Rezultatet e zgjedhjeve lokale, mund ta rrezikojnë koalicionin qendror!

Aktuale November 26, 2017 - 20:46

PDK, AAK, AKR dhe NISMA, parti të cilat udhëheqin me Qeverinë e Kosovës, kanë pasur një rivalitet ndërmjet vete në shumë komuna në zgjedhjet e fundit lokale.

Ky rivalitet, sipas deputetit të Vetëvendosjes, Mytaher Haskuka, do të mund të çojë në prishje të koalicionit për shkak se, sipas tij, vetëm një votë nevojitet për këtë.

Edhe për njohësin e çështjeve politike, Mazllum Baraliu, ky koalicion mund prodhojë lëkundje të partneritetit në qeverisjen qendrore.

Por, ndryshe thotë Valdete Bajrami nga Nisma për Kosovën.

Sipas saj, partnerët qeverisës nuk duhet të përfshijnë rivalitetin e zgjedhjeve lokale me partneritetin qeverisës, duke shtuar se një lëkundje e bashkëpunimit nuk është e mundur.

Edhe Ahmet Isufi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës shprehet i bindur se koalicioni do të vazhdojë të funksionojë siç është më së miri.

Për të, “me vetë faktin që për prishjen e qeverisë nevojitet vetëm një votë, atëherë partnerët e koalicionit po punojnë intensivisht në të mirën e vendit”!

Partitë të cilat janë në udhëheqje të vendit i kanë vetëm 60 vota në Kuvendin e Kosovës, për shkak se në momentin e marrjes së postit të ministrit nga ana e Behgjet Pacollit, vendin e tij e ka zënë një deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, pasi kjo parti ishte në koalicion me partinë e Pacollit. /Tribuna Channel/