Flet Kryeprokurori: Enver Hasani shpifi ndaj meje nga pakënaqësia që u dënua për korrupsion

Aktuale November 14, 2017 - 19:04

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi thotë se ende nuk e ka të qartë situatën dhe qëllimet me të cilat, sipas tij, u sulmua ai dhe institucioni i Kryeprokurorit të Shtetit.

Megjithëkëtë, Lumezi tregon se nuk e ka ndarë ende mendjen nëse do të padisë Enver Hasanin për shpifje, pasi ai tashmë është i dënuar për korrupsion, dhe sipas Kryeprokurorit të gjithë personat e tillë, të akuzuar ose të dënuar, kanë pakënaqësi ndaj institucionit që ai drejton.

Mbyllja e hetimit të dosjes së Aleksander Lumezit, që rezultoi me gjetjet përfundimtare se dosja e provimit të tij të jurisprudencës është e pakontestueshme dhe ka dhënë provimin në fjalë, Kryeprokurorit ende nuk ia ka qartësuar situatën që u krijua nga pretendimet e një të dënuari për korrupsion, që u ngritën një ditë pasi u shpall aktgjykimi ndaj tij. 

Në një bisedë për Gazetën Express, pak pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, Lumezi ka thënë se shpifjet e ndërtuara ndaj tij nga Enver Hasani, që pasuan me disa publikime tjera në media, kanë pasur tendencë rrënimin e institucionit të Kryeprokurorit të Shtetit. 

“Për mua është ende e paqartë gjithë kjo situatë. Pse është bërë dhe me çfarë qëllimi. Tendenca ka qenë me e rrënu edhe ma shumë institucionin e Kryeprokurorit”, ka deklaruar Lumezi përmes telefonit. 

“Për mua ka qenë e pakuptimtë, gjithë kjo”, thotë ai.

Por, pa marrë parasysh këtë Kryeprokurori Lumezi ka treguar se nuk ka vendosur ende nëse do të padisë Hasanin për shpifjet ndaj tij. 

“Kam me shqyrtu edhe një herë këtë, masnej do të shikojmë”, tha ai, i pyetur nëse do të padisë Hasanin, siç kishte paralajmëruar në reagimin e tij të parë publik, pas akuzave për manipulim të dosjes së provimit të Jurisprudencës.

LEXO EDHE: Prokuroria mbyll hetimet për Lumezin: E ka dhënë provimin e jurisprudencës në mënyrë të pakontestueshme

Lumezi, gjatë bisedës shpjegon se e di se ka shumë pakënaqësi ndaj Prokurorisë së Shtetit dhe personalisht ndaj tij, për shkak të punës së tyre si organ i akuzës. 

Sipas tij vetëm vitin e kaluar institucioni që ai drejton ka ngritur rreth 18 mijë aktakuza, nga 32 mijë lëndë sa kanë qenë në hetim. 

"Ata, potencialisht mua më përjetojnë si një njeri që jam në krye të institucionit dhe kanë njëfarë pakënaqësie, edhe me institucionin edhe me kryeprokurorin e shtetit”, thotë ai duke iu referuar personave të akuzuar që ndjek Prokuroria e Shtetit.

“Tash unë me ja nis me u marrë me gjithë këta persona a? Sidomos jo me ata që kanë aktgjykim të shkallës së parë dhe shpallen fajtorë për vepra penale, sidomos për korrupsion”, sqaroi Kryeprokurori i kosovar. 

Ndryshe, të martën, Prokuroria e Shtetit ka njoftuar se ka përfunduar hetimi për dyshimet e ngritura për dosjen e provimit të Jurisprudencës së Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi. Hetimi i kryer nga Prokuroria e Themelore e Prishtinës ka pasur me publikimin e dëshmive të plota të cilat hedhin poshtë çdo pretendim të ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese, të bëra në ditën kur u dënua për korrupsion sa ishte rektor i UP’së, se Lumezi e ka dosjen e manipuluar. 

Gjetjet përfundimtare të hetimit zyrtar të kryer nga Prokurori Kujtim Munishi, të monitoruara nga një prokuror i huaj i EULEX’it, janë se “dosja e z. Lumezi për provimin e jurisprudencës është konform dispozitave dhe procedurave të atëhershme për administrimin e këtij provimi” dhe se “Lumezi në mënyrë të pakontestueshme e ka dhënë provimin e jurisprudencës”. 

“(3) gabimet administrative-teknike në regjistrat zyrtarë si dhe mënyrat e atëhershme manuale e jo të përsosura për korrigjimin e tyre, siç ishte përdorimi i llakut të bardhë për korrigjimet në tekst, ishin rezultat i menaxhimit të mangët të regjistrave zyrtar nga shërbyesit e atëhershëm civil, që ishin përgjegjës për mirëmbajtjen e librave të provimit të jurisprudencës, dhe këto gabime nuk mund t’iu atribuohen kandidatëve për provim, siç këtë e kanë bërë z. Hasani dhe disa media që i kanë besuar atij”, thuhet në njoftim.