Policia e Kosovës ka marrë masat për ditën e zgjedhjeve

Aktuale November 17, 2017 - 15:22

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka bërë përgatitjet me kohë për të garantuar rendin dhe sigurinë e përgjithshme gjatë procesit zgjedhor të balotazhit.

Bazuar në detyrat dhe autorizimet ligjore Policia e Kosovës, sikurse edhe herëve tjera gjatë proceseve zgjedhore, përmes hartimit të urdhrit operativ policor edhe kësaj radhe ka bërë të gjitha planifikimet e nevojshme lidhur me procesin zgjedhor për balotazh, që do të mbahen me 19 nëntor 2017”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, mbarëvajtjes së procesit zgjedhor për balotazh, Zyra për Informim e policisë ka thënë se do të angazhohen një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin njësiteve të ndryshme brenda Policisë së Kosovës, raporton Zëri.info

Sipas planifikimeve policore qëllimi i urdhrit operativ për procesin zgjedhor të balotazhit është bërë i ditur se është krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para-gjatë dhe pas procesit zgjedhor të balotazhit.

Po ashtu në këtë plan përfshihet dhe sigurimi i qendrave të votimit, këshillave komunale të zgjedhjeve, depove komunale, qendrës së numërimit të rezultateve dhe depos qendrore.

Pastaj, përcjellja e sigurt dhe sigurimi i të gjithë materialit sensitiv zgjedhor nga të gjitha destinacionet e parapara sipas planit të sigurisë deri në përfundimin e operacionit policor, që ndërlidhet me procesin zgjedhor të balotazhit.

“Inicimi dhe procedimi i çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrja e të gjitha masave procedurale-penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet pozitive të vendit që rregullojnë-sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me prokurorin e Shtetit sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj”, thuhet më tutje në njoftim.

Policia e Kosovës iu ka bërë thirrje të gjithë drejtuesve të subjekteve zgjedhore dhe qytetarëve që për çdo informacion të dyshuar, apo çështje që ndërlidhet me aspektin e sigurisë të njoftojnë Policinë e Kosovës, në mënyrë që të ndërmerren masat e menjëhershme ligjore, në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë e shtetit me qëllim për të mbrojtur votën e qytetarëve. /Zëri.info