Shteti po planifikon të përdor edhe FSK-në për t’u mbrojtur nga terrorizmi

Aktuale November 15, 2017 - 16:59

Rreziku nga ekstremizmi fetar, me theks të veçantë ai islamik. Rrezik nga sulmet terroriste e nga të kthyerit nga xhihadi. Edhe FSK’ja do të përdoret në rast sulmesh terroriste. Janë këto vetëm disa nga konstatimet që janë bërë në një draft-dokument të Qeverisë që pas pak javësh do të vuloset si strategji kundër terrorizmit për katër vitet e ardhshme.

Skënder Hyseni ishte ende Ministër i Punëve të Brendshme kur kjo ministri me një vendim caktoi një grup punues për hartimin e Strategjisë Shtetërore kundër Terrorizmit dhe Planit të Veprimit 2018 – 2022 ishte emëruar.  Ky draft-dokument që është publikuar nga Qeveria më 10 nëntor të këtij viti ka veç 18 faqe, dhe ka të cituara brenda veç 2 dokumente, edhe ato publike. Dhe një seri linqesh të ligjeve të miratuara në Kosovë, po ashtu publike, ani pse ndonjëherë edhe linqet janë të ngatërruara me fjalinë që i referohen.

Por, për dallim nga strategjitë e kaluara në këtë dokument Qeveria ka bërë një hap përpara me Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK). Si asnjëherë më parë, FSK’së planifikohet ti jepet rol ekzekutiv në rast sulmesh terroriste.

“Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës (MFSK) përmes mekanizmave të saj ndihmon institucionet vendore në parandalimin e terrorizmit, ndërsa me njësitet e saj merr pjesë aktive në mbrojtje dhe reagim ndaj sulmeve të mundshëm terroriste”, thuhet në këtë draft-dokument.

Në dokumentet për FSK’në thuhet se kjo forcë që është e re profesionale, “shumetnike, lehtë e armatosur dhe e uniformuar e Sigurisë e cila i nënshtrohet kontrollit demokratik, civil” ka për mision “që të kryej operacionet e reagimit ndaj krizave në Kosovë dhe jashtë saj; operacionet e mbrojtjes civile brenda Kosovës; si dhe t’i ndihmoj autoriteteve civile në përgjigje ndaj katastrofave natyrore dhe emergjencave të tjera”, por askund nuk përmendet që FSK ka mandat të merret me terrorizmin si kërcenim, raporton Express.

Në këtë draft-strategji, për plotësimin e së cilës me komente nga akterë nga shteti dhe shoqëria civile ka kohë deri në fund të muajit nëntor, thuhet se Kosova është e rrezikuar nga sulmet terroriste.

“Ndër kërcënimet e mundshme me të cilat mund të ballafaqohet Republika e Kosovës janë sulmet terroriste qoftë nga pjesëtarët e organizatave terroriste përmes luftëtarëve të huaj terrorist, celulave të fjetura por edhe nga simpatizantët dhe mbështetësit që mund të inspirohen për kryerjen e akteve të dhunshme”, thuhet në këtë dokument.

Ndër kërcënimet e tjera është përmendur edhe “indoktrinimi me ideologji ekstremiste e bazuar kryesisht përmes propagandës, indoktrinojnë dhe rekrutojnë personat e rijnë për t’i përdorur për qëllime të organizatave terrorist”, si dhe “Migrimi i parregullt”. Këtu, sipas hartuesve të këtij dokumenti fjala është për rrezikun nga kthimi i luftëtarëve të huaj me origjinë nga këto vende si dhe mundësia që edhe luftëtarët e huaj terrorist nga vendet tjera të shfrytëzojnë vendet e Ballkanit Perëndimor, duke u përzier edhe me refugjatët e mundshëm, me synim që pastaj të udhëtojnë drejt vendeve të BE-së.

Përderisa një pjesë e ish-luftëtarëve të ashtu-quajturit Shteti Islamik (ISIS) dhe “Xhabhatu al-Nusra” të kthyer në Kosovë, edhe pasi janë dënuar nga shkalla e parë e gjyqësorit mbesin jashtë burgut, strategjia në fjalë konstaton se “rreziku me të cilin përballet Kosova janë personat e kthyer nga zona e konfliktit, si dhe personat e përfshirë në vepra penale të terrorizmit”.

Në këtë dokument Qeveria përsërit që Kosova megjithatë mbetet e rrezikuar nga terrorizmi me bazë fetare, në veçanti terrorizmi islamik, raporton Express.

“Ndër kërcënimet kryesore vazhdon të mbetet ekstremizmi me bazë fetare, si rezultat i indoktrinimit me ideologji ekstremiste islamiste të importuara në Kosovë nga vendet e Lindjes së Mesme”, thuhet në draft-strategjinë në fjalë

Pasojat nga këto ideologji tashmë janë evidente, sipas këtij dukumenti dhe atë duke filluar nga bashkëngjitja e qindra shtetasve Kosovar në zonat e konfliktit në radhët e organizatave terroriste, dhjetëra personave tashmë të vrarë, familje që vazhdojnë të mbesin në zonat e konfliktit, tendencë për përhapjen e ideologjive ekstremiste të dhunshme, krijimin e diskursit të mos tolerancës, si dhe ajo që është më shqetësuese rritjen e kërcënimeve të sulmeve terroriste.

‘Ekstremizmi Islamist’ në rajon, që sipas këtij dokumenti qeveritar ka filluar të përhapet në vitet e 90-ta, “ndërsa në Kosovë, përhapja e tij ka filluar që nga koha e pas luftës, përmes disa organizatave joqeveritare, të cilat krahas programeve sociale dhe humanitare, duke përfituar nga cenueshmëria e një pjese të popullatës në gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale, kanë përhapur edhe doktrinat dhe ideologjitë ekstremiste islamiste, të bazuara në jo tolerancë, ndarje, urrejtje, si dhe kundërshtim të sistemit dhe vlerave demokratike përmes promovimit të islamit politik”.

Sipas Qeverisë rol në përhapjen e ‘ekstremizmit islamist’ kanë pasur edhe individë të caktuar, të cilët kanë përfunduar studime në vende të ndryshme të Lindjes së Mesme. “Po ashtu, propaganda përmes internetit është shfrytëzuar në masë të madhe nga ekstremistët për përhapjen e ideologjive të tyre”, konstatohet në këtë dokument, raporton Express.

Aty megjithatë përmendet edhe rreziku që vije nga ideologjia nacionaliste. “Sa i përket ekstremizmit me bazë nacionaliste, me gjithë përparimet që janë bërë në marrëdhëniet ndëretnike në mes dy komuniteteve më të mëdha në Kosovë, tensionet edhe më tutje vazhdojnë të jenë prezentë dhe të ekzistojnë grupe apo organizata ektremiste, të cilat janë të predispozuara që kohë pas kohe të përdorin dhunën për arritjen e qëllimeve politike, si dhe të provokojnë incidente ndëretnike, ndonjëherë edhe me mbështetjen e vendeve të treta”, thuhet në këtë dokument.

Që nga viti 2013 kur vrullshëm u përhap konflikti sektar në Siri e Irak, 315 qytetarë nga Kosova kanë udhëtuar drejt kësaj zone të konflikti për tu bashkuar me organizatat terroriste aktive atje, ka konfirmuar Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin fundit mbi terrorizmin. 58 prej tyre kanë vdekur, konstaton raporti,derisa burime të tjera zyrtare amerikane muaj më parë patën konfirmuar edhe vrasja e Lavdrim Muhaxherit, kryekomandantit të shqiptarëve në ISIS dhe tre shqiptarëve të tjerë.

Edhe drejtësia kosovare ka nisur dhjetëra procese kundra qindra të hetuarve, akuzuarve ose të dënuarve për terrorizëm.Sipas një hulumtimi të Express të publikuar kohë më parë janë afro 100 persona deri tash në Kosovë janë akuzuar për terrorizëm, ndërsa kundër afro 60 personave gjykatat kanë shqiptuar dënime. Gjyqi po vazhdon edhe kundër dhjetëra të tjerëve derisa Prokurori ka pranuar se kundër mbi 130 personave janë ende duke zhvilluar hetimet për terrorizëm./GazetaExpress/