Zahir Tanin në OKB: Mungon progresi për zbatimin e marrëveshjes së Asociacionit

Aktuale November 14, 2017 - 18:26

Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë dhe shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, theksoi para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit sot se me përfundimin e ciklit zgjedhor në Kosovë, “koha e veprimeve tani tejkalon kohën e arsyetimeve”.

Në raportimin e tij të rregullt për Kosovën, PSSP Tanin nënvizoi se shenjat e vullnetit politik dhe përkushtimit për të lëvizur përpara vërehen gjithnjë e më shumë.

Duke folur për integrimin e 40 gjyqtarëve dhe 13 prokurorëve të rinj të shtetit nga komuniteti serb në “sistemin unik të drejtësisë në Kosovë”, Tanin lavdëroi palët për shtyrjen e këtij procesi përpara, njofton Klan Kosova.

Duke nënvizuar se zbatimi teknik përbrenda kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja kërkon përkushtim më domethënës nga të dyja palët, PSSP Tanin theksoi mungesën e progresit drejt zbatimit të marrëveshjes për Bashkësinë/Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Duke nënvizuar rëndësinë e mospenguarjes së një procesi të qëndrueshëm paqeje nga jofleksibiliteti apo mosveprimi i thjeshtë, PSSP Tanin theksoi, “marrëdhëniet në mes të Beogradit dhe Prishtinës kanë potencial zhvillimi përtej ngërçit fatkeq të tejzgjatur.”

Sa i përket CEFTA-s, Tanin theksoi se përfaqësuesit e Prishtinës marrin pjesë në të gjitha takimet e CEFTA-s dhe se pjesëmarrja e UNMIK-ut kufizohet nga dispozitat e statuteve ligjore.

“Kjo pjesëmarrje vazhdon pikërisht deri në masën e kërkuar nga anëtarët e CEFTA-s për të siguruar funksionimin e saj, që përkthehet pastaj në përkrahje të mundësive ekonomike përgjatë rajonit”.