Tomë Gashi, për dënimin e aktivistëve të VV-së: Tentim për ta mbuluar vrasjen e Astrit Deharit

Aktuale November 17, 2017 - 13:47

Avokati i aktivistëve të dënuar të Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Tomë Gashi, ka thënë se vendimi i sotëm i gjykatës për dënimin e aktivistëve të VV-së, është një masakër e drejtësisë.

Ai ka theksuar para mediave se ky vendim është drakonik, duke shtuar se qëllimi kryesor i gjykatës është që ta mbuloj vrasjen e ish-aktivistit të VV-së, Astrit Dehari.

“Të gjithë aktivistët janë shpallur fajtorë pa asnjë provë, vetëm për shkak të përkatësisë së tyre partiake. Prokuroria nuk ka asnjë provë. Kemi një marrëveshje në mes prokurorisë dhe Gjykatës”, ka shtuar Gashi.

Ndryshe, aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje të akuzuar për sulmin me mortajë dore ndaj ndërtesës së Kuvendit, Frashër Krasniqi, Egzon Haliti, Atdhe Arifi dhe Adea Batusha janë shpallur fajtorë.

Frashër Krasniqi është dënuar me 8 vjet burgim, Atdhe Arifi është dënuar me 6 vjet burgim, Egzon Haliti me 5 vjet e gjashtë muaj, si dhe Adea Batusha me 2 vjet burgim.

Koha e tyre e kaluar në paraburgim dhe në arrest shtëpiak do të llogaritet.