Bijë shqiptare, nuse gjilanase

Aktuale November 29, 2017 - 08:20

Për t’u bërë nuse në Gjilan Enkeleida Osmanit nga Durrësi para 25 vjetëve i është dashur ta kalojë kufirin ilegalisht. Ajo tregon se dasmën e kishte bërë në Shqipëri, derisa 20 dasmorë nga Kosova kishin hyrë ilegalisht në Shqipëri dhe e kishin marrë atë, shkruan sot, gazeta Zeri.

“Më pritën si bijë e jo si nuse”, kështu fillon rrëfimin e saj Enkeleida Osmani nga Durrësi, e cila është femra e parë nga Shqipëria që ka ardhur si nuse në Gjilan. Ajo e sheh Kosovën si një dhimbje të madhe shekullore për Shqipërinë, teksa ajo thotë se gjendemi në një pranverë mes dy shteteve, por jo në një verë të plotë.

Enkeleida Osmani posedon vlerat tipike të një femre shqiptare, e cila pavarësisht pritjes së mirë që iu bë në Gjilan përsëri gjatë procesit të martesës së saj hasi edhe në vështirësi, vështirësi që më vonë do të harroheshin dhe do të mbeteshin vetëm kujtime dhe gjëra që e bënë atë ta kuptojë që lidhja mes Kosovës dhe Shqipërisë vetëm sa do të forcohej ndër vite, edhe pse me kufij të ndarë.

Ajo i sheh bashkë këto dy vende njësoj sikur gjithkush që posedon kujtesë historike, që e di rëndësinë e lidhjes së dy vendeve.
Ajo ishte nusja e parë që vinte në qytetin e Gjilanit nga Durrësi i Shqipërisë.

Thotë që familja e saj kishte një trashëgimi historike për Kosovën dhe fryma kosovare që ndërlidhej me atë shqiptare ishte e gjallë në familjen e saj.

Ajo me dashuri kujton librat dhe këngët që shfaqeshin në atë kohë e që pikë kryesore të tyre e kishin ndarjen e padrejtë që iu bë Kosovës dhe Shqipërisë.

“Kjo frymë dhe kjo përmbajtje historike gjithnjë ishte e gjallë për familjen tonë, se ne ishim ndarë padrejtësisht. Në kohën tonë kishte me dhjetëra libra që i shpjegonin këto gjëra dhe këngët popullore të cilat në atë kohë ishin shumë të gjalla e si një refren që më ka ngelur në kujtesë është: Kur nga dhuna e padrejtësia kurrë për gjysmë s’u nda Shqipëria, ra në pranga Kosova, kur bishat e egra të kralve të Serbisë me ndihmën e tyre të kralve të Rusisë vazhduan veprat e liga në kthetrat e Shqipërisë, por edhe me dhjetëra gjëra tjera krijonin frymë dhe frymëzim për Kosovën si një dhimbje e madhe shekullore”, thotë Enkeleida.

 Qe 25 vjet nuse në Gjilan

Për 25 vjet e martuar në Kosovë Enkeleida tanimë ka më shumë vite jetë në Kosovë sesa në Shqipëri dhe ky fakt atë e gëzon, sepse ajo e sheh Kosovën dhe Shqipërinë si “një familje të madhe që natyrisht ka edhe dallime”, por që në thelb janë njësoj nga po e njëjta përbërje.

Duke ardhur nga një familje përparimtare dhe me dashuri për Kosovën ajo tregon që zgjedhjen e saj për t’u martuar me gjilanasin Mexhid Osmani nuk kishte pengesa, por vetëm miratim nga të gjithë, sepse familja e saj besonte në të dhe në zgjedhjen e saj. “Familja ime besuan në zgjedhjen time”, thotë ajo.

Por, pavarësisht kësaj, Mexhidit iu desh shumë mund e kohë ta merrte vajzën nga Shqipëria në Kosovë, por duke e pasqyruar një dashuri të pastër mes vajzës shqiptare dhe djalit nga Kosova kjo dashuri më vonë do të kurorëzohej edhe me martesë. Duke mos qenë asnjëherë para martesës së saj në Kosovë Enkeleida thotë të ketë dëgjuar mjaftueshëm për Kosovën, aq sa të njihte vendin fare mirë.

Me një dasmë të organizuar në Shqipëri Enkeleida thotë që iu desh ta kalonin kufirin ilegalisht në ato kohë ajo dhe të gjithë dasmorët, që ishin mbi 20 dasmorë, për të ardhur në Kosovë.

“Dasma ime është bërë në Shqipëri, nga Kosova ishin mbi 20 dasmorë, që kanë ardhur në të zezë. Unë u bëra nuse duke kaluar kufirin në Han të Elezit në të zezë dhe me dokumente false”, tregon ajo. Enekelida si person modest nuk pranon të ketë kontribuar edhe aq në bashkimin e këtyre dy vendeve, pasi është një kontribut i vogël në kohën kur ishte dimër i madh mes dy shteteve, por jo tani që sipas Enkeleidës gjendemi në një pranverë e që ende nuk është verë e plotë dhe verë e plotë, thotë ajo, do të jetë vetëm kur këto dy shtete të jenë një.

Biznesmene e suksesshme 

Tashmë nënë e 3 fëmijëve, 2 vajzave dhe një djali, Enkeleida ka një biznes në Gjilan, që përpos i suksesshëm është edhe bashkim mes dy shteteve, pasi që mban emrin “Durrësi” dhe për këtë gjë Enkeleida tha që meritat i shkojnë burrit të saj, Mexhidit, pasi që emri i dyqanit të tyre ishte ideja e tij.

Tashmë 13 vjet qysh nga fillimi i këtij dyqani në fillim i vogël, por me kalimin e kohës kaloi në një sukses për familjen Osmani, gjë që ndikoi pozitivisht nga emri i dyqanit në ardhjen e klientëve gjilanas, sepse edhe sipas Enkeleidës roli i emrit është i një rëndësie të veçantë, pasi që edhe kosovarët i duan shqiptarët e Shqipërisë me të njëjtin intensitet sa ata.

Ajo shkon shpesh në Shqipëri, por edhe familja e saj vjen mjaftueshëm në Kosovë, duke bërë kështu që këto dy familje të lidhen edhe më shumë mes një shteti të ndarë me kufi. Nuk e di se ku do ta festojë 28 Nëntorin, por Enkeleda thotë që një gjë e tillë nuk luan rol të madh, sepse i konsideron një. E nëse asaj i duhet ta ndajë 17 Shkurtin, Pavarësinë e Kosovës, me atë të Shqipërisë, ajo thotë që nuk mund t’i ndash “Mish e thua”, janë i njëjti gëzim e e njëjta festë. “Tani Kosova është Shqipëri dhe Shqipëria Kosovë, kjo është një mrekulli shqiptare. Kush nuk e vëren këtë mrekulli nuk ka kujtesë historike”, thotë Enkeleida teksa mbaron rrëfimin e saj prej nuseje kosovare e bije shqiptare.