia, gjegjësisht se kujt i takon ajo, po qe se një etnitet fetar shuhet gjatë kohës.

"Të shuarja: shuarja duhet te definohet mirë, çka pas shuarjes, kush do të jetë trashëgimtar i asaj pasurie?", ka shtuar ai.

Më tej, Xhelili ka paraqitur edhe disa mangësi të tjera në këtë projektligj.

"Gjithashtu edhe krijimi i marrëdhënieve të punës brenda institucioneve fetare. Çka me të ardhurat, a do të paguhet trusti? Çka nëse vjen te humbja e punës, instancat gjyqësore do te merren me ato procese apo do të rregullohen vetëm brenda etniteteve fetare", ka thënë ai, duke paraqitur si problem edhe mënyrën e auditimit.

"Kush do ta bëjë auditimin e bashkësive fetare", ka përfunduar deputeti i PDK-së.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar sot para deputetëve që ta votojnë këtë projektligj (për ndryshim-plotësimin e ligjit për liritë fetare), i cili njeh statusin juridik të etniteteve fetare./Zeri