“Kurzi i Kamenicës”

Aktuale November 23, 2017 - 08:07

Me profesion është inxhinier, i shkolluar në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës, por që nga 19 nëntori është njëri nga deputetët më të rinj të Kuvendit të Kosovës, Qëndron Kastrati është edhe kryetari më i ri në moshë në tërë Kosovën, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Madje duket se kryetar komune më të ri se Kastrati nuk ka edhe në rajon, kryesisht shkaku i moshës së re e bën atë një “Sebastian Kurz të Kamenicës”, por ndoshta edhe të Ballkanit.

Kastrati është në fakt dy vjet më i ri se politikani austriak Sebastian Kurz, i cili në moshën 31-vjeçare u bë kancelar i Austrisë.

Mirëpo Kurz nisi politikën edhe më herët se kaq. Ai qysh në moshën 27-vjeçare arriti ta drejtojë Ministrinë e Austrisë për Evropën, Integrimin dhe Punët e Jashtme, shkruan tutje "Zëri".

Gjithashtu edhe Kastrati fillet e politikës i nisi disa vite para se të zgjidhej kryetar komune.

Si 25-vjeçar u zgjodh deputet i Kuvendit të Prishtinës.

LEXO EDHE: Sot dihet fituesi i Prishtinës

Në anën tjetër, në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë për vitin 2017 njëzetenëntëvjeçari Qëndron Kastrati, që edhe adoleshencën e shkollimin parauniversitar i përfundoi në kryeqytet, arriti ta fitojë besimin e qytetarëve të Kamenicës.

Atje ai mblodhi rreth 55 për qind të votave e duke lënë kështu mbrapa kundërkandidatin e tij nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shaip Surdullin, me 44 për qind të votave të banorëve të këtij qyteti, që zyrtarisht mban emrin Kamenicë.

Kur bëri të ditur kandidimin e tij për Komunën e Kamenicës Kastrati deklaroi se qëllimi i tij është ta ndërrojë logjikën qeverisëse që ka mbizotëruar për një kohë të gjatë në komunë.

Kjo duket t’i ketë bindur qytetarët e këtij qyteti që zgjodhën për të parin e tyre një djalë të ri me një profil prej aktivisti, modest dhe i afërt me ta, që mëton t’i sjellë freski Kamenicës.

Në komunë të gjithë e dinë se Qëndroni, kryetari i tyre i ri, është djali i madh i veprimtarit e dëshmorit Isa Kastrati, që vinte nga fshati Hogosht.

Përveç Qëndronit, Isai la pas vetës edhe pesë fëmijë të tjerë, Fitonin, Gëzonin, Agonin, Krejonën dhe Festonin me nënën e tyre, Teviden.

Tash e një kohë edhe Shtëpia e Kulturës së qytetit e mban emrin e Isa Kastratit, ashtu siç e mban edhe një rrugë e Prishtinës. Zhvillimi i këtij qyteti të paktën për katër vjetët e ardhshëm do të varet pikërisht nga puna e djalit të tij, Qëndronit, i cili së shpejti do të vendoset në zyrën e re.

Zotohet për qeverisje pa korrupsion

Fakti se është i ri në moshë nuk po e bën Kastratin të ndiejë përgjegjësi më të madhe.

Për gazetën “Zëri” ai deklaron se ndihet i gatshëm t’i marrë frerët e kësaj komune në dorë dhe ndien përgjegjësi vetëm për faktin se duhet t’i arrijë pritshmëritë që qytetarët kanë për të.

“Në raport me moshën nuk mendoj se është problem. Përgjegjësi të madhe ndiej shumë, sepse gjendja në Dardanë ka qenë e keqe dhe njerëzit tashmë kanë shpresë të madhe tek ne. Unë ndiej një përgjegjësi të madhe që të mos ua humbasë atyre këtë shpresë”, deklaroi ai, duke theksuar që synimi i tij kryesor është që gjatë mandatit të tij të arrijë ta luftojë korrupsionin në këtë komunë. Shembull e ka Prishtinën, duke qenë se lëvizja “Vetëvendosje” drejtoi këtë komunë katër vjetët e shkuara.

E periudha katërvjeçare sa ka qenë pjesë e ekipit të kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmetit, e ka përgatitur atë për detyrën e re.

“Përvoja katërvjeçare në kryeqytet është përparësia ime më e madhe. Ajo do të më ndihmojë pa dyshim edhe në Dardanë. Unë do ta bart atë përvojë. Pra, modelin e Prishtinës do ta përshtatim edhe në Dardanë”, tha Kastrati.

Për ta realizuar këtë Kastratit pa dyshim i duhet përkrahja profesionale e politike e partisë së tij, lëvizjes “Vetëvendosje”.

Në shkollë kujtohet si nxënës i dalluar

Ndërkaq në shkollën fillore “Mitrush Kuteli” në Matiçan të Prishtinës Qëndron Kastratin e mbajnë mend si nxënës të dalluar.

Drejtori i kësaj shkolle, Besim Korça, nuk heziton ta shpalos para “Zërit” librin e amzës dhe dokumentet, ku shihet suksesi shembullor i ish-nxënësit të tyre dhe kryetarit të ri të Dardanës.

“Qëndroni ka përfunduar shkollën fillore këtu tek ne që nga klasa e parë. Ai ka qenë nxënës i dalluar, nxënës shembullor. Të gjithë fëmijët e Isa Kastratit janë shkolluar këtu tek ne. Qëndroni është dalluar nga ta nga sjellja dhe nga përkushtimi. Ka qenë shembull për të gjithë”, tha Korça, duke shtuar se ai mund të merret model nga nxënësit e tjerë se si me punë arrihet suksesi.

Duke e njohur historinë e familjes së Kastratit, Korça theksoi se beson në korrektësinë e përkushtimin e ish-nxënësit të tij dhe e vlerëson faktin se Qëndroni po kthehet nga kryeqendra në një qytet të vogël siç është Dardana, kur të gjithë të rinjtë janë të pirur të largohen prej aty.

Edhe kundërshtarët politikë shprehin simpati për Kastratin

Ani pse vjen nga një tabor tjetër politik, Halil Matoshi, këshilltari politik i kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, ka thënë për “Zërin” se zgjedhja e Kastratit në krye të Komunës e ka gëzuar atë.

Duke qenë se vjen vetë nga kjo komunë Matoshi tha se i njeh rrethanat politike në Kamenicë dhe e përkrah zgjedhjen e Qëndronit si politikan i ri.

Ai përmendi edhe faktin se familja Kastrati ka qenë për vite e persekutuar.

“Unë jam solidarizuar me zgjedhjen e këtij djalit të ri, Qëndronit, në Kamenicë. Unë jam vetë nga Kamenica dhe i njoh pak a shumë rrethanat atje. Ky është kryetari i Komunës më i riu në Kosovë dhe vjen nga një familje që është e persekutuar për gjysmë shekulli. Për këtë arsye, edhe pse jam kundërshtar politik, përkatësisht rival politik me lëvizjen “Vetëvendosje”, unë e kam shprehur simpatinë time për këtë kryetar të ri”, tha Matoshi.

Tetë vjet në “Vetëvendosje”

Qëndron Kastrati i është bashkuar lëvizjes “Vetëvendosje” si i ri në vitin 2009.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2013 ai është zgjedhur asamblist në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

Bashkëpunëtorët e kanë konsideruar vazhdimisht Qëndronin si njërin nga asamblistët më të zëshëm të atij Kuvendi Komunal.

Në vitin 2015 Kastrati u zgjodh edhe shef i Grupit të Asamblistëve të Lëvizjes “Vetëvendosje” në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

Ai ishte gjithashtu anëtar i Komitetit për Politikë dhe Financa në Komunën e Prishtinës. Në zgjedhjet parlamentare që u mbajtën në pjesën e parë të këtij viti Qëndron Kastrati ishte në listën e lëvizjes “Vetëvendosje” për deputet.

Ai arriti ta sigurojë një ulëse në Kuvendin e Kosovës, duke mbledhur 6.947 vota e duke u bërë kështu pjesë e grupit të deputetëve më të rinj që hyjnë në Kuvendin e Kosovës, por pas gjashtë muajsh ai do ta lërë atë karrige për të qëndruar për katër vjet në krye të Kamenicës.