Trendafilova: Nuk do të gjykohen organizatat, por individët

Aktuale November 24, 2017 - 07:52

Ekaterina Trendafilova, kryetare e Gjykatës Speciale, gjatë vizitës së saj të parë në Kosovë është zotuar se kjo Gjykatë do të ndajë drejtësi në mënyrë të paanshme dhe të pavarur. Ajo ka thënë se Gjykata që drejton nuk do të hetojë organizata, por vetëm individë, shkruan sot, gazeta Zeri.

Kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, është zotuar se kjo Gjykatë do të ndajë drejtësi në mënyrë të paanshme dhe të pavarur.

Ajo në vizitën e parë që e ka bërë në Kosovë ka konfirmuar se ende nuk ka asnjë aktakuzë të ngritur ndaj ish-ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke i demantuar njoftimet që jepen kohë pas kohe në medie dhe në opinion.

Në një adresim të saj para përfaqësuesve të shoqërisë civile ajo ka dhënë detaje lidhur me funksionimin e kësaj Gjykate, duke thënë se arsyeja e vizitës së saj në Kosovë është që të arrihet mirëkuptimi dhe besimi lidhur me punën e Gjykatës.

“Dhomat e Specializuara janë themeluar për t’i adresuar pretendimet për krimet kundër njerëzimit dhe po ashtu edhe krimet e luftës, duke siguruar gjykime të drejta dhe të paanshme. Mandati i Dhomave është që të ndiqen dhe të gjykohen rastet kundër individëve dhe jo kundër organizatave apo entiteteve”, ka thënë ajo.

Ajo ka shtuar se Dhomat e Specializuara do t’i kushtojnë rëndësi të veçantë mbrojtjes së të drejtave të dyshuarve, të viktimave dhe të dëshmitarëve të mbrojtur. Gjatë bashkëbisedimit me shoqërinë civile ajo ka thënë se “dëshmitë do të mblidhen nga hetuesit vendorë, nga agjencitë dhe nga institucionet ndërkombëtare dhe në veçanti duke u referuar dëshmive që janë mbledhur nga Tribunali i Hagës, nga EULEX-i, nga mekanizmat e UNMIK-ut.

Sipas saj, këto dëshmi mund të përdoren, por ka potencuar se kjo varet nga "gjyqtarët të cilët duhet të vendosin para së gjithash se a janë këto dëshmi relevante”. Ajo më tej ka bërë të ditur se ende nuk ka aktakuza të ngritura nga prokurori, ndonëse Dhomat e Specializuara janë në funksion që nga pesë korriku.  Kurse tha se Dhomat e Specializuara janë krijuar që t’i hetojnë krimet e luftës për të siguruar gjykime të drejta, pra të ndiqen dhe të gjykohen individë dhe jo organizata. Dhomat e Specializuara e respektojnë barazinë për të drejtat e viktimave. 

Ndërkaq sa u përket dëshmitarëve, Trendafilova tha se ata  do të jenë të mbrojtur dhe dëshmitë duhet të jenë sa më të besueshme, të mundshme. “Nuk ka aktakuza aktualisht, ende jemi duke pritur prokurorin që t’i kryejë detyrat e tij edhe pse po flitet që ka aktakuza, unë kam ardhur t’ju njoftoj juve me proceduat e jo për aktakuzat. Dhomat janë tërësisht funksionale që të fillojnë me procedurat kur atë e thonë prokurorët”, ka thënë Trendafilova.

Kurse sa i përket cilësisë së dëshmive, sipas Trendafilovas është vështirë të mbahen në mend kujtimet e ngjarjeve para 20 vjetëve, mirëpo ato do të vërtetohen.  “Pjesa më e rëndësishme është Ligji i Dëshmive. Ligji ka qenë një punë shumë e mirë, janë vendime të rëndësishme dhe aty keni dispozitat që edhe më tej ndërtohen mbi rregullat e dëshmive. Në marrjen me ngjarje të tilla, që kthehemi shumë vjet prapa, është shumë vështirë, por ka masa sigurie që duhet të aplikohen dhe duhet të përfshihen rregullat e procedurës së dëshmive”, shtoi ndër të tjera Trendafilova.

Kryetarja e Dhomave të Specializuara tha se ndien përgjegjësi të madhe dhe shpreson që në këtë pozitë nuk do të përballet me situata që do ta bënin të mos ndihet rehat.

Gjithashtu u tha se Dhomat e Specializuara do të jenë të paanshme, të pavarura, transparente dhe se do t’i respektojnë viktimat. “Dhomat e Specializuara janë krijuar që t’i hetojnë krimet e luftës për të siguruar gjykime të drejta, pra të ndiqen dhe të gjykohen individë dhe jo organizata. Dhomat e Specializuara e respektojnë barazinë për të drejtat e viktimave”, përfundoi Trendafilova.

Trendafilova është emëruar më 14 dhjetor 2016 si kryetare e Dhomave të Specializuara.  Në mars të këtij viti është mbajtur seanca e parë plenare, ku janë miratuar tri dokumente që është Kodi i Etikës Themelore.