Përfitimet nga pensionet e veteranëve- Agim Çeku hedh akuza ndaj qeverisjes së kaluar

Aktuale November 15, 2017 - 11:25

Numri i madh i veteranëve nuk është problem, vlerëson Agim Çeku, duke iu përgjigjur akuzave që po i bëhen në drejtim të tij, për fryrje të listave. Por për të, keqpërdorues janë ata veteranë që synojnë të përfitojnë nga këto pensione, ani pse të njëjtët janë të punësuar dhe tentojnë të marrin pagë nga buxheti.

Çeku, pranon për Express se numri i atyre që kanë qenë pjesë e luftës, ka dal më i madh se që është pritur, por sqaron se statusin nuk ia ka nënshkruar ai, por këtë, thotë se e kanë bërë, komandantët e tyre.

Madje Çeku, hedh akuza në drejtim të qeverisë së kaluar për siç tha ai, lehtësimet që janë krijuar në aplikime. Muaj më parë, Prokuroria ka nis hetimet për të hetuar nëse janë bërë mashtrime me këto lista.

Ish- kryetari i Komisionit për verifikimin e veteranëve, tash zëvendësministër në FSK, Agim Çeku, po thotë se asnjë nga personat të cilëve iu është pranuar statusi i veteranit nuk është caktuar nga ai. Për Express,

Çeku bën të ditur se kanë qenë ish- komandantët të cilët ia kanë dërguar listat me emra, listë të cilën thotë se e ka besuar nga bashkëpunëtorët e tij.

“Është e vërtetë se numri ka dal më i madh se që kemi prit, por unë si kryetar i këtij komisioni e kam menaxhuar këtë proces dhe nuk ka veteranë që unë ia kam nënshkruar statusin, çdo veterani statusin ia ka caktuar  dhe nënshkruar komandantët e tyre, duke filluar nga komandantët e kompanisë, të batalioneve, brigadave e zonave dhe mu m’i kanë pru si kryetar i komisionit, komandatët apo përfaqësuesi i zonave të cilët kanë qenë anëtarët e komisionit dhe ata mi kanë pru listat dhe unë normal që bashkëpunëtorëve të mi ju besoj dhe i kam nënshkruar ato”, u shpreh ai.

Por Gazeta Express përmes burimeve të saja ka mësuar se Prokuroria e Shtetit ka avancuar me hetimet për t’i zbuluar veteranët mashtrues të UÇK’së. Këto burime bëjnë të ditur se Prokuroria ka marrë të gjitha dosjet e veteranëve dhe denoncimet publike nga Komisioni i Veteranëve. 

Për këto hetime s’ka folur ende askush. Megjithëkëtë, rezultatet e para pritet të dalin shpejt.

Ish- komandanti i UÇK-së, Agim Çeku vlerëson se nuk është problem që janë 46 mijë veteranë por shqetësimi sipas tij, është se shumë prej tyre që kanë aplikuar, janë deklaruar si të papunë.

“Unë personalisht nuk kam marr vendim për asnjë veteran. Këtu ka keqpërdorime sepse nuk është problem që janë 46 mijë veteranë por problemi është se shumë prej tyre kur kanë apliku, vetëm 11 mijë kanë deklaruar se janë të papunë dhe janë në gjendje të rëndë, tani janë bërë mbi 30 mijë. Mendoj që qeveria e mëparshme e ka bo një udhëzim administrativ me kushte shumë të lehta që ata mund të përfitojnë p.sh ka shumë veteran që nuk gëzojnë pagë në Kosovë, pra nuk janë të punësuar këtu dhe normalisht që në ATK nuk figurojnë si tatim pagues apo diçka dhe jetojnë jashtë vendit dhe i shfrytëzojnë këto beneficione, problemi është se kush po e keqpërdor buxhetin e Kosovës”, thotë ai ndër tjerash.

Ai kërkon që qeveria të bëj një udhëzim të ri administrativ dhe të përcaktojë kushte më konkrete se kush mund të përfitojë nga këto pensione.

Kujtojmë se për listat e fryra të veteranëve, Prokuroria ka nisur hetime në muajin qershor dhe deri më tani zyrtarisht nuk është bërë e ditur se deri ku ka shkuar faza e hetimeve.

Derisa nga ana tjetër Qeveria e Kosovës ditë më parë vendosi që t’i ndajë mjetet për të gjithë veteranët.