Grabovci: PDK është partia e parë, balotazhi nuk është matës real

Aktuale November 22, 2017 - 23:02

Nga balotazhi i së dielës Partia Demokratike e Kosovës arriti që të fitojë vetëm pesë komuna.

Si rezultat i kësaj, PDK nga rezultati i udhëheqjes së komunave renditet si partia e tretë.

Indeksonline me këtë rast ka kontaktuar anëtarin e PDK-së, Adem Grabovcin, i cili theksuar se zgjedhjet ishin mbajtur me frymë demokratike dhe si të tilla duhen vlerësuar lartë.

“Kultura qytetare e treguar, është shembull i mirë dhe mesazh i mirë i dhënë edhe miqve ndërkombëtarë. Kemi pasur një garë me mjaft kandidatë dhe oferta të shumta para qytetarëve nëpër komuna”, ka thënë Grabovci.

Ndër të tjerash ai është pyetur edhe për arsyen e asaj se pse PDK arriti të fitojë vetëm pesë komuna në këto zgjedhje lokale e që sipas tij PDK ka pasur oferta parimore vizionare dhe si e tillë ajo është pritur mjaft mirë.

“PDK, në zgjedhjet lokale, sikurse vazhdimisht përgjatë gjithë rrugëtimit politik, ka sjellur një frymë dhe platformë të re, kompatibile me rrethanat dhe mundësitë nëpër të cilat po kalojmë si shoqëri. Oferta e jonë ka qenë parimore e vizionare dhe si e tillë është mirëpritur mjaft mirë. Jemi partia që kemi fituar më së shumti asamblistë në nivel vendi. Pra, ne jemi parti e parë me asamblistë në 11 komuna”, ka shtuar ai.

Grabovci ka deklaruar se PDK kishte kandidatët më të mirë për kryetarë komunash dhe se kishin tri kandidate femra, me përgatitje shumë të larta. Ndërkohë sipas tij qytetarët vendosën për gjithë rezultatin dhe se duhet respektuar verdikti i tyre.

“Edhe rezultati zgjedhor, në raundin e parë, ka qenë përgjithësisht i pritshëm, ku PDK doli si partia më e fuqishme në vend. Ndërsa balotazhi, duke pasur parasysh matematikat zgjedhore që ndodhin në këtë fazë, ka sjellur një rezultat jo shumë të kënaqshëm. PDK, pas përfundimit të numërimit total të votave dhe shpalljes zyrtare të rezultateve, pra pas përmbylljes së procesit zgjedhor, do ta bëjë analizën e gjithë procesit e pastaj do të nxjerrë edhe përfundimet përkatëse. Por, dihet se rezultatet e balotazhit janë më shumë pasqyrë e matematikave zgjedhore se sa e verdiktit real të qytetarit. Ky sigurisht se është njëri nga faktorët, ndoshta edhe kyç. Qytetarët, në fund, vendosën dhe ne respektojmë verdiktin qytetar”, ka shtuar Grabovci, shkruan Indeksonline.

Sipas anëtarit të PDK-së, njëherësh ish-shef i Grupit Parlamentar të PDK-së,  zgjedhjet e brendshme në PDK janë obligim statutar , të cilat nuk janë risi.

“PDK, gjithnjë ka respektuar statutin e vet dhe obligimet që dalin nga statuti. Poashtu, ne jemi dëshmuar se jemi të hapur për personalitetet e reja dhe gjeneratat e reja, siç ka ndodhur në çdo kuvend dhe proces në PDK. Kemi pasur shumë kërkesa nga qytetarë të interesuar për t’u bërë pjesë aktive e politikbërjes në PDK si dhe kemi gjeneratat e reja nga anëtarësia e PDK-së, por edhe jashtë saj, që janë të gatshëm për të marrë obligime dhe përgjegjësi. Një është e sigurt: ky proces zgjedhor do të zhvillohet në frymë demokratike dhe në një garë fer dhe PDK do të jetë shembull për zgjedhje të tilla për Kosovë e edhe rajon”, ka shtuar Grabovci.

Sipas Grabocit pritet përmirësim i PDK-së dhe se kjo parti do të dalë edhe më e fuqizuar dhe më  konsolidura për sfidat dhe obligimet që kanë para tyre.

“Si parti shtetformuese, ne do të jemi fuqishëm, me vizion dhe qasje të qartë, në ballë të proceseve të vendit. PDK ka qenë, është dhe do të mbetet partia më e organizuar, më e fuqishme dhe shembull i organizimit, funksionimit dhe zhvillimit demokratik për partitë tjera”,ka përfunduar Grabovci.