Engel: Askush nuk më besoi se Kosova do të jetë e lirë, por tani do ta keni çdo herë mbështetjen e Amerikës

Aktuale November 20, 2017 - 09:42

Kongresmeni amerikan Eliot Engel, i cili është duke qëndruar në Kosovë, gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Ramush Haradinaj, ka thënë se në kohën kur ai filloi të merret me çështjen e Kosovës, askush nuk i besoi se Kosova një ditë do të jetë vend i pavarur dhe demokratik, raporton “Zeri.info”.

Në këtë konferencë të përbashkët, kryeministri Haradinaj, e falënderoi kongresmenin Engel për mbështetjen që ai personalisht i ka dhënë Kosovës, por edhe për mbështetjen e parezervë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, raporton “Zeri.info”.

“Është kënaqësi e nder që këtë miqësi që e kemi nga kohët e vështirat ne populli i Kosovës me Amerikën po e thellojmë tani në avancimin e demokracisë, forcimin e lirisë për të gjithë ne që jetojmë në Kosovë për të gjitha komunitetet po ashtu. Ishte nder i madh që edhe dje në zgjedhjet lokale në raundin e dytë ju kishim ju pra si dëshmitarë edhe ta konstatojmë së bashkë se Kosova vërtetë është një demokraci premtuese. Kosova ende ka tema të hapura por edhe përcaktimin e saj euroatlantik. Në temat e hapura ne e kërkojmë ndihmën e juaj, ndihmën e Amerikës dhe po ashtu ju premtojmë që do ta nderojmë këtë ndihmë.... sot na bëtë nderë me adresimin që i bëtë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës për nderë të tuajin”, deklaroi Haradinaj, raporton “Zeri.info”.

Në këtë konferencë, kreu i ekzekutivit, i dhuroi edhe një pullë postale kongresmenit Engel.

“Po ashtu desha të ju njoftoj se Posta e Kosovës ka bërë një pullë postale për nderë të tuajin me foton dhe emrin e juaj. Ne jemi me fat që ju kemi mik. Faleminderit shumë kongresmen”, deklaroi Haradinaj, raporton “Zeri.info”.

LEXO EDHE: Engel: Çështja e Demarkacionit duhet të zgjidhet

Në anën tjetër, kongresmeni amerikan, Eliot Engel, deklaroi se SHBA-të, në çdo moment do ta përkrahin Kosovën dhe qytetarët e saj në çdo aspekt, raporton “Zeri.info”.

Ai po ashtu në këtë konferencë bëri të ditur se në momentin kur ai është zgjedhur për herë të parë kongresmen askush nuk i ka besuar asaj se çfarë thoshte Engel për Kosovën. Ai tha se ka qenë shqiptaro-amerikani Herry Bajraktari ai i cili i ka treguar për Kosovën, raporton “Zeri.info”.

“ SHBA-të natyrisht janë vendi më i vjetër në vend kurse Kosova është një prej vendeve më të reja demokratike në Evropë dhe botë. Ballkani vite të tëra ka qenë një shkaktar i destabilitetetit të vendit dhe tash e kemi një demokraci ku të gjithë pjesëtarët e shoqërisë mund të marrin pjesë në të dhe një shoqëri shumë etnike si Kosova ju tregon krejt botës çfarë mund të arrihet që ti lëmë prapa kohët e këqija dhe të ecim drejt të rejave në një vend të ri, të pavarur demokratik me një të ardhme për të rinjtë e këtij vendi. Me vite të tëra jam përpëlitur duke punuar dhe duke luftuar për pavarësinë e Kosovës. Kam folur në Uashington për një Kosovë të pavarur dhe më thoshin se kjo është vetëm një ëndërr që nuk do të realizohej kurrë dhe tani ju mbështet juve dhe Qeverisë së re iu uroj gjithë të mirat dhe ta dini se do ta keni gjithmonë mbështetjen time dhe kosovarët gjithmonë mbështetjen tonë dhe Kosova do të trajtohet në mënyrën e duhur ashtu siç e meriton. Kur unë jam zgjedhur për herë të parë kongresmen, miku im i mirë Herry Bajraktari, i cili ka lindur në këtë vend por ka ardhur në Amerikë kur ishte vetëm 12-vjeçar dhe ka ardhur më ka treguar se çfarë po ndodhte në atë vendin që dikur quhej ish-Jugosllavi dhe pastaj filluam që të hulumtonim dhe sa më shumë që hulumtuam e pashë që dëshiroja që të isha pjesë e kësaj lufte dhe filluam që t’i njoftonim kolegët e mi një nga një dhe ua treguam të gjitha gjërat që i dinim atëherë dhe njerëzit thoshin se kjo nuk do të ndodhte kurrë, nuk do të ndodhte kurrë liria. Prandaj i falënderoj të gjithë qytetarët e Kosovës, Qeverinë dhe të gjithë. Ju premtoj se ju çdo herë do ta keni mbështetjen e SHBA-ve”, deklaroi ndër të tjerash Engel, raporton “Zeri.info”.

Ai po ashtu, i dhuroi kryeministrit Haradinaj, një flamur si dhuratë, flamur ky që siç tha Engel, është ngritur në kongres për nderë të kryeministrit Haradinaj, në ditën e pavarësisë së Amerikës, pra më 4 korrik.

“Zotëri kryeministër ju më dhatë këtë pullë postale, por edhe unë dua të ju jap një dhuratë në të cilën janë të gjitha flamujt e shteteve të Amerikës të cilët valojnë në ndërtesën e Kongresit të Amerikës”, deklaroi Engel, raporton “Zeri.info”.