Abazi komenton paralajmërimin e PDK-së e LDK-së për mosnjohjen e rezultatit

Aktuale November 27, 2017 - 16:52

Analisti politik, Haki Abazi në një prononcim për “Gazeta Blic”, ka komentuar paralajmërimin e LDK-së dhe PDK-së për mos njohje të rezultatit të zgjedhjeve si dhe shqyrtimin e mundësisë për ta dërguar këtë çështje në Gjykatë Kushtetuese.

Abazi ka thënë se nëse është duke u kërkuar rinumërim i votave nuk është fund i botës.Sipas tij një gjë e tillë do të duhej të pranohej për shkak të garës së ngushtë në këto dy komuna.

“Nëse kërkohet rinumërimi nuk e besoj që do të ishte fundi i botës dhe kjo do të duhej të kuptohet si garë e ngushtë dhe jo sistemit për të bërë ndryshim i rezultateve”, ka deklaruar Abazi.

Ai më tej ka thënë se refuzimi i drejtësisë përveç atëherë kur ju konvenon është jo i shëndosh dhe jo qëndrim pragmatik, duke iu referuar ankesës që VV bëri në Gjykatën Supreme pas vendimit të PZAP-së për rinumërim të votave.

“Mendoj edhe kjo përplasjet e fundit është duke marrë energjinë dhe jam i bindur që do të rezultojë në probleme të mëdha.

Kultura e fyerjes dhe fitores me çdo kusht dhe refuzimit të drejtësisë përveç atëherë kur ju konvenon është jo e shëndosh dhe jo qëndrim pragmatik”, ka thënë ai, raporton Gazeta Blic.

Që nga viti 2007 kemi humbje energjish në akuza dhe kundër-akuza dhe aspak orientim zhvillimor ka thënë Abazi.“Mendoj se gjithçka deri tani është brendapërbrenda tentimit për të mbajtur apo për të  arritur deri tek pushteti.
Më vjen keq për këtë polarizim që po ndodhë sepse që nga viti 2007 kemi humbje energjish në akuza dhe kundër-akuza dhe aspak orientim zhvillimor”, ka përfunduar ai.

Ndryshe, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës po kundërshtojnë rezultatin e zgjedhjeve në Prizren dhe në Prishtinë.Pas numërimit të votave me kusht dhe të atyre me postë, ku kandidatët e VV-së me një diferencë të vogël arritën që të fitojnë Prishtinën dhe Prizrenin, kanë reaguar PDK e LDK.

Të dyja partitë kanë paralajmëruar mosnjohje të rezultatit, duke paralajmëruar edhe shqyrtimin e mundësisë për ta dërguar këtë cështje në Gjykatë Kushtetuese.

Ndërsa ka qenë Lëvizja Vetëvendosje ajo e cila ishte ankuar në Gjykatën Supreme, dhe kjo gjykate kishte rrëzuar vendimin e PZAP-së, duke kërkuar vetëm numërimin e votave me kusht, pas pasur fare nevojë që të shkohet në rinumërimin e tërësishëm të votave.