Goditja amerikane

Aktuale November 15, 2017 - 07:51

Për Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë raportimi i së hënës i anëtarëve të Komisionit për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi është i pabazuar, çorientues dhe i gabueshëm. Ata kanë rekomanduar se vënia në dyshim e Marrëveshjes dhe zvarritja e procesit të ratifikimit kërcënojnë marrëdhëniet e Kosovës me fqinjët e saj dhe me BE-në dhe e lënë vendin të izoluar, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Vetëm një ditë pasi Komisioni i Ri për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi raportoi para Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, ka reaguar Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), me ç’rast raportimin e këtij Komisioni e ka cilësuar si zhgënjyes.

Në këtë reagim thuhet se Komisioni ka ofruar pohime krejtësisht të pasakta dhe të gabueshme.

Mirëpo, anëtarët e Komisionit për Demarkacionin, duke mos i komentuar këto deklarata, kanë thënë përZërin se Komisioni nuk ka shkuar të raportojë për të gjetura të reja para Komisionit për Integrime Evropiane, porse të tregojë rreth punës që ka bërë ish-Komisioni paraprak.

Komisioni i ri i drejtuar nga Shpejtim Bulliqi para dy ditësh tha se ish-Komisioni ka zhvendosur kufirin me Malin e Zi, duke bërë kështu që Kosova të humbë territor, ndërsa sipas një komunikate për medie nga Ambasada e SHBA-së, marrëveshja aktuale paraqet një version të saktë dhe të konfirmuar.

Nga ana tjetër, njohësit e çështjeve të liberalizimit konsiderojnë se një reagim i tillë i SHBA-së paraqet një lajm aspak të mirë për Kosovën, përderisa përfaqësuesit e lëvizjes “Vetëvendosjes” thonë se Demarkacioni është vënë si kusht i padrejtë për liberalizim, ata të PDK-së thonë se ky kapitull duhet të mbyllet sa më parë.  

SHBA: Zvarritja e demarkacionit cenon raportet e Kosovës me BE-në 

Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka reaguar një ditë pasi Komisioni për Shënjimin e Kufriit me Malin e Zi raportoi para Komisionit për Integrime Evropiane. Me këtë rast SHBA-ja ka thënë se ndihet e zhgënjyer me këtë raportim.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara është zhgënjyer nga raportimi i djeshëm i Komisionit të Ri për Kufirin para Komisionit të Kuvendit për Integrime Evropiane. Pohimet e tij janë të pabazuara, çorientuese dhe të gabueshme”, thuhet në reagimin e Ambasadës.

Më tej, sipas këtij reagimi, thuhet se marrëveshja ekzistuese pasqyron një proces të saktë të përcaktimit të kufirit, të konfirmuar nga Komisioni Shtetëror i Kosovës dhe nga ekspertë të shumtë të njohur ndërkombëtarisht.

Madje, sipas Ambasadës, vënia në dyshim e kësaj çështjeje rrezikon raportet e Kosovës me BE-në dhe me shtetet e tjera.

“Vënia në dyshim e marrëveshjes dhe zvarritja e procesit të ratifikimit kërcënojnë marrëdhëniet e Kosovës me fqinjët e saj dhe me BE-në dhe e lënë Kosovën dhe qytetarët e saj të izoluar”, thuhet më tutje.

Isufi: S’kemi ofruar të gjetura të reja, detyra jonë ta vlerësojmë punën e ish-Komisionit

Pavarësisht kësaj Florim Isufi, anëtar i Komisionit të Ri për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi, ka thënë se Komisioni nuk ka raportuar fare për të gjetura të reja, porse ka paraqitur të gjeturat që janë bërë lidhur me punën e Komisionit paraprak.

“Ne e kemi mandatin ta vlerësojmë raportin paraprak të Komisionit paraprak dhe të gjeturat në raportin e tyre dhe me atë qëllim kemi shkuar aty. Do të thotë, të gjeturat në raportin e Komisionit paraprak (në të cilat ne mund të vërtetojmë se mund të jenë bërë gabime), por jo të gjetura të reja. Ne nuk kemi dorëzuar kurrfarë raporti dje as me shkrim, as me gojë”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Ndërkohë i pyetur rreth reagimit të Ambasadës së SHBA-së, Isufi duke mos e komentuar ka ripotencuar se detyra e Komisionit ka qenë që t’i bëhet një vlerësim punës së ish-Komisionit.

“Nuk e di si e ka kuptuar Ambasada Amerikane dhe çka ka dashur të thotë, sepse nuk e kam lexuar, vetëm më njoftuan se ka dhënë një reagim. Por, sido që të jetë po e potencoj edhe një herë që nuk kemi dhënë fakte të reja, sepse nuk e kemi për detyrë. Qeveria na ka dhënë neve një detyrë, t’ia bëjmë një vlerësim punës paraprake dhe pastaj me të gjeturat e reja ta begatojmë raportin që do ta dorëzojmë”, ka shtuar ai.

Pajaziti: Mandati i Komisionit, i panevojshëm

Nga ana tjetër Zenun Pajaziti, anëtar i Komisionit për Integrime Evropiane (nga PDK-ja), ka konsideruar se formimi i Komisionit për Shënimin e Kufirit nuk ka qenë aspak i nevojshëm.

“E para, mendoj që mandati i këtij Komisioni është i panevojshëm, i paqëndrueshëm, Komision që do ta bëjë një vlerësim të Komisionit paraprak. Unë nuk e di se kujt i hyn në punë kjo. Nëse ka diçka që ka bërë shkelje një komision, atëherë duhet të merren institucionet e drejtësisë me këtë, por neve na duhet një qasje tjetër për të dalë nga kjo situatë”, është shprehur ai gjatë një bisede për “Zërin”.

Pajaziti më tej ka thënë se ajo çka Komisioni prezantoi para dy ditësh paraqet më shumë komplikim të krejt situatës.

Ndërkohë ka konsideruar se kjo Marrëveshje duhet të përmbyllet edhe po që se një gjë e tillë nuk do të ishte kriter për liberalizimin e vizave, meqë me këtë zvarritje po i bëhet dëm i madh Kosovës.

Kollçaku: Lidhja e demarkacionit me liberalizimin, e padrejtë

Fatmire Kollçaku, anëtare e Komisionit për Integrime Evropiane (nga LVV-ja), ka konsideruar se vënia e demarkacionit si kusht për liberalizim nuk është aspak i drejtë për Kosovën.

“Konsideroj se është shumë e padrejtë që çështja e demarkacionit është lidhur me liberalizmin e vizave për ne. Ky nuk ka qenë kusht për asnjë shtet tjetër që ka dalë nga ish-Jugosllavia jo vetëm për liberalizim të vizave, por as për hyrje në BE”, ka thënë ajo për “Zërin”.

Ndërkohë, duke folur rreth raportimit të Komisionit për Demarkacionin, Kollçaku ka thënë se LVV-ja do ta presë raportin final të këtij komisioni.

“Komisioni dje na prezantoi atë çka prezantoi, Komisioni nuk dha fakte, por ata na thanë se shumë shpejt do të dalin me një raport përfundimtar dhe do ta njoftojnë Kuvendin. Ajo që prezantuan është se Komisioni i mëparshëm ka bërë shkelje të procedurave, ne e dimë që krejt procesi ka qenë jotransparent. Ne do ta presim raportin e Komisionit”, ka shtuar ajo. 

Murati: Presioni që po bëhet nga SHBA-ja, logjik

E pavarësisht reagimit të SHBA-së, Artan Murati, i magjistruar për Legjislacionin e BE-së (njohës i procesit integrues), ka vlerësuar se demarkacioni nuk do t’i prishë raportet me SHBA-në, porse një gjë e tillë nuk paraqet aspak lajm të mirë për Kosovën.

Murati më tej ka thënë se qëndrimi i SHBA-së lidhur me demarkacionin tashmë ka qenë i ditur edhe më parë. Andaj ky presion i bërë nga SHBA-ja ka logjikë, meqë vitin tjetër Parlamenti Evropian ka zgjedhje, andaj po synohet që Kosova ta zërë hapin në procesin e integrimit e liberalizimit.

“Unë konsideroj se ky presion që po bëhet nga SHBA-ja është logjik, pasi që edhe SHBA-ja e di që viti i ardhshëm është jetik për procesin integrues të Kosovës dhe procesin e liberalizimit të vizave, pasi që do të jetë viti i fundit në këtë Parlament Evropian dhe në këtë Komision”, është shprehur më tutje ai.