Engel: SHBA të përfshihet në dialogun Kosovë-Serbi

Aktuale November 20, 2017 - 13:21

Kongresmeni amerikan, Eliot Engel ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të përfshihen në dialogun me Serbinë, ani pse është çështje e Bashkimit Evropian.

Ai tha se Kosova nuk është në Kombet e Bashkuara për shkak të telasheve që i vijnë Kosovës nga Serbia dhe nga Rusia.

Kongresmeni amerikan këto komente i ka bërë në lansimin e fondacionit Sfidat e Mileniumit në Kosovë, fondacion ky prej 49 milionë dollarëve, i cili do t'i implementojë projektet e agjensionit federal amerikan MCC në Kosovë.

“Shtetet e Bashkuara patjetër duhet të përfshihen edhe pse është çështje e Bashkimit Evropian. Është Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të përfshihen në këtë, pra jam në të mirën që të dy vendet të hyjnë, por jam goxha i zhgënjyer me qëndrimin e Qeverisë serbe ndaj Kosovës. E dini se Kosova ende nuk është në Kombet e Bashkuara për shkak të telasheve nga Serbia dhe nga Rusia, Kosova po përpiqet të hyjë në agjenci të ndryshme si Interpoli për shembull dhe sërish Serbia e ka bllokuar hyrjen e Kosovës. Po ashtu, edhe në UNESKO, Kosova ka humbur për tri vota dhe po i them këto sepse janë dy vende, Serbia dhe Kosova që nëse ato po përpiqen që të punojnë bashkë duke biseduar dhe duke ecur drejtpërdrejt kah BE-ja, atëherë njëri vend nuk duhet të ia minoj kërkesat e vendit tjetër. Ata duhet që të punojnë bashkërisht, duhet që të lehtësojnë punën dhe do të dëshiroja ta shihja një gjë të këtillë”, tha ai.

Ai shtoi se është takuar me Vuqiçin dhe me Daqiçin dhe se është i bindur se përmes dialogut me SHBA-të mund të arrijnë këto, sepse sipas tij nuk është fer që Kosova të bllokohet në rrugëtimin e saj drejt këtij qëllimi.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se me fillimin e këtij projekti po e konfirmojnë një kapitull të ri të marrëdhënies mes Kosovës dhe Amerikës.

Shefi i Qeverisë tha se programi i MCC-së fokusohet në dy fusha, e para që është energjetika dhe e dyta qeverisja transparente.

“Kjo marrëveshje sjell sot 49 milionë dollarë për zhvillimin ekonomik të Kosovës për sektorin e energjisë, por edhe për sektorin e drejtësisë. Unë kam udhëzuar ministritë përkatëse, agjencionet dhe institucionet tjera të bashkëpunojnë plotësisht në implementimin e kësaj marrëveshje. Mendoj se tri gjëra janë të rëndësishme sot deri sa po zhvillohet kjo konferencë, e para është që kjo është një donacion i pakthyeshëm nga populli amerikan, nuk është borxh apo kredi, por një ndihmë konkrete, në projekte konkrete. Kjo ndihmë ka qenë e kushtëzuar në disa kushte, ne tani i kemi plotësuar ato kushte dhe po punojmë t’i marrim rezultatet më të mira të punës tonë. E dyta është në fushat që do të financohen nga ky grant janë fusha që i kemi përzgjedhur vetë. Pika e tretë është që ne nuk do të ndalemi derisa të sjellim edhe investime tjera”, tha ai.

Haradinaj ka falënderuar Presidentin Thaçi dhe ish-presidenten Jahjaga por edhe ish-kryeministrin Mustafa që sipas tij kanë dhënë kontributin e tyre për fondacion.

Zyrtari kryesor operues i Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC), Jonathan Nash, tha se Kosova ka potencial për zhvillim dhe në këtë drejtim do ta ketë përkrahjen e ShBA-së.

“Këto 49 milionë dëshiroj të jenë investime për kosovarët për ndërtimin e një të ardhme më të fuqishme ekonomike për këtë republikë dhe ne do të mbështesim Qeverinë e Kosovës për forcimin e institucioneve të veta, sundimit të ligjit. Si dhe për të krijuar mundësi për rritje, për zvogëlimin e varfërisë dhe ngritjen e stabilitetit rajonal duke pas ofruar qasje në energji elektrike të besueshme duke e zgjeruar edhe tregun dhe duke i zvogëluar shpenzimet në ekonomitë familjare”, tha ai.

Ndërkaq, zëvendës ambasadorja e Amerikës në Kosovë, Colleen Hyland, ka thënë se tashmë Qeveria e Kosovës e ka përgjegjësinë për zbatimin e programit me efikasitet dhe llogaridhënie për qytetarët e Kosovës.

“Që të gjithë kemi optimizmin dhe krenarinë përderisa po kalojmë tash në zbatimin e programit të pragut të Sfidave të mijëvjeçarit, duke i kuptuar se pa bashkëpunimin tonë nuk do të ishte e mundshme që të ndjehet edhe ky impakt mbi njerëzve në Kosovë. Kryeministri Haradinaj e di se qeveria tash e ka përgjegjësinë për zbatimin e këtij programi me efikasitet dhe llogaridhënie për qytetarët e Kosovës dhe e mirëpresim partneritetin me ju. Dhe presim që ky fondacion të mos humbas fare kohë, por të ja filloj punës. Jemi të bindur se do të punojnë në sektorin e energjisë dhe për qeverisjen transparente dhe ta qoj atë edhe në nivelin më të lartë. Po llogarisim në këtë dhe po llogarisim në të gjithë të tjerët se janë shumë pak çështje të cilat janë më të rëndësishme se sa këto për të ardhmen e Kosovës”, tha ajo.

Programi i Pragut i MCC-së për Kosovë përkrahë përpjekjet e Qeverisë për të ulur shpenzimet e energjisë në ekonomi familjare dhe biznese, dhe për të përmirësuar transparencën dhe llogaridhënien me përqendrim në reformat institucionale dhe të politikave.

Programi i Pragut i MCC-së është një program më i vogël i granteve, i cili përqendrohet në avancimin e reformës institucionale dhe të politikave e që i ndihmon shtetet partnere që t’ju shërbejnë popujve të tyre më mirë. Investimet e MCC-së me grante promovojnë rritjen ekonomike dhe u ndihmojnë njerëzve që të ngritën mbi varfërinë duke krijuar kështu shtete më stabile dhe më të sigurta, si dhe mundësi të reja biznesore./Rtk