Numan Baliq: Asnjë bisedim me serbët pa u përmendur gjenocidi dhe masakrat në Kosovë

Aktuale November 22, 2017 - 18:37

Numan Baliq, përfaqësues nga komuniteti boshnjak në Kosovë, ka thënë se vendimi i Gjykatës së Hagës për dënimin me burg të përjetshëm ndaj Ratko Mladiq, udhëheqësit të forcave serbe në Bosnjë e Hercegovinë, është një rrugë që duhet ndjekur edhe Kosova.

Në Info Magazine të Klan Kosovës, Baliq ka pohuar se për të arritur një sukses siç e ka arritur Bosnja me dhënien e dënimit ndaj Mlladiqit, politika kosovare gjatë dialogut me Serbinë duhet çdo herë t’iu kujtojë krimet që i kanë kryer ndaj shqiptarëve.

“Rasti i sotëm është një shembull që tregon se më në fund është arritur një lloj drejtësie. Është një mësim edhe për popullin e Bosnjës edhe të Kosovës që po sprovohen, sepse duhet të përpiqen edhe më shumë se sa është bërë deri më tash”.

“Shpresoj që krerët kosovarë të bëjnë më shumë në këtë drejtim, sepse nuk dihen ende ku janë njerëzit e zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë”.

“Politika kosovare duhet ta ndjek rrugën e Bosnjës, e them të paktën në aspektin e dënimit të Mlladiqit”.

“Politika kosovare duhet të jetë më e vendosur në ato që dëshiron t’i arrijë”.

“Asnjë bisedë me serbët s’duhet zhvilluar pa u përmendur gjenocidi, masakrat dhe njerëzit e zhdukur si pasojë e krimeve që i kanë shkaktuar në luftën e fundit në Kosovë”.