Engel: Demokracia kosovare, model për plot shtete

Aktuale November 19, 2017 - 09:36

Kongresisti amerikan Elliot Engel ka thënë se është i lumtur që puna e bërë në krijimin e një shteti sovran dhe të pavarur, është kurorëzuar me një sistem demokratik në Kosovë.

Ai ka deklaruar se Amerika do të jetë gjithmonë krah kosovarëve, ndërsa mezi pret ditën që shteti që më 2008 u mëvetësua të anëtarësohet në Bashkimin Europian dhe NATO, njofton Klan Kosova.

“E kam thënë për shumë vjet se Kosova do të jetë vend i lirë, i pavarur dhe demokratik, dhe ja ku jemi tani. Jemi përpjekur të organizojmë zgjedhje më 1996, por nuk u patëm lejuar nga autoritetet serbe. Por sot jemi në një Kosovë të lirë dhe demokratike. Plot shtete që e kundërshtojnë pavarësinë tuaj nuk e kanë këtë nivel demokracie. Jam krenar dhe i lumtur me miqësinë që Kosova dhe SHBA kanë ndërtuar”.

“Ta dini që ne do të jemi gjithmonë këtu, për t’ju mbështetur vazhdimisht. Mezi pres që Kosova të jetë anëtare e Bashkimit Europian dhe e NATO. Ju falënderoj që gjithmonë më pritni kaq ngrohtë. Kosova është shtëpia ime e dytë”.