Ushtria e Kosovës në koordinim me NATO-n

Aktuale November 15, 2017 - 07:58

Drejtuesit e institucioneve më të larta shtetërore pohojnë se Kosova shumë shpejt do ta themelojë ushtrinë e saj në partneritet me NATO-n, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Në konferencën rajonale të sigurisë, me temën “NATO-ja dhe Ballkani Perëndimor, dinamikat rajonale në epokën e sfidave të sigurisë globale”, liderët e institucioneve të Kosovës shtruan çështjen e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura.

Ndërkaq, përfaqësuesit e NATO-s ritheksuan rëndësinë që ka ruajtja e paqes në Ballkan për paqen dhe stabilitetin në të gjithë Evropën.

LEXO EDHE: Goditja amerikane

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se rruga dhe koha deri te transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtrinë e ardhshme nuk është e largët, shkruan tutje "Zëri".

“Ne synojmë të bëhemi anëtar më të drejta të plota të Aleancës Veriatlantike. Ne krenohemi me Forcat e Sigurisë së Kosovës, një organizatë që është duke bërë një punë të jashtëzakonshme. Falënderojmë po ashtu KFOR-in për punën profesionale që është duke bërë në këtë partneritet me FSK-në”, ka thënë Veseli.

“Natyrisht, presim që shumë shpejt ta bëjmë edhe transformimin përfundimtar të Forcës se Sigurisë së Kosovës në ushtri të ardhshme. Veprimet tona do të jenë të përbashkëta, nuk do të ketë befasi, por ajo që është e sigurt është se Kosova do ta ketë ushtrinë e vet në partneritet me NATO-n në ditët në vijim”, theksoi Veseli.

Ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se Kosova si partnere e kësaj organizate e meriton ta ketë ushtrinë e saj.

Kësisoj, ajo do të mundë ta ndihmojë NATO-n në procesin e saj drejt sigurisë rajonale.

“Kosova e meriton të anëtarësohet në NATO. Ne e duam NATO-n të qëndrojë në Kosovë. Po i bëjmë të gjitha përpjekjet për ta themeluar FAK-un, besojmë se deri në 2020-ën ta përmbyllim anëtarësimin në NATO. Ne e shohim NATO-n si faktor të posaçëm të stabilitetit rajonal, sidomos në luftimin e radikalizmit, e shohim si ndihmesë për Kosovën, që Kosova të ndalojë se absorbuari siguri dhe t`i ofrohet ta ndihmojë sigurinë. FAK-u do ta ndihmonte këtë proces dhe sigurinë për të gjithë qytetarët në Kosovë”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka shtuar se shtetet rajonale përballen me sfida të ndryshme, duke theksuar ndërhyrjen e Rusisë në Ballkan, ekstremizmin, krimin e organizuar, rrezikun kibernetik, rreziqet sociale-ekonomike, por që NATO-ja ndihmon në këtë drejtim dhe Kosovës duhet t`i lejohet që me ushtrinë e saj të veprojë bashkërisht me të në këtë drejtim.

“Shtetet duhet ta respektojnë njëri-tjetrin, asnjëri nga ne nuk arrijmë ta sigurojmë vetveten dhe për këtë Kosova është e gatshme të bashkëpunojë me të gjithë”, ka thënë Haradinaj.

Edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka thënë se Kosova ka nevojë për NATO-n dhe ajo do të jetë vlerë e shtuar për Aleancën Veriatlantike.

Kurse ndihmëssekretari i përgjithshëm i NATO-s për diplomacinë publike. Tacan Ildem, ka thënë se një Ballkan stabil nënkupton një Evropë stabile.

Ai theksoi se fqinjësia e mirë nuk është luks, por parakusht për integrim, duke thënë se NATO-ja po punon me të gjithë për ta ruajtur sigurinë në Ballkanin Perëndimor.

Ildem ka thënë se NATO-ja i jep rëndësi të madhe dialogut të Kosovës me Serbinë, derisa ka shtuar se organizata më e fuqishme ushtarake që ai përfaqëson nuk i injoron kërcënimet e çfarëdo lloji.