KQZ: Në zgjedhje votuan 38,10% e qytetarëve

Aktuale November 20, 2017 - 08:11

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) gjatë ditës së djeshme për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale tha se në 19 prej komunave të Kosovës 38,10% të qytetarëve e kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar, për dallim nga rundi i parë i zgjedhjeve lokale ku kishin votuar 43,70% e qytetarëve, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Pavarësisht kësaj, KQZ-ja njoftoi edhe për zgjedhje të qeta dhe të suksesshme pa ndonjë incident që do dëmtonte integritetin e zgjedhjeve.

Gjithashtu KQZ-ja pas përfundimit të rundit të dytë të zgjedhjeve u shpreh e kënaqur me organizimin e zgjedhjeve dhe mbarëvajtjen e tyre gjatë tërë ditës, duke potencuar se nuk ka pasur raportime për ndonjë parregullsi gjatë ditës që vlen të përmendet.

LEXO EDHE: PDK-ja nokautohet në rundin e dytë

Valdete Daka, kryetare e KQZ-së, ka thënë se procesi i rundit të dytë të zgjedhjeve është zhvilluar në mënyrë të qetë dhe të mirë.

"Jemi të kënaqur sepse procesi ka kaluar qetë dhe pa ndonjë raportim që do të dëmtonte integritetin e këtyre zgjedhjeve", ka thënë Valdete Daka, kryetare e këtij Komisioni, shkruan tutje "Zëri".

Engel: SHBA-ja është gjithmonë këtu për Kosovën

Kongresisti amerikan, Eliot Engel, në një vizitë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve shprehu kënaqësinë e tij që shteti i Kosovës është duke organizuar zgjedhje të lira e demokratike dhe shprehu mbështetjen e SHBA-së dhe të tij veçanërisht kundrejt Kosovës.

LEXO EDHE: Liderët votuan

“Ishte koha kur njerëzit më thanë se pavarësia e Kosovës ndoshta nuk do të ndodhë dhe unë u thashë se do të ndodhë me kohë dhe një ditë të gjithë ne do të jemi në një Kosovë të lirë dhe të pavarur. Ja, ku jemi në Kosovën e lirë e të pavarur dhe zgjedhje të lira demokratike e duke parë këtë se sa njerëzit kujdesen për demokracinë dhe kjo më bën mua shumë special. Siç e dini SHBA-ja është mbështetësi i madh i Kosovës dhe unë do të bëj çdo gjë është në fuqinë time për të siguruar se të dyja vendet janë duke punuar së bashku dhe për të ndërtuar demokracinë së bashku”, ka thënë ai.

Ai ka thënë gjithashtu se do të bëjë çdo gjë që shtetet tona të vazhdojnë bashkëpunimin, si dhe bëri të qartë që Kosova vazhdimisht do të këtë përkrahjen e SHBA-së dhe të tij veçanërisht. Engel gjithashtu përgëzoi KQZ-në për organizimin e zgjedhjeve dhe ftoi të gjithë qytetarët që të japin votën e tyre.

“Unë gjithmonë do të jem mik i Kosovës. Unë kam qenë këtu para shpalljes së pavarësisë, isha i lumtur të shoh pavarësinë dhe të shoh kombin duke u rritur në liri e në demokraci. Është nder dhe kënaqësi për mua të jem në Kosovë dhe e di se do të keni zgjedhje të mira dhe ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë popullit të Kosovës”, ka thënë ai.

Engel ka thënë gjithashtu se është me rëndësi që zgjedhjet të tregohen kredibile dhe të kalojnë në atmosferë të qetë dhe pa dhunë.

Janë hapur me kohë të gjitha vendvotimet

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, bëri të ditur se në kohën e paraparë janë hapur të gjitha qendrat e votimit (614) në komunat ku po mbahet rundi i dytë i zgjedhjeve.

Në emër të KQZ-së Daka u bëri thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote nga komunat: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Shtime, Suharekë, Ferizaj, Vushtrri, Malishevë, Kllokot dhe Partesh që të shfrytëzojnë të drejtën kushtetuese për të zgjedhur kryetarin e ardhshëm të komunës së tyre. Deri në orën 11:00 kanë votuar 6,90 për qind e qytetarëve me të drejtë vote. Kjo është bërë e ditur sot nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha në konferencën e dytë për medie se procesi zgjedhor në 19 komuna po zhvillohet normalisht.

“Në bazë të dhënave të dërguara në mënyrë elektronike nga 96 për qind e vendvotimeve të 19 komunave të Republikës së Kosovës e po ashtu dhe të Komunës së Parteshit, nga 1 milion e 353 mijë e 307 votues sa janë gjithsej në 20 komuna të Republikës së Kosovës deri në orën 11:00 kanë votuar 89 mijë e 472 votues apo 6,90 për qind e votuesve. Në rundin e parë më 22 tetor në këto 19 komuna deri në të njëjtën kohë patën votuar 118 mijë e 949 votues apo 8,78 për qind. Duke u mbështetur në informacionet e deritashme nga qendrat e votimit procesi zgjedhor është duke vijuar normalisht”, tha ai.