Vajza e Mlladiqit bëri vetëvrasje pasi i dashuri i kërkonte të hiqte dorë nga babai kriminel

Aktuale November 22, 2017 - 20:55

Ratko Mlladiq ishte zotuar se kurrë nuk do t'i nënshtrohej poshtërimit që ka përjetuar në mëngjesin e së mërkurës - gjykimit nga një gjykatë e huaj.

Gjenerali serb i Bosnjës i kishte thënë njerëzve më të afërt se kurrë nuk do të kapej i gjallë, ndërsa bartte një çantë me armë me vete gjatë gjithë viteve në arrati, për t'u siguruar që do të mbante fjalën.

Por, kur erdhi momenti kritik, kapja nga autoritetet serbe, njeriu që ka urdhëruar mijëra vdekje gjatë luftës në Bosnjë, nuk pati guximin t'ia marrë jetën vetes.

Mospërmbushjen e zotimit të tij do ta arsyetonte me paaftësi psikologjike. "Nuk doja të mbaheshim mend si familje e vetëvrasjeve", i kishte thënë ai një përkrahësi, në burg.

Në muajin shkurt të vitit 1994, kur lufta në Bosnjë ndodhej në një qorrsokak të përgjakshëm, vajza e tij, Ana, kishte përdorur pistoletën e tij të parapëlqyer për të vrarë veten.

Ajo ishte në dashuri me një mjek, i cili ishte i tmerruar nga kasaphana që po kryhej në Bosnjë në emër të kombit serb, shkruan The Guardian.

Ai do të martohej me të, vetëm nëse ajo do të distancohej nga babai i saj. Ana Mlladiq zgjodhi dilemën, duke i marrë jetën vetes.

Ratko Mlladiq, i dënuar sot me burgim të përjetshëm nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë, si urdhërues i vrasjes së mijëra myslimanëve të Bosnjës, nuk e ka pranuar kurrë se veprimet e tij e kanë çuar vajzën e tij drejt vetëvrasjes.

Ai ka shpikur teori konspirative, të cilat fajin e hidhnin tek armiqtë historikë të serbëve.

Përgjatë një jete të tërë të rrethuar me vdekje, ajo e Anës ishte një prej vdekjeve të pakta që e kanë prekur në zemër. /Express/