Haradinaj: BE-ja po do ta bëjë anëtare Serbinë, neve s’na i heq as vizat

Aktuale November 21, 2017 - 22:39

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se në takimin e fundit në Bruksel, ka dërguar ankesa pasi Serbia ka arritur të kalojë pragun për të qenë pjesë e Bashkimit Europian, ndërsa edhe Kosova ka ndjekur njëkohësisht të njëjtit hapa porse në këtë aspekt po anashkalohet.

Haradinaj tutje ka shtuar se ka kërkuar që dialogu me Serbinë, të kalojë në pjesën finale, pasi sipas tij ka kohë të gjatë që është proces i ngadalësuara.

”Kam shkuar edhe unë dhe një pjesë e kabinetit kemi humb kohë dy ditë pune. I kam prezantuar pikëpamjet që ka Kosova, për proceset ndaj BE-së por edhe për dialogun”, tha Haradinaj në Zona e Debatit në Klan Kosova.

”Njëkohësisht jam ankuar për faktin se jemi ftuar të dyja vendet në dialog, ne edhe Serbia. Na është thanë shembull se Serbia ka statusin e kandidatit e ne kemi MSA-në, por përpos këtyre marrëdhënieve na u tha se dialogu është instrument shtesë që përshpejton rrugën drejt BE-së”.

”E çka ka ndodhë, përmes këtij instrumenti shtesë, Serbia ka arrit në prag me u ba anëtare e BE-së, ia kanë përmend edhe vitin edhe jo fort larg, e ne skemi lujt vendit si Kosovë”.

”Këto ia kam thënë, s’ka mundësi të na ftoni të dyja palët në tavolinë e na thoni se është instrument shtesë për me u antarësuar në BE, e njërën e bëni anëtare të BE-së, e neve as vizat sna i heq”, tha Haradinaj. /Klan Kosova/