PDK fton policinë e hetuesinë, Bahtiri ambasadorët e huaj

Aktuale November 19, 2017 - 13:13

Dega e PDK-së në Mitrovicë ka ftuar organet kompetente, Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë që të monitorojnë procesin zgjedhor nga afër, që përfaqësuesit e këtyre institucioneve të sigurisë të rijnë afër vendvotimeve, pasi që, “vëzhgues e komisionarë kanë evidentuar lëvizje të dyshimta të aktivistëve të AKR-së, përfshirë familjarë të Agim Bahtirit, të cilët po bëjnë presion tek votuesit në qendra të ndryshme të votimit”, shkruan “Zeri.info”.

“Rasti më eklatant është ai i zv. ministrit Besnik Beka, i afërm i Agim Bahtirit, i cili është futur pa autorizim në qendrën e votimit në shkollën fillore ‘Migjeni’ në Mitrovicë, edhe pse dihet që qendra e tij e votimit nuk është në këtë shkollë. Sa për ilustrim të rasteve të dyshimta të presionit nga ana e aktivistëve të AKR-së, po përmendim disa.  Bajram Kosovali, i afërt me Agim Bahtirin,  po hyn nëpër qendra të votimit pa autorizim. Disa persona me automjetin e tipit Taureg, ngjyrë hiri, me targat 01-717-HN po frekuentojnë të gjitha qendrat e votimit dhe si duket po sjellin materiale nga selia e AKR-së, gjë për të cilën morëm informacion se Policia e Kosovës ka vizituar zyrat e AKR-së. Një veturë tjetër e tipit Golf, me ngjyrë të zezë dhe targa 646-KS-487 po frekuenton afër qendrave të votimit, si në Shipol, Trepçë, Gushavc e shumë qendra tjera, pastaj vetura e tipit Toyota jep, me targa 02-221-AU, që vozitet nga shoferi i Agim Bahtirit po qarkullon afër qendrave të votimit. Gani Rama, drejtor i shkollës së mesme të mjekësisë “Dr. Xheladin Deda”, aktivist i AKR-së po frekuenton qendrat e votimit në Mitrovicë. Jeton Ujkani, drejtor dhe i afërm i Agim Bahtirit, me veturën e tipit Golf +, ngjyrë hiri, në vazhdimësi po i frekuenton qendrat e votimit”,

Kandidatja e PDK-së për kryetare të Mitrovicës, Vldete Idrizi, e cila ka votuar në qendrën e votimit në shkollën fillore “Çajupi”, tha se është ditë e madhe për Mitrovicën. Ajo ka ftuar qytetarët që të dalin masovisht në zgjedhje dhe të votojnë për ndryshimin.

Por, edhe kandidati i AKR-së për kryetar të Mitrovicës edhe për një mandate, Agim Bahtiri, gjithashtu i ka ftuar Policinë por edhe ambasadorët e huaj që t’i dërgojnë përfaqësuesit e tyre në Mitrovicë, sepse siç tha Bahtiri, “Mitrovica është në një situatë jo të lakmueshme nga aspekti i sigurisë”.

“Mesazhi im është që të gjithë qytetarët i madh e i vogël prej 18 deri në 100 vjet të votojnë, sepse është ditë e madhe për Mitrovicë. Njëkohësisht kisha me i ftu Policinë dhe hetuesinë e Kosovës që ta kryejnë punën e vet në bazë të ligjit që kanë, por edhe ndërkombëtarët, të gjithë ambasadorët që t’i dërgojnë përfaqësuesit e tyre në Mitrovicë, sepse Mitrovica është në një situatë jo të lakmueshme nga aspekti i sigurisë”, ka thënë Bahtiri.

Ndryshe, procesi zgjedhor në Mitrovicës është duke shkuar mirë dhe nuk është shënuar asnjë incident. Të drejt vote kanë 79.564 qytetarë, të cilët votën e tyre do të hedhin në 28 qendra votimi./Zeri/.