A po thyhet koalicionin PANA për shkak të Demarkacionit?

Aktuale November 15, 2017 - 14:29

Njohësi i çështjeve politike, Haki Abazi ka komentuar deklaratën e Enver Hoxhajt i cili dje tha se PDK përkrahë versionin aktual të demarkacionit, raporton Gazeta Blic.

Abazi ka thënë se i duket e natyrshme që Enver Hoxhaj kërkon ratifikimin e kësaj marrëveshjeje sepse kjo është vija që ka ndjekur PDK nga lideri i saj Hashim Thaçi.

“Është e natyrshme që Enver Hoxhaj kërkon ratifikimin e marrëveshjes ashtu siç është sepse kjo është vija që ka ndjekur PDK që nga nënshkrimi i marrëveshjes nga lideri i saj Thaçi dhe përndryshe do të pasojë dënimi”, ka thënë ai, raporton Gazeta Blic.

Sipas Abazit çështja e demarkacionit është pika ku po thyhet heshtja mes parterëve të koalicionit.

“Siç e kam thënë që nga fillimi që agjenda e trashëguar për këtë qeveri është shumë e mbështjellur dhe e rëndë. Demarkacioni është pika ku po thyejnë heshtjet e partnerëve por sigurisht që presioni do të jetë edhe më i ashpër për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe”, tha ai.

“Është krejt racionale në çfarë rruge pa krye është shtyre ky proces dhe se çfarë interferimi po bëhet me obligimin kushtetues për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare nga ana e parlamentit.
Kjo tregon që këtu nuk ka respektim të shteti dhe kushtetutës e aq më pak të rëndësisë së votës qytetare në të zgjedhurit e vet”, ka deklaruar ai.

Ai më tej ka thënë se demarkacioni është bërë mollë për të gjithë vendin.

“Demarkacioni është bërë mollë sherri për gjithë vendin dhe rrjedhën e proceseve.

Sikur korrupsioni, papunësia dhe mungesa e lëvizjes së lirë janë më pak të rëndësishme se sa interesat e paqartë dhe jotransparente. E gjithë kjo nuk ka kuptim më”, ka përfunduar Abazi. 

Kujtojmë se zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ka thënë se Demarkacionin është një nga kushtet kryesore për liberalizimin e vizave, ku bëri të ditur se Partia Demokratike e Kosovës vazhdon të besojë në versionin aktual të demarkimit të kufirit.

Ndërsa ka qenë kryeministri Haradinaj i cili ka emëruar Komisionin e ri për shënjim të kufirit me Malin e Zi në krye me Shpejtim Bullqin.