Kosova nënshkruan dy marrëveshje me Hungarinë

Aktuale November 24, 2017 - 16:46

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka pritur  në takim Ministrin e Drejtësisë së Hungarisë, László Trócsányi, me të cilin ka nënshkruar dy marrëveshje për bashkëpunim dhe ndihmë juridike ndërkombëtare ndërmjet dy vendeve në fushën e drejtësisë, konkretisht: “Traktatin për Ekstradim” dhe “Traktatin për Transferim të Personave të Dënuar”.

Gjatë takimit, Ministri Tahiri e njoftoi ministrin Trócsányi me funksionimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë, përpjekjet që po bëhen në zbatimin e reformave në fushën e drejtësisë, forcimin e zbatimit të ligjit, si dhe për masat që po ndërmerren në luftimin e dukurive negative në shoqëri, veçmas në proceset që lidhen me rishikimin e legjislacionit penal dhe atë të fushës civile, thuhet në njoftimin për media, transmeton Klan Kosova.

Ministri hungarez vlerësoi përpjekjet e institucioneve të Kosovës për zbatimin sa më me efikas të ligjit kundër të gjitha formave të shkeljes së tij, angazhimin e tyre për reforma të vazhdueshme në sistemin e drejtësisë në harmoni me ligjet më të avancuara të BE-së.

Ministri Tahiri falënderoi homologun e tij për përkrahjen e vazhdueshme të shtetit hungarez në proceset integruese të Kosovës.