Dorëzohet Qeveria, thotë se nuk ka afate kohore se kur do të formohet Ushtria

Aktuale November 15, 2017 - 13:03

Qeveria e Kosovës e përballur më kundërshtimin e Listës Serbe është dorëzuar që ta formojë ushtrinë brenda këtij viti.

Ndonëse ekzekutivi në bazë të Propozim-vendimit për  programin legjislativ për vitin 2017, kishte paraparë që Projekt-Ligjin për Forcat e Armatosura ta dërgojë në Kuvend në fund të muajit nëntor, tashmë nuk përmend afate kohore se kur mund të formohet ushtria.

Ata thonë se janë duke punuar seriozisht për transformimin e FSK-së, dhe këtë janë duke e bërë në bashkëpunim me NATO-në dhe të gjitha institucionet vendore, shkruan lajmi.net.

Halil Matoshi, Drejtor i Zyrës për Komunikim në Qeverinë Haradiaj ka thënë për lajmi.net, se ekzekutivi është duke punuar intensivisht për formimin  e ushtrisë, që ky proces të jetë një hap drejtë anëtarësimit të Kosovës në NATO.

LEXO EDHE: Thaçi në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it: FSK e gatshme për mision të ri

“Qeveria e Kosovës është e përgjegjshme dhe po punon seriozisht në çështjen e transformimit të FSK-së në FAK, si procesi më i rëndësishëm në këtë periudhë. Qeveria e Kosovës po punon intensivisht që transformimi i FSK në Forcat e Armatosura të jetë një hap i përbashkët për anëtarësimin e Kosovës në NATO, por nuk është i ndërlidhur me datë të kufizuar. Ky proces, si i tillë do të përmbyllet në bashkëpunim të plotë me të gjitha institucionet vendore, NATO-n dhe partnerët ndërkombëtarë”, ka thënë Matoshi për lajmi.net.

Ai nuk ka treguar nëse deri më tani Qeveria ka zhvilluar takime me përfaqësuesit e Listës Serbe, vota e të cilëve është e përcaktuese për formimin e ushtrisë.

Lista Serbe e cila ka 10 deputetë në Kuvendin e Kosovës, ka deklaruar disa herë që nuk do ta votojnë shndërrimin e FSK-së në ushtri.

Ndërsa, edhe deputetë të partive opozitare, shprehen se me fuqinë që ka Lista Serbe në Kuvend, Kosova e ka të vështirë ta formojë ushtrinë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të hënën ka deklaruar se Kosova është shumë afër ta bëjë ushtrinë së bashku me NATO-në.

Duke parë kundërshtimin e Listës Serbe, Thaçi në mars të këtij viti kishte nisur një iniciativë që ushtria të formohet përmes ndryshimit të Ligjit për FSK-në.

Këtë projektligj ai e kishe dërguar edhe në Kuvend, ku më pas edhe Qeveria e kishte e miratuar. Por kjo nismë ishte kundërshtuar nga faktori ndërkombëtar, të cilët kërkonin që ushtria të formohet në pajtim më të gjitha komunitetet në Kosovës.