Kurtit, Kadajt dhe Haxhiut u caktohet paraburgimi

Aktuale November 22, 2017 - 14:33

Ka dështuar sërish seanca gjyqësore për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend të Kosovës, ndaj katër deputetëve të VV’së, Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Faton Topalli dhe Albulena Haxhiu. 

Kjo pasi Kurti, Kadaj-Bujupi dhe Haxhiu nuk u paraqiten në gjykatë. Trupi gjykues ka urdhëruar arrestimin e tre të akuzuarve pasi të njëjtit janë kërkuar para seance në shtëpitë e tyre nga Policia, por nuk janë gjetur.

Deputetet Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi dhe Albulena Haxhiu sërish nuk janë paraqitur në Gjykatë Themelore të Prishtinës, të mërkurën, për gjykim për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Dy deputetët e VV’së Kurti e Kadaj-Bujupi janë kërkuar në shtëpitë e tyre, pasi trupi gjykues qysh në seancën e kaluar ka urdhëruar sjelljen e tyre me Polici në gjykatë, pasi as atëherë nuk ishin paraqitur.

Por të njëjtit nuk janë gjetur në adresat e tyre të banimit.

 Kështu ka bërë të ditur gjyqtari Beqir Kalludra, derisa anuloi seancën e të mërkurës deri në një afat të pacaktuar.Kalludra urdhëroi edhe arrestimin e deputetëve të akuzuar Albin Kurti e Donika Kadaj-Bujupi, dhe gjithashtu të Albulena Haxhiut. 
Madje u caktoi ndaj tyre edhe paraburgim.

“Të akuzuarit kanë qenë të ftuar në mënyrë të rregullt dhe mungesën nuk e kanë arsyetuar” , ka thënë gjyqtari në fillim të seancës.

“Për të akuzuarit Albin Kurti dhe Donika Kadaj-Bujupi, gjykata ka lëshuar urdhëresë për sjelljen me dhunë nga Policia e Kosovës, dhe sipas informatave të këtyre stacioneve, të njëjtit nuk janë gjetur në adresat e vendbanimit. 

Meqenëse se të njëjtit nuk iu janë përgjigjur këtyre ftesave, trupi gjykues merr aktvendim kundër të akuzuarve Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj-Bujupi që të lëshoi urdhëresë për ndalim/arrestim dhe dërgim në qendër të paraburgimit, dhe gjithashtu të njëjtëve do tu përcaktohet paraburgimi”, ka dhënë njoftimin për urdhërimin e arrestimit dhe paraburgosjes së të akuzuarve.

Në seancën në të cilën erdhi vetëm Faton Topalli si i akuzuar, nuk u paraqitën as dy deputetët e PDK’së Flora Brovina dhe Blerta Deliu-Kodra, të thirrura si palë të dëmtuara në këtë rast. 

Njëjtë ka vepruar edhe deputeti tjetër i PDK’së Bekim Haxhiu, i thirrur si dëshmitar.“Në mungesë të palëve shqyrtimi i sotëm nuk mund të vazhdojë. Seanca shtyhet në afat të pacaktuar”, tha gjyqtari.

Për rastin ka njoftuar edhe Policia e Kosovës. Sipas tyre, referuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore të Prihstinës, të datës 13 tetor 2017, policia të mërkurën ka dërguar njësinë patrulluese në adresat e dhëna nga gjykata për të kontaktuar me deputetët Kurti e Kadaj-Bujupi, por të njëjtit nuk janë gjetur në adresat e tyre, si dhe nuk ka qenë e mundur të kontaktohen.

“Përkitazi me këtë, policia ka njoftuar gjykatën themelore për veprimet e saj dhe mos gjetjen e personave në adresat e tyre përpara fillimit të seancës”, thuhet në njoftimin e PK’së.

Ndryshe, në dhjetor të vitit 2015, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë ndaj katër deputetëve Lëvizjes Vetëvendosjes. 

Ata akuzohen se secili veç e veç kanë kryer veprat penale “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.

Turpi gjykues i këtij rasti është i njëjti me atë që para më pak se një jave dënoi më 21 vite e gjysmë burgim, katër aktivistë të VV’së, njeri prej tyre deputeti Frashër Krasniqi, për sulmin terroristë me granatë ndaj objektit të Kuvendit të Kosovës, 4 gushtin e vitit të shkuar.

Për këtë Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar edhe përjashtimin e trupit gjykues të këtij rasti.

“Që të tre anëtarë të këtij trupi gjykues janë po ashtu gjyqtarë në çështjen penale që ndiqet kundër aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Adea Batusha, Atdhe Arifi, Egzon Haliti dhe Frashër Krasniqi”, thuhet ndër tjera në kërkesën e katër despotëve të akuzuar drejtuar Kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë.

“[…]trupi gjykues në përbërje të tillë vënë në dyshim paanshmërinë e trupit gjykues që duken të papërshtatshme dhe cenojnë një gjykim të drejtë”, thuhet në të njëjtën letër.