Përfaqësuesit partiakë: Të gjithë kemi fituar

Aktuale November 20, 2017 - 19:08

Një ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve të balotazhit, përfaqësuesit e katër partive politike, LDK-së, PDK-së, LVV-së dhe AAK-së, në emisionin “IMAZH” të RTK-së u deklaruan fituese të zgjedhjeve, kurse secili përfaqësues e akuzon tjetrin me epitetin e “humbësit”.

Përfaqësuesi i LDK-së, Armend Zemaj tha se partia e tij ka fituar më së shumti në zgjedhjet lokale, përfshirë komunat dhe votën popullore, kurse përfaqësuesi i PDK-së, Uran Ismaili thotë se partia e tij ka fituar më së shumti asamblesitë ndërsa është vetëm 10 mijë vota larg LDK-së me votë popullore.

Edhe Donika Kadaj-Bukupi e Vetëvendosjes tha se partia e saj ka fituar dy komunat më të mëdha të Kosovës, që sipas saj, janë gjysma e vendit, Prishtinën dhe Prizrenin. 

Kurse Rasim Selmanj i AAK-së tha se partia që ai përfaqëson në debat, është fituese e qeverisjes komunale në shtatë komuna, që i bije se AAK fitoi qeverisjen.

Sipas këtij debati, me temën “Kush fitoi e kush humbi më 19 nëntor?, të gjithë kanë dal fitues….

“Absolutisht, jemi subjekti i parë në dy etapat, përfshirë edhe balotazhin. 
Këto zgjedhje tregojnë se qytetarët kanë përqafuar programin tonë. Në Prishtinë jemi në fazën e pritjeve të të gjitha rezultateve, sepse diferenca është në më pak se 200 vota, ndërsa janë rreth 1500 vota më kusht”, tha Zemaj, sipas të cilit LDK nuk tregohet euforike.

Kurse Uran Ismaili nga PDK, thotë se partia e tij edhe pse i ka humbur disa komuna, ajo prapë qëndron mirë me votën popullore, kurse është e para me asambleistë. 

Sipas tij, PDK nuk ka qenë pjesë e pazareve politike, prandaj ka humbur udhëheqjen qeverisëse komunale, por me votë është “aty ku ka qenë”. 

Ai përmendi disa herë që është vetëm 10 mijë vota larg LDK-së. Edhe Isamili Tha se gara në Prizren nuk ka përfunduar akoma, derisa të numërohen votat me kusht.

“Është mbyllë një cikël që i ka dhënë Kosovës edhe një herë një vulë demokratike për cilësi. Kemi një dallim prej 10 mijë votash në kontekstin nacional më pak se LDK. 
Prijmë me asambleista ndërsa vota e përfaqësimit është e jona.

 Në raundin e parë jemi të parët”, tha ai.Donika Kadaj-Bujupi e Vetëvendosjes ishte më e zëshmja në këtë debat. 

Ajo tha se përkundër sfidave që ka pasur LVV ka arritur ta fitoj gjysmën e vendit. Kadaj -Bujupi iu referua fitores në Prishtinë dhe në Prizren.“Ne fituam në Prishtinë, Prizren dhe Dardanë. Këto janë gjysma e Kosovës. 

Të gjitha janë bërë bashkë kundër neve në Prishtinë, por kemi dal fitues. Është propagandë që ka vazhduar nëpër media, dhe ka qenë garë e vrazhdë dhe të gjithë kanë qenë kundër nesh, përfshirë edhe analistët, TV-të, etj”, deklaroi ajo.

Donika Kadaj ishte e bindur se fitorja në Prishtinë në takon Vetëvendosjes, duke besuar se votat me kusht janë të tyre. “Në tetor kemi marrë 90 për qind votat e mërgatës”, tha ajo.Ndërsa Rasim Selmanaj nga AAK, tha se partia e tij ka dal fituese e zgjedhjeve lokale. 

“Janë rezultate të pritshme sepse në komunat që kemi fituar kemi pas kandidatët më të mirë. Edhe puna e Ramush Haradinaj si kryeministër ka ndikuar në rezultate. 

Në Istog ende nuk është përmbyllë procesi, derisa të numërohen votat e 1500 votave me kusht”, deklaroi ai.