Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Guinnea Bissau, ja çfarë ka ndodhur

Aktuale November 18, 2017 - 11:02

Rasti i Guinnea Bissau u bë kontesti i radhës ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por edhe rasti i parë në të cilin përgjigjja në pyetjen nëse ky shtet e ka njohur Kosovën varet nga alfabeti cirilik dhe ai latin, shkruan B92.

Siç transmeton Gazeta Express, sipas të dhënave të publikuara në ueb-sajtin e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën të Qeverisë serbe, Guinnea Bissau e ka njohur Kosovën më 14 janar 2011 dhe gjendet në vendin e 74-t nga gjithsej 107 shtete, por kjo informatë gjendet vetëm në versionin me alfabet latin të sajtit.

Nëse në të njëjtën faqe përcaktoheni për alfabetin cirilik, do të hapet një listë në të cilën gjithashtu gjenden 107 vende, por aty s’gjendet Guinnea Bissau. Në vend të këtij vendi afrikano-perëndimor, numrin e plotëson, në vendin e parafundit, Singapuri, i cili nuk gjendet në listën në versionin latinik të sajtit.

Kryeministri i Guinnesë Umaro Sisoko Embalo, i cili në këtë funksion gjendet nga nëntori i vitit të kaluar, deklaroi të premten në Beograd se ai s’ka parë asnjë dokument që do të dëshmonte se vendi i tij e ka njohur Kosovën.

Në anën tjetër, mediat kosovare publikuan faksimil të notës verbale të Guinnesë Bisao për njohjen e Kosovës, të nënshkruar nga presidenti i atëhershëm, tash i ndjerë, si dhe fotografi të zëvendësministres së atëhershme të jashtme të Kosovës, Vlora Çitakut, duke e pranuar atë notë.

Përndryshe, në Serbi në përdorim zyrtar janë të dy alfabetet dhe shumica e ueb-faqeve i kanë të dy versionet.