WASHINGTON (JTA): Pse Kosova vuri një kongresmen hebre në një pullë postare?

Aktuale November 22, 2017 - 11:02

Eliot Engel, një demokrat nga Nju Jorku është bërë kongresisti i parë i SHBA-së që do të paraqitet në një pullë postare në Kosovë. Ka një histori hebreje përse një popull me  shumicë muslimane e nderoi Engelin këtë javë me një pullë postare prej dy eurosh, raporton Jewish Telegraphic Agency, transmeton zeri.info

Engel ishte në mesin e një kuadri ligjvënësish të SHBA-së dhe figurave publike të cilët i kërkuan administratës së Klintonit të ndërhynte gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999, për shkak të frikës se do kryhej një gjenocid ndaj shqiptarëve etnikë të Kosovës nga Slobodan Millosheviç. Shumë nga të njëjtat figura ishin pjesë e shtytjes për të njohur shtetin ballkanik kur shpalli pavarësinë në vitin 2008.

Ndër të parët që bënë përpjekje për të mbrojtur Kosovën ishin Engel dhe Rep Jerry Nadler, një tjetër demokrat nga Nju Jorku, së bashku me senatorin Ben Cardin, D-Md, dhe dy kongresmenët e vonshëm, Rep. Tom Lantos dhe Ben Gilman si dhe memoaristin tashmë të ndjerë të Holokaustit, Elie Wiesel. Pyetni shqiptarët e Kosovës pse, dhe ata më shpesh po sesa jo do të shpjegojnë se kjo është për shkak se këta burra janë hebre. Shqiptarët shpëtuan hebrenjtë gjatë Holokaustit, dhe hebrenjtë më pas e kthyen favorin si zakonisht ndaj tyre.

Engel është i vetëdijshëm për vlerën e shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por ai dhe të tjerët thonë se ishin të përhumbur nga ngurrimi i Amerikës për të ndërhyrë në emër të hebrenjve gjatë Holokaustit dhe që të mos përsëritet historia.

"Çfarë po shihni në terren, shihni njerëzit atje, a shihni dëshpërim?" Engel pyeti një ekip amerikan për gjetjen e fakteve në një seancë të vitit 1998. "A mbretëron një ndjenjë që Shtetet e Bashkuara i kanë braktisur ata?"

Pulla postare me figurën e Engelit i’u paraqit atij këtë javë kur ishte në Kosovë për të ndihmuar në hapjen e një zyre të Millenium Challenge Corp, një agjenci e ndihmës së qeverisë amerikane. Zyra e Engelit ndihmoi për të siguruar një grant MCC prej 49 milionë dollarësh për vendin.

"Jam shumë i nderuar dhe i befasuar nga kjo. Nuk kisha asnjë ide", i tha Engel JTA-s në një mesazh të postës elektronike. "Puna ime për të promovuar marrëdhëniet SHBA-Kosovë ka qenë ndër përpjekjet më kuptimplote të viteve të mia në Kongres. Jam i lumtur që kam ndihmuar jetët e njerëzve dhe për të promovuar begatinë në rajon ".

Kjo nuk është nderi i parë për Eliot Engel në vend: Në vitin 2008 qyteti i Pejës e emroi një rrugë me emrin e tij./Zeri