Rrecaj: Rasti Limaj ishte montuar nga vendorët dhe ndërkombëtarët

Aktuale November 24, 2017 - 18:30

Avokati Tahir Rrecaj ka thënë se mospranimi i një numri dëshmish dhe vendimi lirues i gjykatës për akuzat ndaj Fatmir Limajt tregojnë se krejt rasti ishte montuar nga vendorët dhe ndërkombëtarët.

Në Info Magazine të Klan Kosovës, ai ka deklaruar se duhet kompenzuar dëmi që i është bërë Limajt, ndërsa ka kërkuar që misionit të Eulex në Kosovë të mos i vazhdohet as edhe dy ditë, lëre më dy vjet, sic është kërkuar.

“Është i kuptueshëm reagimi dhe fjalimi emocional i Fatmir Limajt, pasi akuzat ndaj tij kanë qenë të pabaza. Besoj ju kujtohen ngjarjet spektakolare të viti 2010, bastisjet dhe arrestimi i Limajt, si dhe deklarata e ish-kryeprokurorit të Eulex për këtë cështje, se kinse kanë dëshmi që ai ka keqpërdorur 80 milionë euro”.

“Prokuroria nuk ka pasur asnjë provë dhe do të ishte e cuditshme që të ankohen në këtë vendim, pasi edhe vet ngritja e akuzës ka qenë e habitshme, marrë parasysh faktin që nuk ka pasur fakte, kur kjo është bërë. Ky është një rast i montuar nga vendorët dhe ndërkombëtarët”.

“Ky rast dhe rastet tjera kanë dëshmuar që misioni i Eulex ka dështuar në Kosovë. Ata kanë pasur mision sundimin e ligjit, por kanë punuar dhe vepruar ashtu sic nuk duhet. Unë kurrë nuk kam marrë shembull nga puna e tyre, pasi kanë dështuar krejtësisht. Mandati nuk duhet t’u vazhdohet as edhe dy minuta, lëre më dy vjet, sic po propozohet”.