Mungesa e Edukatës Seksuale në shkolla, me pasoja për të rinjtë

Aktuale November 21, 2017 - 11:22

Të rinjtë kosovarë po sfidohen ta mbrojnë veten nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme.

Që nga viti 1986, kur është paraqitur rasti i parë, në Kosovë llogaritet se janë rreth 110 raste të prekur me HIV-AIDS, megjithëkëtë qytetarët mbesin të painformuar rreth mënyrës sesi preken nga ky virus.

Informimi rreth shëndetit në shkolla nuk figuron në programin mësimor si lëndë. Abortet nga ana e nxënësve po ndodhin. Si pasojë e mos informimit ka stigmatizim dhe diskriminim të të rinjve të komunitetit LGBTI.  Dallime, madje ka edhe në raportin gjinor ndërmjet djemve dhe vajzave në shkolla.

Profesorë, sociolog, pjesëtarë të shoqërisë civile alarmojnë se lënda edukata seksuale në shkolla është kërkesë emergjente të futet në Kurrikulën mësimore. Kosova, sipas tyre është vonuar ta ketë këtë lëndë në shkolla dhe t’i mbrojë të rinjtë nga sëmundjet. Edukata seksuale është temë tabu edhe në familje.

Hana Zeneli nxënëse e klasës së dhjetë në gjimnazin shoqëror “Ahmet Gashi” dhe kryetare e klasave të dhjeta thotë se është shumë e nevojshme që kjo lëndë të jetë në planprogram në shkollat e Kosovës. Sipas saj duke marrë parasysh termin "seks" si temë e paprekshme akoma në shoqërinë dhe familjet kosovare, pasojat janë të shumta.

“Pasojat vërehen duke filluar prej shtatzënive të planifikuara e të hershme deri tek sëmundjet e transmetuara prej marrëdhënieve seksuale që krijohen mes të rinjve që nuk përdorin ( apo nuk dinë ) mbrojtje”, thotë ajo.

Zeneli tregon se mosinformimi i të rinjve në këtë fushë qon deri aty sa për disa aborti shihet si zgjidhja e vetme për këtë "problem".

Ajo thotë se vetëm njëherë në klasë të 9-të iu është mbajtur një ligjëratë për HIV/AIDS apo sëmundjet tjera transmetuese. Edhe në këtë rast, ligjërata sipas saj ka qenë e shkurtë dhe me shumë pak informata.

“Thjesht dukej si një obligim që ligjëruesi kishte ardhur vetëm ta kryej”.

Në shkolla, Zeneli thotë se me mësuesit diskutohet jashtëzakonisht rrallë për komunitetin LGBTI.

Ndërsa, thekson se mosdiskutimi i personave LGBTI qon deri tek mospërfshirja e tyre.

“Janë vazhdimisht në presion nga rrethi i tyre pasi që shumë individë (përfshirë mësimdhënësit dhe familjarët) akoma janë në gjendje të mos i pranojnë ata për orientimin e tyre seksual”, ka thënë ajo për “Zërin”.

Në familje nuk flitet për edukatën seksuale, as në shkollë nuk diskutohet

Aktivistja për të rinjtë Rina Zeka nga Prishtina thotë se thotë se meqë në shumicën e shteteve perëndimore, ekziston si lëndë edukata seksuale duhet po ashtu që edhe secili adoleshent kosovar të mësoj rreth masave mbrojtëse dhe rreziqeve që ju kanosen gjatë proceseve të ndryshme natyrore. Se në shkolla duhet të flitet për edukim shëndestor (seksual) ajo e quan madje urgjente.

Tani ajo thotë se në familje askush nuk e kontrollon fëmijën e tij në çfarëdo moshe qoftë se me kë shkruhet.

“Këta fëmijë nesër munden me qenë pre e pedofilisë, e trafikimit. Unë e diskutoj me shumë nëna të reja këtë fenomen por ato më thonë ‘kuku mos m'trano’, por askush nuk merret që të bëjë diçka”, ka thënë ajo. 

Zeka bënë të ditur se në shkolla është prezent dhe diskriminimi. Sipas saj diskriminimi në shkolla vërehet tek identiteti gjinor, sidomos në aktivitete sportive, ku gjithmonë të angazhuar kanë qenë e janë meshkujt për dallim prej femrave.

“Në të gjitha sportet dominojnë meshkujt. Pastaj pjesa tjetër mendoj se varet nga karakteri i mësimdhënësit”.

Ajo thotë se në shkolla nuk ka shumë dhunë ndaj komunitetit LGBTI, pasi që sipas saj shumica e fshehin përcaktimin e tyre dhe shfaqen vetëm para grupeve të vogla.

“Në qytet është më lehtë e pranueshme të jesh LGBTI , ndërsa në zonat rurale, besoj se nuk marrin guxim të ndajnë diçka kaq private në shoqëri”.

Miradije Gashi drejtoreshë ekzekutive e OJQ-së “Venera” që shtrin aktivitetin e saj në rajonin e Pejës kërkon që lënda e edukatës seksuale të inkuadrohet në shkolla.

“Kanë shumë nevojë të kenë disa njohuri për gjendjen seksuale. Sot të rinjtë që janë në shkolla shumë herët po hyjnë marrëdhënie seksuale dhe nuk janë duke i ditur pasojat, prandaj dhe po përballen me sëmundje të ndryshme”.

Shteti, sipas saj duhet të veprojë që këtë lëndë ta bëjë të obligueshme në planprogramin mësimor.

“Edhe nëpër familje edukata seksuale është temë tabu.

“Pra në familje nuk flitet, as në shkollë nuk diskutohet dhe të rinjtë mbesin pa njohuri, kanë mungesë të mëdha të njohurive. Të bëhet në shkollë si lëndë e detyrueshme, pastaj edhe në familje hapen temat”. Gashi thotë se as për personat LGBTI nuk ka njohuri shoqëria sa duhet.

“Janë temë e mbyllur dhe si pjesëtarë të shoqërisë, mbesin në margjina. Duhet të inkuadrohen në shoqëri si të barabartë sepse mendoj se janë lindur si të tillë dhe duhet të njihen ashtu të barabartë”, thotë Gashi duke shtuar se as kjo temë nuk flitet në familje

Mësimdhënësit heqin dorë nga ligjërimi i temave që kanë të bëjnë me edukatën seksuale

Profesorët alarmojnë se kjo lëndë do duhej shumë vite më parë të futet në planprogamin mësimor.

Avni Islami profesor universitar thotë se praktikat perëndimore kanë treguar se futja e lëndës së edukatës seksuale dhe shëndetësore në shkolla ka treguar efikasitet dhe ndërgjegjësim tek të rinjtë, e sidomos sipas tij tek mosha adoleshente që bazuar në njohuritë të cilat i kanë marrë nga lënda përkatëse iu ka hyrë në shërbim dhe në veprim që tek të rinjtë të mos ketë implikime në aspektin shëndetësor fizik, social, e psikologjik.

“Është mbase e nevojshme që dhe në Kosovë të hartohen kurrikula dhe kjo lëndë të jetë obligative në atë fazë ku ekspertët e shohin të nevojshme që të futet në program mësimor”.

Islami thotë se kjo lëndë është dashur që të futet së paku para dhjetë viteve të fundit.

“Unë besoj se futja e kësaj lënde e ulë koston e buxhetit familjar dhe të shtetit sepse shumë dukuri negative apo veprime të pamatura të të rinjve tanë mund të parandalohen gjatë mësimit të lëndës edukata shëndetësore dhe seksuale”, thotë profesor Islami.  

Ndërkaq, profesori i sociologjisë Besim Gollopeni thotë se në dy dekadat e fundit, në shumë vende të SHBA-së dhe vende evropiane (Holandë etj), për edukimin seksual mësohet nga kopshtet, klasa e parë dhe në disa vende nga klasa e pestë.

Por, Gollopeni vlerëson se mësimi për edukatën seksuale në shkolla për shoqëritë tradicionale siç është edhe shoqëria kosovare është akoma më i vështirë dhe i papranueshëm.

“Kjo temë konsiderohet ende si temë tabu për shumicën e shoqërisë kosovare. Diskutimet në publik rreth edukatës seksuale janë të papranueshme jo vetëm për kategorinë e ultë apo të mesme të shoqërisë kosovare, mirëpo, edhe për vetë klasën më të lartë të shoqërisë siç janë institucionet akademike dhe politikëbërse. Kemi shumë raste ku mësimdhënësit heqin dorë nga ligjërimi i temave të veçanta ku ka të bëjë me edukatën seksuale. Deri tek kjo situatë ndodhë për shumë arsye, më së shumti ndodh për shkak të frikës nga shantazhet e mundshme, fyerjet, etiketimet dhe për motive të tjera. Kështu bënë që kjo temë të ngelet temë tabu për shoqërinë kosovare”, thotë ai për gazetën.

Gollopeni thekson se mungesa e diskutimit rreth edukatës seksuale në ambiente familjare, shkollore, në jetën publike, bënë që të rinjtë të mos kenë njohuri të mjaftueshme për edukatën seksuale dhe gjithnjë e më tepër i bënë kureshtar ata për të provuar apo për të hyrë në marrëdhënie seksuale në moshë të re në njërën anë, ndërsa, në anën tjetër, në një situatë të tillë merr rol dominant interneti në (keq) edukimin seksual të të rinjve.

“Në shoqërinë kosovare, deri në moshën adoleshente, prindërit i edukojnë fëmijët e tyre rreth ardhjes në këtë jetë në forma nga më të ndryshmet si: disa prindër ju thonë fëmijëve të tyre se në këtë jetë i ka sjellë ‘Lejleku’, disa të tjerë ju thonë se ju kemi gjet te ‘Bregu i Lumit’, dhe forma të tjera. Pra, që në fëmijërinë e hershme fëmijët edukohen mbrapsht apo mashtrohen rreth procesit të ardhjes së tyre në këtë jetë”, thotë ai.   

Një pjesë e shkollave ka hequr nga kurrikuli edhe lëndët shoqërore                 

Profesor Gollopeni thotë se duhet të informohet opinioni se edukata seksuale nuk ka të bëjë vetëm me kryerjen e aktit seksual, mirëpo, kjo është një temë shumë më e gjerë se kaq.

“Përmes mësimit rreth edukatës seksuale, të rinjtë edukohen me një fushë të gjerë termash si trupi i njeriut, gjinia, anatomia seksuale, shëndeti e orientimi seksual, riprodhimi, shtatzënia e shumë koncepte të tjera. Natyrisht, mungesa e edukimit seksual, bënë që të rinjtë të hynë në marrëdhënie seksuale në moshë shumë të re dhe kështu të devijojnë nga mësimet, lindje të pa dëshiruara, infektim nga sëmundjet të ndryshme, dhe shoqërohen me çrregullime të tjera sociale. E tëra kjo situatë vjen si rezultat i mungesës së edukimit seksual në familje dhe veçanërisht në institucione shkollore”. Prandaj, ai rekomandon që institucionet shkollore të japin mësime për edukatën seksuale, në përputhshmëri me moshën e fëmijëve.

Në mungesë të edukatës seksuale në shkolla, ai bënë të ditur se vjen në shprehje edhe diskriminimi rreth orientimeve seksuale.

“Prandaj, edukimi gjithëpërfshirës seksual ka një rol shumë të veçantë në shmangien e sëmundjeve transmetuese, paragjykimet mbi orientimet seksuale dhe të tjera”, thotë ai.

Sociologu Ferdi Kamberi thekson se sistemi aktual i arsimit në Kosovë është i bazuar më shumë në mënyrën mekanike se sa në atë praktike. “Shoqëria kosovare karakterizohet si shoqëri e cila ka një strukturë të re të popullsisë dhe si e tillë ajo ka nevojë për një edukim të mirëfilltë gjithëshoqëror”, thotë ai.

Krahas këtij edukimi vërehet që në kuadër të kurrikulit shkollor, mungon edukimi dhe përgatitja për jetë, ka një mungesë të edukimit seksual, edukimit social, fetar...

Madje, së fundi ai thotë se një pjesë e shkollave ka hequr nga kurrikuli edhe lëndët shoqërore të cilat sado pak kanë dhënë një kontribut për përgatitjen e gjeneratave të reja. Kamberi thotë se edukimi seksual është i nevojshëm në suazat e tilla, që të rinjtë të kenë njohuri më të mëdha mbi konstruktin biologjik të njeriut, sëmundjet seksuale, si dhe probleme të tjera që lidhen me vet biologjinë e njeriut.

“Ndaj, mungesa e edukimit të tillë brenda kurrikulit shkollor, mund të bart pasoja të tilla, si: probleme dhe sëmundje seksualisht të transmetuara (SST) të cilat mund të ndodhin sidomos gjatë kohës së adoleshencës e cila është një fazë tejet e ndjeshme, infektim me HIV-n, pastaj mungesa e këtij edukimi ka rëndësi edhe shfaqjen shtatëzënisë së hershme, si dhe probleme të tjera që ndërlidhen me shëndetin, seksin dhe riprodhimin shoqëror”, thotë ai për gazetën.  

Mungesa e vetëdijesimit shoqëror, ai bënë të ditur se pasqyron një fakt se ka numër të aborteve të cilat vijnë kryesisht si rezultat i mungesës së informacioneve mbi jetën seksuale.

Në një studim nga RrGGK (Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës) theksohet se përafërsisht, 11% e grave kanë thënë se kanë pasur një abortim gjatë jetës, përfshirë edhe 8% të vajzave dhe grave të moshave 16-49.

Në përjashtim të çështjeve shëndetësore, arsyeja tjetër për të cilën gratë kanë thënë që kanë pasur abortim janë; fëmijë të padëshiruar, shpenzimet të cilat ndërlidhen duke pasur parasysh që janë shumë të reja.

“Një grua ka thënë që fryti ka qenë vajzë, dhe se ata kishin dashur djalë”, thuhet në këtë hulumtim.

Në vitin 2009 në Prishtinë është miratuar “Strategjia për shkollat promovuese të shëndetit në Kosovë 2009 – 2018”. Gjatë procesit të përpilimit të strategjisë së shkollave promovuese të shëndetit, grupet e ekspertëve në fusha të ndryshme identifikuan gjashtë objektiva strategjikë, të cilët duhet të arrihen në periudhën e paraparë. Në mesin e tyre është paraparë dhe nivel i kënaqshëm i kulturës shëndetësore tek nxënësit.

Në nenin 4.4. të strategjisë thuhet se “Deri në vitin 2018 të gjitha shkollat të kenë një kurrikul dhe materiale edukative shëndetësore të mjaftueshme për tëi plotësuar nevojat e përfituesve të tyre”.

Derisa edhe një muaj e gjysmë na ndan që të hyjmë në vitin 2018, në shkollat e Kosovës kjo strategji nuk është zbatuar ende. 

(Ky artikull është mundësuar me përkrahjen bujare të popullit amerikan përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID. Përmbajtja është përgjegjësi e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR KS) dhe nuk pasqyron pikëpamjet e USAID-it apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Artikulli është pjesë e projektit “Pjesëmarrja e të rinjve në edukim gjithëpërfshirës” që implementohet nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR KS), përmes Programit Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID dhe zbatuar nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim –ATRC.)