Trendafilova sot në Kosovë, Gjykata Speciale shumë afër

Aktuale November 23, 2017 - 08:37

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Katerina Trendafilova së bashku me Administratoren e Dhomave të Specializuara, Fidelma Donlon pritet që gjatë ditës së sotme të vizitojë Kosovën.

Zyra për Informim e Gjykatës Speciale në një prononcim për Indeksonline ditë më parë ka treguar se Trendafilova gjatë kësaj vizite do të ketë takime dypalëshe të rëndësishme me zyrtarë dhe organizata shtetërore.

Gjithashtu, sipas tyre ajo gjatë ditës së sotme do të mbajë një fjalim në një veprimtari informuese dhe ndërgjegjësuar për organizatat e shoqërisë civile të cilat do t’i informojë për të reja më të fundit në lidhje me veprimtarinë e Gjykatës Speciale.

Mirëpo, mesazhet e saja gjatë ditës së sotme, nuk do të bëhen kurrë të ditura.

Kështu të paktën thotë avokati Tomë Gashi, ku sipas tij me vizitën e sotme ajo u tregon autoriteteve kosovare se fillimi i punës së Gjykatës Speciale është shumë afër.

Në një prononcim për Indeksonline, Gashi thotë se njëra nga arsyet e vizitës së saj është sensibilizimi i opinionit publik, që, sipas tij, është i ndarë së paku në dy pjesë.

“Një pjesë pret që Gjykata Speciale t’i zgjedh të gjitha krimet e rënda për të cilat kanë ndodhur gjatë apo pas luftës në Kosovë, më saktësisht vrasjet politike. Ata ndoshta do të duan, por asnjëherë nuk zgjidhet gjithçka. Situata tjetër është, për ata që mezi s’presin të fillojë Gjykata punën e saj duke pritur të pastrohet tereni politik, për shkak të akuzave të mundshme të zyrtarëve të lartë, të mos them liderëve të partive të caktuara politike. Edhe kjo është e padrejtë, për shkak se ndryshimet politike nuk duhet t’i presim nga Gjykatat, edhe pse në të vërtetë kjo mund të ndodh. Por, ndryshimet politike duhet të bëhen nga kutia e votave apo vota e qytetarëve përmes zgjedhjeve të lira, nacionale apo lokale”, ka thënë Gashi.

Ai thotë se në Kosovë është krijuar një situatë e tensionuar për ata që supozojnë se mund të jenë në listën e të akuzuarve.

“Është situatë e tensionuar për ata që supozojnë se mund të jenë në listën e të akuzuarve. Unë besoj që kryetarja e Gjykatës mund ta dijë për fillim se kush është i akuzuar, por këtë mund ta dijë vetëm privatisht, për shkak të afërsive që Gjykata ka me prokurorinë por këtë ajo kurrë nuk do ta thotë sepse ligji përcakton se kur prokuroria t’i dorëzon aktakuzat, Gjykata duhet të veprojë në këtë rast”, ka shtuar ai.

Kurse, Gashi mohon të jetë ngritur ndonjë aktakuzë deri më tani, duke shtuar se një gjë e tillë nuk mund të bëhet pa regjistrimin e avokatëve.

“Aktakuza e parë nuk mund të ngritët pa regjistrimin e avokatëve. Deri me tani nuk kemi asnjë konfirmim të avokatëve të regjistruar. Gjykata Speciale besojë që nuk do të bëj lojëra. Nuk do të ngritën aktakuza sa për sy e faqe për shkak edhe të pritshmërisë që ka Bashkësia Ndërkombëtare. Kështu që aktakuza të ngritura nuk ka definitivisht, dhe nuk do të ishte normale të kishte aktakuza e që nuk do të ishin publike. Aktakuza mund të ketë edhe të fshehta, por jo në këtë fazë, për shkak se Speciales i duhet edhe pak kohë të pres zyrën e prokurorit special për të pranuar aktakuzat e para”, ka deklaruar Gashi.

Ndryshe, kjo është vizita e parë e Trendafilovas në Kosovës.